Jeta e deputetit Ardian Gola mes dy vendbanimeve dhe 1,260 € për udhëtimet e tij

Aktuale

Jeta e deputetit Ardian Gola mes dy vendbanimeve dhe 1,260 € për udhëtimet e tij

Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 19:28
Ardian Gola i pari nga ana e majtë

Fushë Kosova, “vendbanimi konstant” i Ardian Golës, nuk përfshihet në horizontin e vendbanimeve që përfitojnë mbulimin e shpenzimeve të deputetëve për udhëtime. Megjithatë, deputeti i cili ka pranuar 1,260 € për udhëtime vitin e kaluar, hedh poshtë dyshimet për abuzime me kompensimin e tyre. 

Angazhimi i parë politik i Ardian Golës, një deputeti të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që shërben në mandatin e parë si deputet në legjislaturën aktuale, i ka dhënë kahje të tjera jetës së tij.

Në dallim nga periudha e para-angazhimit politik, sociologut të LVV-së që banon në Fushë Kosovë, i ka rënë shumë më shpesh rruga për në Gjakovë, vendlindjen e tij, të cilën e ka raportuar si vendbanim në administratën e kuvendit.

Rrjedhimisht, ligjvënësi është kompensuar në vlerë prej 1,260.00 eurosh për udhëtimet e tij në kuvend, bazuar në listën e shpenzimeve të secilit deputet për udhëtime përgjatë vitit 2021.

Kompensimi i udhëtimeve të Golës nga buxheti i shtetit, është kryer për dhjetë muajt e parë të vitit të kaluar. Nga muaji tetor, 2021, ai ka thënë se është tërhequr nga pranimi i kompensimeve. Për këtë çështje, Paparaci e ka pyetur administratën e kuvendit. Nuk ka pranuar përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.

Por, jo çdo ditë Gola udhëton për në kuvend direkt nga Gjakova. Jeta e Golës ndahet midis dy vendbanimeve.

Përveç Gjakovës, ai thotë se banon edhe në Fushë Kosovë, komunë në të cilën deputeti posedon një banesë, e cila figuron e deklaruar në formularin e tij të pasurisë, dorëzuar pranë Agjencisë Kundër-Korrupsion.

“Ka qenë një fazë e re e jetës sime, ku më është dashur të bëjë riorientime të reja jetësore por që të gjitha keto, po e theksoj, nuk kane pasur të bëjnë asgjë me deklarimin e vendbanimeve të mia, ngase Prishtinën e kam adresë konstante, ndërsa Gjakovën e kam shënuar si adresë për shkak të bazës sime elektorale”, tha Gola në një përgjigje me shkrim të martën.

Raportimin e Gjakovës si vendbanim pranë administratës së kuvendit, ligjvënësi e arsyeton me rritjen e pranisë së tij në vendlindje për shkaqe politike.

“Vendbanimi konstant” i Golës, Fushë Kosova, nuk përfshihet në horizontin e vendbanimeve që parashihet të përfitojnë mbulimin e shpenzimeve të deputetëve për udhëtim, sipas një akti të nxjerrë më 2011 nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Fushë Kosova, ndodhet rreth tetë kilometra larg Prishtinës. Vendimi i kuvendit parasheh kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit, për deputetët që udhëtojnë nga një distancë më e largët sesa 10 kilometra.

Publikimi i shpenzimeve për udhëtimet e deputetëve ndërlidhet me një debat të publik mbi abuzimet e dyshuara të deputetëve me kompensimin e derivateve.

Për ligjvënësin e Lëvizjes Vetëvendosje, dyshimet për abuzime mbi deputetët nuk qëndrojnë. Vendimi i vitit 2011 legjitimon kompensimin e deputetëve për transportin e tyre.

Gola, tha se për periudhën e dhjetë mujore – aq sa pretendon se është kompensuar nga administrata për udhëtimet e tij – ka pasur “udhëtime të shumta në relacionet Gjakovë-Prishtinë dhe anasjelltas”.

“[…] për shkak të komunikimit me bazen elektorale, është jo veç e drejtë ligjore, por edhe legjitime e deputetit. Unë kam konsideru që deri në atë kohë do të jem vazhdimisht në levizje dhe e kam shfrytëzu si një të drejte ligjore dhe legjitime”, vlerësoi Gola.

Para se debati mbi shpenzimet e udhëtimit të ligjvënësve të shpërthente në publik, Gola tha se është tërhequr nga bonuset. Kjo, sipas tij, kishte ndodhur në muajin e dhjetë të vitit të kaluar.

Deputeti nga Gjakova, kërkesën e kishte parashtruar për një arsye.

“Unë kam konsideru që nuk është legjitime që ta shfrytëzoj atë të drejtë edhe e kam ndërprerë [të drejtën e kompensimit, v.j]”, tha ai.

E marta e dytë e shkurtit, dita e publikimit të raportit të shpenzimeve të deputetëve për udhëtime, qëlloi të jetë dita e mbajtjes së seancës së parë të kuvendit për këtë muaj.

Në seancën e së martës, Gola tha se ka parashtruar një kërkesë për avancimin e mirëmbajtjes së evidencave rreth udhëtimeve të deputetëve.

“Qyshdo që të jetë, për ironinë e rastit që po e trajtoni, sot iu propozova zyrtarëve që e mirëmbajnë evidencën e pjesëmarrjes së deputetëve nëpër seanca, që në evidencen ku në nënshkruajmë, me u fut edhe një kolonë ku nënshkruhemi për transport”, shpjegoi ai. “Ata qeshën se e kuptuan si ironi, meqë jemi ende në kontekstin e kësaj temë”.

Sipas deputetit nga Gjakova, derisa nuk sofistikohet sistemi i administratës së kuvendit, një kolonë e tillë parasheh zgjidhjen më efektive të momentin.

“Është e mirëseardhur, sado që do të kishte punë me shumë për administratën”, u shpreh Gola.

Grupi Parlamentar i LVV-së, të martën inicioi kërkesë zyrtare në Kryesinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës për ndryshimin e rregullores për kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit për deputetët.

Njashtu sikurse GP-ja të cilës i takon, edhe deputeti Gola shprehet për ndryshimin e regullores në fuqi por me një modalitet që ruan thelbin e aktit aktual nënligjor.

Ai, tha se do të këmbëngul në ruajtjen e kompensimit të udhëtimeve për deputetët që jetojnë jashtë kryeqytetit.

“Në atë çfarë unë do të jem këmbëngulës, është ruajtja e kompensimit të transportit për deputetët jashtë zonës së Prishtinës, me qëllim të ruajtjes së përfaqësimit sa më të barabartë të vendit në jetën parlamentare, mirëpo duhet të mendohen mirë dhe te racionalizohen kompensimet e pjesëmarrjës nëpër seanca”, deklaroi deputeti.

Në bazë të raportit të shpenzimeve për vitin 2021, për periudhën janar-dhjetor, deputeti i cili shpenzoi më së shumti është Pal Lekaj i AAK-së. Ai ka harxhuar plot 2 mijë e 790 euro.

Pas tij, e dyta renditet deputetja Duda Balje me 2 mijë e 730 euro. E treta deputetja e LVV-së, Yllza Hoti me 2 mijë e 430 euro.

Në total të gjithë deputetët e legjislaturës së tetë kanë shpenzuar 100 mijë e 530 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat