Gjykata Speciale vjen me lajmin e fundit për Hashim Thaçin dhe të tjerët

Aktuale

Gjykata Speciale vjen me lajmin e fundit për Hashim Thaçin dhe të tjerët

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 16:39
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi/ Foto ilustrim "Bota sot"

Gjykata Speciale ka caktuar datën 22 shkurt, si datë për seancën e radhës, ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve.

Me anë të një njoftimi për media, Gjykata Speciale ka njoftuar dje se Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e Mbrojtjes për caktimin e seancës në të cilën do të dëgjohen argumentet e palëve mbi çështjet e ngritura në parashtrimin e ZPS-së lidhur me trajtimin e informacioneve konfidenciale dhe kontaktet me dëshmitarët.

Seanca është caktuar për të martën, më 22 shkurt, në orën 14:30.

Kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat