KQZ vendos sot për përjashtimin e institucioneve zgjedhore të Rusisë dhe Bjellorusisë nga ACEEEO

Aktuale

KQZ vendos sot për përjashtimin e institucioneve zgjedhore të Rusisë dhe Bjellorusisë nga ACEEEO

Më: 8 mars 2022 Në ora: 10:35
KQZ

Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhje ku në rend të ditës është një pikë e vetme: Shqyrtimi për votimin e përjashtimit të institucioneve zgjedhore të Rusisë dhe Bjellorusisë nga Asociacioni i Zyrtarëve Zgjedhorë Europian (ACEEEO).

Lajmi bëhet i ditur nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka njoftuar se mbledhja e këtij institucioni do të mbahet në orën 13:30.

Më tej, Elezi ka shpjeguar për kp se ACEEEO është e themeluar në fillim të viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar, pas rënies së komunizmit, me qëllimin e qartë për të forcuar institucionet zgjedhore demokratike.

“Sot, ACEEEO ekziston për të promovuar procese dhe procedura të shëndosha demokratike mes anëtarëve të saj dhe të tjerëve të përfshirë në procesin zgjedhor”, tha Elezi.

“ACEEEO përbëhet nga anëtarët institucionalë, të cilët janë institucione që merren me menaxhimin e zgjedhjeve dhe referendumeve. Aktualisht, ACEEEO ka 25 anëtarë institucionalë, pra 25 shtete të ndryshme, ku bënë pjesë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës, i cili është anëtarësuar me të drejta të plota në shtator të vitit 2016”, shpjegoi Elezi.

Përveç KQZ-së së Kosovës, anëtarët aktual institucionalë të ACEEEO-s janë Trupat e Menaxhimit të Zgjedhjeve nga këto shtete: Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Gjeorgjia, Hungaria, Kazakistani, Kirgistani, Letonia, Lituania, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Federata Ruse, Ukraina, Sllovakia, Sllovenia, Turqia dhe Serbia. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat