​70 % të kandidatëve nuk kaluar testin për policë, dyshohet se ndikoi sistemi kompjuterik

Aktuale

​70 % të kandidatëve nuk kaluar testin për policë, dyshohet se ndikoi sistemi kompjuterik

Më: 27 mars 2022 Në ora: 13:47
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka shpallur listën e rezultateve të testit me shkrim të kandidatëve për zyrtarë policorë, por krahasuar me numrin e atyre që iu nënshtruan testit online, janë pak ata që e kaluan.

Policia e Kosovës për herë të parë ka aplikuar metodën online të testimit të kandidatëve për zyrtarë policorë, ku nga gjithsej rreth 11 mijë të rijnë sa kishin aplikuar, vetëm 1 mijë e 447 persona e kanë kaluar fazën e parë me shkrim.

E fajtorë për krejt këtë rezultat, po thuhet se është testimi online, i cili u aplikua për herë të parë në këtë proces.

Kryetari i komisionit për siguri, Bekë Berisha thotë për KosovaPress, se do t’i propozojë Qeverisë që të përsëris edhe një rekrutim.

Berisha: E vetmja formë është rekrutimi

“Për të dështuar si proces është problem sepse ata që kanë fituar në këtë proces, kanë mundësi të ankohen, pra nuk mundemi të shkojmë ashtu. Të ulim kriteret nuk bënë ligjërisht, e vetmja formë është dhe do t’i kisha propozuar Qeverisë, që të përsërit edhe një rekrutim dhe testimi të mos bëhet më në formë kompjuterike, sepse ka dështuar ai sistem, ka rënë shpesh herë, edhe pyetjet janë më të lehta për kandidatët”, tha Berisha.

Berisha shton se ka pranuar ankesa të shumta pavarësisht asaj që ky është testi i parë, ndërsa problemi se pse ky test po cilësohet si testi më i dështuar që nga themelimi i këtij institucioni të sigurisë, po del të jenë problemet me sistemin kompjuterik dhe se ka pasur pyetje të vështira.

Berisha: Ka pasur ankesa për vonim në testim

“Unë kam pranuar shumë ankesa nga kandidatët, ky është vetëm testi i parë, do të thotë aty do të reduktohet numri i atyre që e kanë kaluar testin edhe më tutje sepse do të ketë testime edhe të tjera, dhe e kam ngritur si çështje. Ka pasur ankesa për vonesa në testim, që sistemi kompjuterik ka rënë disa herë, pritjet kanë qenë të gjata, pyetjet kanë qenë të vështira. Andaj e kam treguar si një problem apo shqetësim të atyre kandidatëve”, tha Berisha.

Ndërsa njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi, për KosovaPress, tha se ankesat nga kandidatët të cilët iu janë nënshtruar testit janë me arsye, dhe se sipas tij pavarësisht kohës që mund të merr ky progres, është mirë të rishikohet testi.

Ibishi: Duhet të rishikohet testi

“Pasi është rasti i parë, duhet të rishikohet mundësia të vlerësohet. Krejt këto ankesa që janë marrë e kanë një arsye të vetën, pra vetë numri i të rënëve në provim gjithësisht atyre që janë diskualifikuar për testime të mëtejme, tregon që është mirë të rishikojmë një mundësi eventuale të rishikimit të saj, edhe pse kjo tash merr kohë për arsye se kjo është krejt në progres, pra çështja e testimeve me shkrim dhe njohurive me shkrim por edhe atyre që pasojnë testimeve fizike. Kështu që duhet realisht ata që kanë vërejte të shtrojnë ankesa dhe të presin procedurën e mëtejme të shqyrtimit”, tha Ibishi.

Ibishi theksoi që përmbajtja e testit nuk ka ndryshuar esencialisht, pasi që është formuluar në njohuri të përgjithshme, megjithatë problem po del të kenë qenë vonesat dhe pengesat teknike që janë hasur gjatë testimit.

Ibishi: Qasja e testit me sistem kompjuterik ka ndryshuar rezultatin e të testuarve

“Si do që të jetë përmbajtja e testit nuk ka ndryshuar esencialisht sa kam unë njohuri, pasi që është bërë nga njohuri të përgjithshme dhe specifike. Pra, çështja është vetëm në aspektin teknik i qasjes në plotësimin e testit. Ajo ka qenë metodë me laps, ndërsa kjo është përmes sistemit me kompjuter. Ndoshta krejt kjo qasje ka ndryshuar pak edhe rezultatin edhe kjo ka bërë që një numër i madh gjithësisht të bie në testin e parë të njohurive” tha Ibishi.

Sipas Policisë së Kosovës, numri i ankesave lidhur me testin për zyrtarë policorë, nuk është edhe aq i madh.

Policia nëpërmjet një përgjigje me shkrim i ka thënë KosovaPress-it, se numri i ankesave të pranuara nga kandidatët është 183.

“Pas publikimit të rezultatit të testit me shkrim me datë 16.03.2022, afati i ankesave ka qenë 5 dite kalendarike pas shpalljes se rezultateve dhe gjatë kësaj periudhe numri i ankesave të pranuara nga kandidatët ka qenë 183. Secila ankesë e pranuar nga kandidatët, e njëjta është shqyrtuar nga komisioni përzgjedhës dhe është marrë vendim për secilën ankesë. Lista meritore e pritjes është 2 vite aktive dhe bazuar në nevojat e Policisë së Kosovës, bëhet plotësim i numrit të nevojshëm nga lista e rangut sipas meritës. Në testin me shkrim për zyrtar policorë kanë marr pjesë 8510 kandidatë, ku prej tyre 1447 kanë kaluar testimin ndërsa të tjerët nuk kanë arritur pragun e kalueshmërisë prej 70%. Sipas planifikimeve dhe procedurave pritet të vazhdohet me fazat tjera të testimeve të cilat po ashtu do të bëhen publike dhe transparente”, thuhet në përgjigjen elektronike të Policisë.

Ndryshe, testimi i shkathtësisë fizike fillon nga data 28 mars deri më 30 mars 2022./

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat