Arsyetimi i Apelit që la në gjykim Lavdim Krasniqin për korrupsion

Aktuale

Arsyetimi i Apelit që la në gjykim Lavdim Krasniqin për korrupsion

Më: 7 shkurt 2022 Në ora: 11:22
Lavdim Krasniqi

 Gjykata e Apelit ka vendosur që ish-drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, të gjykohet edhe për dy pikat e aktakuzës për korrupsion të cilat gjykata e shkallës së parë i kishte hudhur poshtë.

Në vendim e Apelit thuhet se me refuzimin e kërkesës për hudhjen e aktakuzës të parashtruar nga mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokatit Ramë Gashi, i hapet rruga nisjes së shqyrtimit gjyqësor ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, Apeli ka anuluar vendimin e shkallës së parë edhe sa i përket të akuzuarës Marigona Gashi për veprën penale “Blerja, posedimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” nga neni 333, paragrafin 1 të KPRK-së dhe çështjen e ka kthyer në rishqyrtim dhe rivendosje në shkallën e parë.

Ndërsa, kjo gjykatë ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë sa i përket shpalljes së një CD dhe transkriptit të saj si provë të papranueshme.

Në arsyetimin e vendimit të Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore në ankesë, ka gjetur se ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë është pjesërisht e bazuar, ndërsa ankesat e mbrojtësve të të pandehurve janë të pabazuara.

Sipas vlerësimit të Apelit, pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore në Prishtinë lidhur me dy pikat e akuzës për keqpërdorim të pozitës zyrtare në raport me Krasniqin, janë të bazuara.

Kjo pasi që Apeli ka gjetur se ka prova të mjaftueshme që dëshmojnë se Krasniqi ka kryer këto vepra penale.

Apeli ka hudhur poshtë pretendimin e gjykatës së shkallës së parë lidhur me hudhjen e aktakuzës për pikën IV, në të cilën Krasniqi dyshohet se ka urdhëruar të pandehurin Ardian Krasniqi që me veturë zyrtare ta transportojë personin Albi Mulolli në Shqipëri, e që sipas shkallës së parë, fakti se makina drejtohej nga Ardiani nuk mbështet dyshimin e bazuar mirë se dy të pandehurit kanë vepruar bashkërisht.

“Arsyet e dhëna nga ana e gjykatës së shkallës së parë ngjajnë me konkluzione të dhëna pas fazës së shqyrtimit gjyqësor, duke vlerësuar dijeninë dhe dashjen e të pandehurit, respektivisht veprimet konkrete që gjykata gjen se nuk janë përmbushur”, thuhet në vendimin e Apelit.

Përkundër kësaj, në vendim thuhet se nuk janë dhënë arsye të mjaftueshme të cilat mbështesin gjetjet e shkallës së parë, e cila ka provuar se tek Lavdim Krasniqi mungonte dijenia për veprimet e të pandehurit Ardian, përkundër faktit se sipas Apelit e njëjta veturë ka qenë në shfrytëzim të të akuzuarit Lavdim dhe se të pandehurin Ardian e ka pasur shofer të tij.

Lidhur me pikën 5 të akuzës ku Krasniqi akuzohet së bashku me Flora Dodën për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Apeli vlerëson se shkalla e parë nuk ka dhënë arsye të qëndrueshme dhe të mjaftueshme për hudhjen e kësaj pike të aktakuzës.

“Sipas Apelit, provat e propozuara për këtë pikë të aktakuzës dëshmojnë se procedura e rregullt e prokurimit nuk është respektuar dhe se mobiliet e porositura janë pranuar pa pasur kontratë me operatorin ekonomik, e cila kontratë është nënshkruar diku 12 ditë pasi që janë pranuar mobiliet, ndërsa për të njëjtin shërbim kishte kontratë me një operator tjetër ekonomik”, thuhet në vendim të Apelit.

Për të akuzuarën Berisha, për veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale, Apeli ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë gabimisht e ka hudhur aktakuzën në këtë rast edhe pse sipas Apelit shkalla e parë drejt ka vepruar kur ka konstatuar se prokuroria nuk ka nxjerrë aktvendim për fillim të hetimeve apo zgjerim të hetimeve.

Por sipas Apelit, hudhja e aktakuzës për këtë veprim të gabuar është e ngutshme dhe nuk mund të pushojë procedura penale vetëm për një shkak të veprimi formal procedural, nëse ky veprim procedural mund të evitohet.

“Gjykata e Apelit gjen se shkalla e parë në rivendosje duhet që këtë pikë të aktakuzës ta kthej në prokurori në mënyrë që kjo e fundit të zbatoj hetimet për këtë vepër penale”, thuhet në vendim të Apelit.

Lidhur me shpalljen e CD dhe transkriptimit të saj si provë të papranueshme nga shkalla e parë, Apeli vlerëson se kjo gjykatë me të drejtë dhe në mënyrë ligjore ka nxjerrë një vendim të tillë.“Gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka gjetur se urdhri për masa të fshehta-fotografimi i fshehtë ose vëzhgimi me video në vendet publike dhe private është lëshuar në kundërshtim me nenin 92 par.1 të KPP-së, duke qenë se ky urdhër është lëshuar kundër personave NN. Përkundër asaj se para se të lëshohet ky urdhër është ditur identiteti i personave ndaj të cilave është lëshuar urdhri…”, thuhet në vendim të Apelit.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” më 25 nëntor 2021 ka raportuar për vendimin e Gjykatë Themelore në Prishtinë lidhur me këtë rast.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Lavdim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial (KPK) dhe Ardian Krasniqi në cilësinë e shoferit të tij personal akuzohen se nga janari i vitit 2018 e deri në fund të vitit 2019, në bashkëkryerje, në vazhdimësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjetrin nga Bashkim Mulolli.

Siç thuhet në aktakuzë, përmes të akuzuarit Ardian Krasniqi disa herë të njëjtit kanë pranuar të holla, duke arritur shifrën prej 40 mijë euro, si dhe dhuratë, një veturë në vlerë prej 25 mijë euro, për asistenten e të akuzuarit Lavdim Krasniqi, të akuzuarën Marigonë Berisha.

E që këto përfitime sipas aktakuzës, janë pranuar nga të lartcekurit duke premtuar se do të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, në Kolegjin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, për uljen e dënimit, sipas Kërkesës për Mbrojtje të ligjshmërisë, për të dënuarin Bashkim Mulolli, si dhe të shtyhet ekzekutimi i dënimit për te njëjtin.

Me këto veprime prokuroria i ngarkon ata se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Tutje, prokuroria i ngarkon Marigonë Berishën dhe Ardian Krasniqi se veç e veç kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Sipas aktit akuzues, e akuzuara Berisha më 16 dhjetor 2019 kishte falsifikuar dokumentin më të cilin ajo pretendonte se në zyrën e noterit Safadin Blakaj i ka paguar Bashkim Mulollit shumën prej 8 mijë e 400 euro dhe dënimet kundërvajtëse në vlerë 600 euro, e që më pas është konstatuar se nënshkrimi i Mulollit në këtë dokument nuk është i tij.

Ndërsa, Ardian Krasniqi po akuzohet se më 19 gusht 2020 kishte falsifikuar testin e COVID-it me të dhënat e Bashkim Mulollit, se kinse ky i fundit kishte rezultuar pozitiv, më të cilin test do t’i mundësohej të njëjtit shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Tutje, aktakuza Lavdim dhe Ardian Krasniqin i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktin akuzues thuhet se dy të akuzuarit Krasniqi, për shkak të obligimeve që kishin ndaj Bashkim Mulollit kishin keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që kishin penguar arrestimin e Albi Mulollit i cili ishte i dyshuarit për kryerjen e vrasjes se rënde në tentative, duke ia mundësuar këtij të fundit arratisjen nga Kosova për në Shqipëri më veturën zyrtare të akuzuarit Lavdim Krasniqi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Lavdim Krasniqi ngarkohet edhe për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje me Flora Dodën, pasi që në cilësinë e personave përgjegjës kishin shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik.

Prokuroria pretendon se në muajin shkurt të vitit 2021, të akuzuarit Krasniqi dhe Doda, kanë predikuar fituesin dhe kanë diskriminuar operatorët e tjerë ekonomik, duke favorizuar operatorët ekonomik (OE) “Graniti Shpk” dhe “Solos Studios“ si dhe përkundër vendimit të Sekretariatit të KPK-së, në fillim të vitit kalendarik, i cili në kuadër planifikimit të prokurimit kontrata e KPK-së ka qenë e lidhur me OE, “Mobeland Shpk”. Të njëjtit kanë porositur dhe pranuar mobile në vlerë prej 9 mijë e 480 euro, e që pas disa ditësh është lidhur kontrata dhe janë zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.

Gjithashtu, Lavdim Krasniqi akuzohet edhe për mosdeklarim të pasurisë, pasi që sipas prokurorisë, i akuzuari Krasniqi më 31 mars 2020 në deklaratën për deklarim të pasurisë nuk ka përfshirë shumën e të hollave prej 40 mijë euro, të cilat i ka pranuar nga Fitim Arifi për shitjen e banesës, si dhe të hollat në shumën prej 10 mijë euro, të cilat ia ka dhënë mikut të tij Alush Zariqi, në emër të blerjes së dy banesave.

Krejt në fund prokuroria e ngarkon Marigonë Berishën edhe për veprën penale ”Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale”, sepse më 16 dhjetor 2019 e ka pranuar një veturë në vlerë prej 25 mijë euro nga Bashkim Mulolli edhe pse ka qenë e vetëdijshme se kjo veturë ishte fituar më vepër penale të shkaktuar nga Lavdim dhe Ardian Krasniqi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat