Uliks Emra konfirmon largimin nga posti i ambasadorit të Kosovës në Norvegji

Aktuale

Uliks Emra konfirmon largimin nga posti i ambasadorit të Kosovës në Norvegji

Më: 21 shkurt 2022 Në ora: 23:29
Uliks Emra

Uliks Emra ka konfirmuar largimin nga posti i ambasadorit të Republikës së Kosovës në Norvegji.

Emra, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se do të largohet për t’u kthyer në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Tutje, ai ka thënë se ka qenë krenar duke qenë ambasadori i parë dhe themelues i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Norvegji.

“Vendimi mbi tërheqjen time të parakohshme (të papritur dhe të paargumentuar) nga posti i Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Norvegji, me arsyetimin zyrtar ‘Për nevoja pune në Ministrinë e Punëve të Jashtme’, është i vërtetë”, ka shkruar Emra.

“Në këtë mënyrë konfirmoj që mandati im si Ambasador i Karrierës në Norvegji (pas punës sime të përgjithshme 10-vjeçare në Ministri të Punëve të Jashtme si zëvendësdrejtor i përgjithshëm, pastaj në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kroaci dhe tani në Norvegji) do të përfundoj së shpejti. Tani është koha për t’u kthyer në pozitën time në Ministri të Punëve të Jashtme”.

“Fryma kombëtare dhe shtetërore, me të cilën jam rritur, shkollimi im, por edhe kultura familjare më kanë mësuar që përkundër sfidave, problemeve dhe padrejtësive individuale të shkaktuara nga motivet personale, interesi shtetëror dhe kombëtar duhet vendosur para atij personal”.

“Prandaj, për hir të mbrojtjes së interesit shtetëror dhe relacioneve me shtetin mik të Norvegjisë (për të cilën kam investuar aq shumë) përkundër që ka shumë për të folur, derisa jam në krye të detyrës, kam vendosur që nuk do të prononcohem më tej për këtë çështje”.

“Jam krenar dhe i nderuar që jam pjesë e historisë, duke qenë ambasadori i parë dhe themelues i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Norvegji, duke u vlerësuar për punë të jashtëzakonshme nga bashkatdhetarët e mrekullueshëm dhe institucionet shtetërore, përkundër kohëve të vështira dhe sfidave të shkaktuara nga pandemia”.

“Nderi dhe privilegji im më i madh padyshim ka qenë dhe mbetet njohja me bashkatdhetarët në Norvegji: Njerëz patriotë, atdhetarë, humanistë dhe të gatshëm që të sakrifikojnë çdo gjë për atdhe”.

“Me punë të ndershme, dinjitet dhe shërbim ndaj vendit, ashtu sikurse kam vepruar për 12 vite punë në institucione shtetërore, por edhe aktivitetit dhe veprimtarisë sime gjatë gjithë jetës, e që fatmirësisht ka qenë publik, do të vazhdoj angazhimin tim edhe më fuqishëm se deri më tani”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat