Latifi priti në takim ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grondahl

Aktuale

Latifi priti në takim ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grondahl

Më: 1 mars 2022 Në ora: 16:19
Pamje nga takimi

Ministri i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi ka pritur sot në takim Ambasadorin e Norvegjisë, z. Jens Erik Grondahl, me të cilën biseduan për thellimin e bashkëpunimit të shtetit të Norvegjisë me Republikën e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Shëndetësisë.

Në këtë takim, Ministri Latifi shprehu falënderimin e tij të veçantë për kontributin e dhënë nga shteti i Norvegjisë për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë deri më tani, si dhe për gatishmërinë e për bashkëpunim të mëtutjeshëm në këtë sektor.

Po ashtu, Ministri Latifi e njoftoi Ambasadorin Grondahl, për planet dhe prioritetet e Ministrisë që drejton, me theks të veçantë në ndërtimin e Qendrës së Traumës, krijimin e Qendrës së Stimulimit dhe të Teknologjisë , Qendrën e Ekselencës, Sistemin Informativ Shëndetësor, Sigurimet Shëndetësore, dhe çështje tjera që kanë të bëjnë më përmirësimin e sektorit të shëndetësisë në vend.

Temë tjetër e diskutimit, në këtë takim ishte mbajtja e takimit të përbashkët me të gjithë donatorët ekzistues dhe ata potencialë në fushën e shëndetësisë në Kosovë, ku do të shpalosen planet afatgjate të Ministrisë së Shëndetësisë për transformimin e sektorit shëndetësor.

Theks të veçantë, iu dha edhe bashkëpunimit mes dy shteteve, sidomos atij ndërkombëtar, sidomos sa i përket kapaciteteve hulumtuese shkencore. Në këtë takim, u diskutua edhe për situatën epidemiologjike në vend dhe përmirësimit të saj, por u theksua nevoja që vaksinimi të vazhdojë si rruga më efektive për t’u mbrojtur kundër Covid-19.

Ndërkaq, Ambasadori i Norvegjisë, z. Jens Erik Grondahl e njoftoj Ministrin Latifi për kontributin dhe bashkëpunimin që shteti i Norvegjisë ka dhënë për sektorin e shëndetësisë e Kosovës, për projektet për të ardhmen dhe për konferencën e donatorëve, që do të mbahet së shpejti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat