A i tradhtuan amerikanët Thaçi dhe Mustafa në marrëveshjen për asociacionin!?

Aktuale

A i tradhtuan amerikanët Thaçi dhe Mustafa në marrëveshjen për asociacionin!?

Nga: Idriz Morina Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 14:38
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa

Nëse Isa Mustafa i ka mbajtur në mend mirë porositë e dhëna nga ambasadorja amerikane Trejsi Jakobson për asociacionin dhe bisedimet në Bruksel, kuptohen disa gjëra, me rëndësi.

E para, lë të kuptohet se qëndrimi amerikan, nuk ka ndryshuar, në atë mënyrë, sa të mund të jepej një vlerësim dallues.

Sipas dëshmisë së Isa Mustafës, kur ishte kryeministër i vendit, para arritjes së një marrëveshje në Bruksel, kishte kërkuar disa sqarime shtesë apo informacione nga ambasadorja amerikane, e asaj kohe.

Amerikanët: Asociacioni nuk duhej të ishte një pushtet i tretë

“Mirëpo, në qoftë se ti do të shkosh në Bruksel për të bërë OJQ, dije se në Bruksel nuk bëhen OJQ-të. Nuk negociohet në Bruksel për organizata joqeveritare. Por, nëse ju intereson se si është qëndrimi ynë për asociacionin, atëherë unë them se ne nuk e shohim asociacionin si pushtet të tretë dhe s’do ta përkrahim si pushtet të tretë. Ju duhet t’i gjeni mënyrat si ta formoni asociacionin pa e prekur rendin kushtetues’”, i kishte deklaruar Trejsi Jakobson Isa Mustafës, sipas dëshmisë së tij të dhënë në një televizion të Kosovës parmbrëmë.

E para, pra Jakobsoni i kishte thënë se në Bruksel, nuk bëhen OJQ-të. Por, sipas kujtesës së Isa Mustafës, ajo nuk i kishte thënë ‘t’i duhet të shkosh’, dhe as nuk i kishte thënë që patjetër duhet të shkojë, por i kishte thënë: “në qoftë se ti do të shkosh në Bruksel...”, pra ishte në dorën e tij të shkonte ose jo.

E dyta, i kishte thënë se asociacionin nuk e përkrahin si pushtet të tretë. “Por, nëse ju intereson se si është qëndrimi ynë për asociacionin, atëherë unë them se ne nuk e shohim asociacionin si pushtet të tretë dhe s’do ta përkrahim si pushtet të tretë”.

E treta, i kishte thënë se ekipi i qeverisë duhej t’i gjente mënyrat, se si ta formonin asociacionin “pa e prekur rendin kushtetues”.

Por, më tej nuk kemi informacione se nëse ka pasur këshillim të mëtutjeshëm.

Porositë amerikane nuk u respektuan. Në bazë të këtij ligjërimi amerikanët nuk rezulton se e detyruan Qeverinë e Kosovës, që të bisedonte për asociacionin, dhe aq më pak që ai të ishte antikushtetues, sepse këtë ua kishte parathënë ambasadorja Jakobson.

Amerikanët i thanë se Asociacioni nuk duhej të ishte një pushtet i tretë, dhe si të tillë nuk e përkrahin.

Por, në këtë pikë, për të cilën çështje nuk rrëfen më shumë Isa Mustafa, u krijua asociacioni me kompetenca ekzekutive. Pra, Isa dhe Hashimi, patën guximin ta anashkalonin porosinë amerikane, në dëm të Kosovës!

Pse u ratifikua Ligji para se Gjykata të merrte vendim për asociacionin?

Isa Mustafa, në një rast tjetër, në retrospektivë thotë, se në Bruksel ishin dakorduar që marrëveshja për Asociacionin t’i dërgohej Gjykatës Kushtetuese.

Kështu edhe ndodhi, por pse u ratifikua Ligji para se Gjykata të merrte vendim për asociacionin? Kush e bëri këtë?

Marrëveshja mund të dërgohej në gjykatë paraprakisht. Duke e ditur që ne nuk jemi një shtet i fuqishëm, nuk duhej të kalonte ligji. Pra, këtu zbulohet një mashtrim i dyfishtë, i atyre që e nënshkruan marrëveshjen.

Ata, Thaçi dhe Mustafa duket se e kishin mision ta kryenin punën, kundër interesave të shqiptarëve, të vetë shtetit të Kosovës, dhe pastaj të maskoheshin, se të huajt nuk po lejojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sikurse po bëhet presion nga Brukseli për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, pra edhe atë për Asociacionin.

Madje në një rast, Mustafa pat deklaruar se asociacioni do të zbatohej ashtu siç ishte nënshkruar, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Tashmë këto dy detaje, deklarata e atëhershme, dhe kjo e tanishmja, e kompletojnë si nga perspektiva dhe nga retrospektiva, se kanë përgjegjësi të plotë për formën në të cilën është nënshkruar asociacioni, për 23 papërputhshmëritë e tij me Kushtetutën e Kosovës.

Lamtumirë ndarje

Si është e mundur që thuaja në çdo pikë të marrëveshjes të gabohej dhe të pranohej një tekst antikushtetues.

Kosova ka jo vetëm profesionistë të shkëlqyer të çështjeve kushtetuese, por edhe së paku dy veta, që mund të llogariten si dijetar në çështje kushtetuese.

Pra, lënia anash e diskutimit me ekspert kushtetues, është një provë tjetër, që këta nuk e kishin asociacionin si thotë në një rast tjetër, Isa, ‘as ëndërr’, ky e Thaçi. Por, këta kishin zgjedhur një rrugë tjetër atë të nënshtrimit të dhe të pranimit të një zgjidhje të dëmshme për atdheun.

Qëndrimin amerikan për paprekshmëri kushtetuese të thënë së paku 7 vjet më parë, e ka rikonfirmuar edhe më shprehimisht ambasada amerikan në komunikatën e saj, pas përfundimit të vizitës në Kosovë, të emisarit amerikan, Gabriel Escobar, dhe atij evropian, Miroslav Lajçak: “Askush nuk po kërkon nga liderët e Kosovës që ta komprometojnë sovranitetin e Kosovës, ta cenojnë integritetin territorial, ose ta shkelin Kushtetutën e saj. Këto janë të shenjta”.

Pra, SHBA-të po mbështesin një zgjidhje që nuk i cenon këto tri shtylla të shtetit: “integritetin, sovranitetin dhe Kushtetutën!”

Ata që i shkelën këto duhet të marrin përgjigjen e merituar.

Ndërsa, ata që po vazhdojnë të trumbetojnë për ndarjen e Kosovës, duhet të heshtin, dhe të kërkojnë falje, ndaj neve që i kundërshtuam, dhe veçanërisht ndaj SHBA-ve, në emër të të cilave flisnin dhe gënjenin shumë shpesh!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat