E akuzoi se ishte në dijeni për keqpërdorimin e 35 mijë eurove, Kastrati i kundërpërgjigjet Rahimajt

Aktuale

E akuzoi se ishte në dijeni për keqpërdorimin e 35 mijë eurove, Kastrati i kundërpërgjigjet Rahimajt

Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 23:06
Qëndron Kastrati

Tre zyrtarë komunalë dhe një biznesmen u arrestuan sot në Kamenicë nën dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare lidhur me një tender në vlerë 35 mijë euro për furnizim me dollapë nëpër shkolla.

Lidhur me këtë çështje, kreu i kësaj komune, Kadri Rahimaj, teksa paralajmëroi suspendimin e zyrtarëve, tha se për të është shqetësues fakti që qeverisja e kaluar nuk ka nisur asnjë procedurë, ani pse për rastin në fjalë kanë qenë në dijeni.

Sipas Rahimajt kjo lë bazë dyshimi ndaj ish-kryetarit, Qëndron Kastrati dhe kabinetit të tij.

“Për ne mbetet shqetësuese se si qeverisja e kaluar komunale e udhëhequr nga PSD nuk ka nisur asnjë procedurë për rastin në fjalë edhe pse ka qenë në dijeni të plotë. Kjo për ne nënkupton që ka bazë për dyshim edhe ndaj kabinetit të ish-kryetarit edhe ndaj tij nëse vërtetohet se me vetëdije të plotë është munduar të mbajë në heshtje këtë rast”, tha kryetari i Kamenicës.

Rahimaj ka thënë se këto dyshime i bazojnë në kallëzimin penal në të cilin sipas tij apostrofohen emrat e kabinetit të ish-kryetarit Kastrati.

“Këtë e bazojmë edhe në atë që kemi parë në kallëzimin penal që tre zyrtarët e arrestuar kanë potencuar kur kanë ngritur këtë kallëzim penal ndaj kompanisë në fjalë e me ç’rast apostrofojnë emrat e kabinetit të kryetarit. Ky kallëzim penal është ngritur me datën 01.12.2021”, tha Rahimaj

Për këto akuza të Rahimajt, ka reaguar paraardhësi i tij, Qëndron Kastrati, i cili thotë se angazhimi në funksion të interesit publik është mbiemri i qeverisjes së kaluar në Kamenicë.

Sipas tij, kjo gjë është dëshmuar në secilin hap, në secilin proces, teksa shtoi se njësoj, edhe motivet e projektit të furnizimit me dollapë për nxënësit e Komunës së Kamenicës të tilla ishin.

“Me qëllimin e vetëm shfrytëzimin e financave për avancimin e kushteve të nxënësve të Kamenicës, stafi i komunës ra viktimë e mashtrimit nga ana e një ndërmarrësi i cili kishte premtuar dorëzimin, por nuk e kishte bërë duke u thirrur në çrregullimet e tregut të furnizimeve si pasojë e pandemisë”, shkroi ai në Facebook.

Ai tha se zyrtarët e Komunës së Kamenicës kanë dorëzuar kallëzimin penal vitin e kaluar i cili është i bashkëngjitur më poshtë.

“Përpjekja për të siguruar mallin ka qenë e vazhdueshme dhe e evidentuar. Ky është një gabim procedural nga zyrtarët e arrestuar por i cili u bë me qëllimin e vetëm — të mirën publike. Ata vet e kanë denoncuar rastin. Unë u kam besuar plotësisht dhe vazhdoj t’u besoj. Një vepër penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare kryhet vetëm me dashje të përfitimit a pasurimit personal. Në rastin konkret, dashja e vetme e zyrtarëve të komunës ishte që mjetet të mos përfundojnë si suficit, por të shfrytëzohen për shkollat e Kamenicës”.

Sipas tij, arrestimi i tyre në ditën e kallëzimit penal të bërë nga qeverisja e Vetëvendosjes, pavarësisht se një kallëzim penal për këtë mashtrim ishte bërë muaj më parë nga vet zyrtarët, është qartësisht veprim si pasojë e ndikimit politik.

“Shpifjet dhe manipulimet e Kadri Rahimajt janë të papranueshme dhe dashakëqija të cilat eksploatojnë një fatkeqësi për përfitime politike. Qeverisjen e dobët të Vetëvendosjes nuk e kompenzon përndjekja, damkosja dhe marrja e meritave për një rast që qëllimin e vetëm e ka pasur të mirën publike”, thotë Kastrati.

“Vetëvendosje ka kundërshtuar në çdo hap avancimin e arsimit në Kamenicë për përfitime elektorale. Ata nuk do të mund të realizojnë as pesë përqindëshin e angazhimit tonë. Gabimet ndodhin. Edhe mashtruesit ekzistojnë. Dhe për këto ne kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme. Unë besoj fuqishëm në pafajsinë e tre kolegëve të arrestuar dhe i bëj thirrje gjykatës ta trajtoj këtë rast drejt dhe të mos ndikohet nga politika”, shprehet ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat