​Presidenti kroat propozon dhënien e statusit të kandidatit për Kosovën në BE

Aktuale

​Presidenti kroat propozon dhënien e statusit të kandidatit për Kosovën në BE

Më: 1 mars 2022 Në ora: 21:09
Presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviq

Presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviq ka propozuar sot që Kosovës t’i jepet statusi i kandidatit për hyrje në BE.

Milanoviq ka thënë se duhet bërë gjithçka për të parandaluar përhapjen e krizës në Ballkanin Perëndimor dhe për të shmangur çdo kërcënim të mundshëm.

“Është në interesin strategjik dhe kombëtar të Kroacisë që vendet e Evropës Juglindore, të cilat kanë deklaruar dhe dëshmuar synimin dhe gatishmërinë e tyre për t'u anëtarësuar në BE, të bëhen sa më shpejt anëtarë të Bashkimit Evropian. Prandaj, presidenti Milanoviq u ka propozuar iniciatorëve të letrës së hapur që statusi i kandidatit për pranim në BE të kërkohet për Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën dhe që BE-ja, pas premtimeve të përsëritura, menjëherë të nisë negociatat për pranim me Maqedoninë dhe Shqipërinë, që tashmë kanë statusin e kandidatit. Po ashtu, negociatat me Malin e Zi duhet të shpejtohen”, thuhet në komunikatën për media të Presidencës kroate.

Ndërsa sa i përket Serbisë, Milanoviq ka thënë se në këtë moment të rëndësishëm për paqen evropiane, ai vend duhet të vendosë nëse dëshiron anëtarësimin real në BE apo jo dhe të ndjekë politikën e tij në përputhje me rrethanat.

“BE-ja duhet ta bëjë të ditur se ky është momenti i vendimit”, ka thënë Milanoviq.

Ai njëherësh ka thënë se Ukrainës duhet t'i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE sa më shpejt të jetë e mundur.

“Ukraina është e ekspozuar ndaj agresionit të Federatës Ruse dhe ne të gjithë duhet t'i ofrojmë të gjithë ndihmën e nevojshme, siç do të prisnim, dhe të na ndihmonte të jemi në të njëjtën situatë. Kroacia nuk harron se Ukraina ishte vendi i parë i njohur ndërkombëtarisht që na njohu dhe se ishte ndër të parët që na erdhi në ndihmë. Lufta po ndodh në Evropë dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndaluar dhe për të shmangur përhapjen e saj. Rruga e përshpejtuar e Ukrainës drejt BE-së është një nga mënyrat dhe ne e mbështesim këtë”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat