Një dron bie në lagjen Bair të Mitrovicës, dyshohet se është ushtarak

Aktuale

Një dron bie në lagjen Bair të Mitrovicës, dyshohet se është ushtarak

Më: 23 mars 2022 Në ora: 15:58 Përditësuar në ora: 18:32 më 23.03.2022
Pamje nga vendi i ngjarjes

Flasin nga KFOR-i për dronin e rrëzuar në Mitrovicë

Misioni i KFOR’it në Kosovë në një deklaratë ka konfirmuar se droni i rrëzuar në oborrin e lagjes Bair të Mitrovicës është i tyre.

‘’Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja konfirmon se një nga dronët e tij u ul në një kopsht privat në zonën e Mitrovicës, si pasojë e mosfunksionimit. Droni nuk ka shkaktuar lëndime në njerëz apo dëme materiale dhe është nxjerrë nga Forca Policore e Kosovës menjëherë pas uljes së tij”, thuhet në deklaratën e tyre.

Tutje KFOR ka treguar se çfarë misioni po realizonin me dronin në fjalë.

”Droni po kryente një mision rutinë monitorimi në mbështetje të aktiviteteve të KFOR-it, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, duke e mandatuar KFOR-in të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

”KFOR-i dëshiron të falënderojë popullatën lokale për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin; dhe për kontaktimin e menjëhershëm të autoriteteve kosovare, duke bërë të mundur marrjen e menjëhershme të dronit dhe zbutjen e çdo shqetësimi të shkaktuar nga incidenti. KFOR-i tashmë ka filluar një hetim për të përcaktuar shkakun e këtij incidenti.”, thuhet nga KFOR.

Bie një dron në oborrin e një shtëpie në Mitrovicë

Një dron që dyshohet të jetë ushtarak dhe me gjerësi mbi tre metra, ka rënë në oborrin e një shtëpie në lagjen “Bair” të Mitrovicës, por për fat të mirë nuk ka të lënduar në njerëz.

Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 14:30, ndërsa mësohet se njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe e kanë larguar dronin.

Abdyl Sylejmani, djali i vëllait të pronarit të shtëpisë, ka bërë të ditur se në shtëpinë ku ka rënë droni, nuk jeton askush, pasi axha i tij me familje ndodhet në perëndim. Sipas tij, droni nuk ka qenë sikurse dronët tjerë, por është dukur ushtarak.

Sylejmani: Gjerësia e dronit është tri metra e gjysmë

"Kam qenë duke punuar dhe kam dëgjuar zhurmë të madhe. Kam dalë të shoh çka ka ndodhur... Kam ardhur tek oborri i axhës, kam hyrë brenda dhe kam pa dronin. Nuk ka qenë sikurse dronët tjerë... Është dukur si një lloj droni ushtarak.. I madh ka qenë, gjerësia e krahëve ka qenë tri metra e gjysmë, ka qenë me parashutë. Parashuta ka goditur ballkonin dhe ka ra, ndërsa zhurma ka vazhduar dhe droni sikur provonte të çohej lart sërish. Ka pas edhe një bateri të cilën ia kemi hequr, sepse jemi frikësuar dhe kemi lajmëruar policinë.. Ai dron civil nuk mund të jetë, ai është dron ushtarak", ka thënë Sylejmani.

Flasin nga Aviacioni Civil i Kosovës për dronin në lagjen “Bair”

Një dron është raportuar se ka rënë në lagjen “Bair” të Mitrovicës.

Driton Ujkani nga Aviacioni Civil i Kosovës e ka konfirmuar se kishte leje për qarkullim të dronit në atë zonë.

“Po, kanë pas leje me operu në atë pjesë të qytetit”, tha Ujkani.

Mirëpo, ai nuk dha detaje se kujt i është dhënë leje për të operuar me dronë.

Policia e Kosovës, ende nuk është deklaruar lidhur me këtë rast.

Sipas rregullores për sistemet e mjeteve ajrore pa pilot, operimi i dronëve lejohet vetëm me leje të veçantë të lëshuar nga AAC-ja.

Duke u bazuar në rregullore, pronari i dronit duhet të aplikoj për operim 72 orë paraprakisht.

Largohet droni që ra sot në lagjen Bair të Mitrovicës

Droni i cili ra sot pa asnjë shenjë identifikuese në oborrin e një shtëpie në lagjen Bair të Mitrovicës, ka madhësi rreth 2 metrash.

Fluturakja siç merret vesh, tashmë është larguar nga zona në të cilën ra, dhe është marrë nga autoritetet e Policisë së Kosovës.

Rënia e dronit në Mitrovicë, flet dëshmitari

Banori i shtëpisë ku ka rënë droni ka treguar se si ai fillimisht kishte rënë në ballkonin e shtëpisë e më pas në tokë.

Sipas tij, në momentin kur ka rënë ai ka bërë zhurmë dhe se ka qenë i pajisur me kamerë.

Qytetari tregon se si vet ia kanë hequr baterinë.

“Këtu ka rënë në ballkon dhe nga ballkoni ka rënë këtu në tokë. Do krahë e do sene iu kanë çmontu. Na e kemi kap, e kemi prek me dorë, e kemi kontrolluar. I ka pas do letra dhe i kanë shkruar do numra, por nuk ka pasur një flamur ose diçka tjetër”, ka thënë ai.

Ai tregoi se si droni ishte i gjatë rreth 3 metra e gjysmë.

"Krahët i ka pas tri metra, 3.5 dhe një metër ka qenë gati i gjerë. E ka pas një zhurmë. Ka qenë me kamera me krejt, me parashutë ka qenë. punojke. Tani na e kemi kap në dorë dhe e ka pasur një zhurmë si me dasht me u nis, por e kemi kap dhe ja kemi heq baterinë edhe u ndal. Po vet ja kena heq se zhurme jena tutu prej tij”, ka thënë ai.

Sipas gazetarit, droni është tërhequr nga Policia e Kosovës.

E këta të fundit ende nuk e kanë konfirmuar këtë rast.

Droni në oborrin e një shtëpie në Mitrovicë, flet kryetari Hamza

Një dron ka rënë sot në oborrin e një shtëpie në Komunën e Mitrovicës. Deri tash, Policia ende s’është deklaruar për rastin.

Media ka kontaktuar me kryetarin e komunës, Bedri Hamzën, për të marrë informacione rreth këtij rasti.

Por i njëjti ka thënë se s’është informuar.

“Nuk e di. Pyeteni Policinë. Ata janë përgjegjës”, ka thënë Hamza.

Blindohet lagjia e Mitrovicës pasi ra një dron mbi 2 metra

Policia e Kosovës ka izoluar lagjen Bair të Mitrovicës pasi një dron mbi 2 metra është rrëzuar në oborrin e një banori të kësaj lagje.

Sipas dëshmitarëve droni dyshohet se është ushtarak.

Ekipet e Policicë janë në vendin e ngjarjes dhe po merren me hetimin e rastit.

Media ka provuar të marr konfirmimin nga policia por nuk kanë qenë të qasshëm.

Kujtojmë se ditë më parë, në kryeqytetin kroat, në Zagreb, kishte rënë një dron i ngjashem, i cili ishte prodhim sovjetik.

Ndërsa, ministri kroat i Mbrojtjes, Mario Banozhi, pati konfirmuar se mbetjet e një bombe ajrore të përdorur në avionët e prodhimit sovjetik janë gjetur në mbetjet e dronit që u rrëzua në Zagreb.

Droni i madh që u rrëzua në Mitrovicë, dyshohet të jetë ushtarak

Media është njoftuar përmes një burimi anonim (që ishte dëshmitar në vend të ngjarjes) se një dron i madh, që dyshohet të jetë ushtarak ose policor, është rrëzuar në oborrin e shtëpisë së një shqiptari në Mitrovicë.

Ky dron nuk kishte asnjë mbishkrim që ishte i pajisur me një kamerë të madhe e të sofistikuar vëzhguese, dhe e cila përdoret për survejim/mbikëqyrje.

Burimi u shpreh se ishte njoftuar Policia e Kosovës dhe e cila kishte mbërritur në vendngjarje më pas.

Droni kishte pësuar një aksident në ajër, por kishte mbetur funksional edhe pak kohë pasi kishte rënë. Kjo ngjarje kishte ndodhur rreth orësh 14:00.

“Edhe pasi ka rënë në tokë, ai provoi të ngritej lart,” – tha ai.

Ditë më parë, një dron i ngjashëm si ky që ka rënë në Mitrovicë ishte rrëzuar edhe në Zagreb të Kroacisë. Ai po fluturonte nga zonat e luftës në Ukrainë.

Droni i rrëzuar në Kroaci ishte i prodhimit sovjetik, dhe kishte fluturuar përmes Rumanisë dhe Hungarisë para se të hynte në Kroaci.

(15:56)

Një dron me një madhësi rreth 2 metrash, ka rënë në oborrin e një shtëpie në lagjen Bair të Mitrovicës.

Droni ra pas asnjë shenjë identifikuese.

Burimet e medias bëjnë të ditur se zona është bllokuar nga Policia e Kosovës dhe deminuesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat