Përplasje mes ministrit Murati dhe deputetëve të LDK-së në Kuvend – opozita lëshon sallën

Aktuale

Përplasje mes ministrit Murati dhe deputetëve të LDK-së në Kuvend – opozita lëshon sallën

Më: 28 mars 2022 Në ora: 07:18 Përditësuar në ora: 13:25 më 28.03.2022
Kuvendi i Kosovës

​Opozita lëshon sallën pas dështimit të formimit të komisionit hetimor për krizën energjetike

Tri partitë opozitare, PDK, LDK, AAK kanë kritikuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje për mos votimin e formimit të komisionit hetimor për krizën energjetike. Të njëjtat lëshuan sallën në shenj proteste ndaj mazhorancës.

Megjithatë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se do të vazhdojnë përmes mbledhjes së 40 nënshkrimeve për të formuar komisionin hetimor parlamentar.

Tahiri: Do të formojmë komisionin hetimor përmes mbledhjes së 40 nënshkrimeve

“Në historinë tonë parlamentare është hera e parë që me voton refuzohet një komision parlamentar, nuk ka ndodhur asnjëherë që deputetët të refuzojnë të hidhet dritë për zhvillimet, keqpërdorimet për një çështje të caktuar që sot GP kishte ngritur për energjinë elektrike...Kjo çështje nuk do të mbyllet sot këtu, ne kemi mundësi të tjera parlamentare që të procedojmë formimin e një komisioni hetimor parlamentar me 40 nënshkrime, pa pasur nevojë të vije ne Kuvend”, tha ai.

Në linjë të njëjtë u shpreh edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Gashi: Komisioni do të formohet

“Komisioni ka me u formu, i mbledhim 40 nënshkrime dhe është obligim, nëse doni dërgoni emrat ose mos i dërgoni. Komisioni e bënë punën, kot e keni me bërë këso improvizime”, tha ai.

Kritik u shpreh edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Tahiri: Pse qeveria po frikësohet me zbardh të vërteten

“Nuk po mundem me kuptu pse po frikësohet qeveria për me zbardh të vërteten”, theksoi ai.

​Nuk votohet komisioni hetimor për situatën energjetike, opozita e sheh të nevojshëm këtë komision

Me 23 vota për dhe 50 kundër, Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi themelimin e komisionit për hetimin e situatës me energji elektrike nga Qeveria e Kosovës. Krijimin e këtij komisioni e ka propozuar PDK dhe mori mbështetje edhe nga partitë tjera opozitare. Ndërsa, ende pa u hedhur në votim nga mazhoranca deklaruan se do ofrojnë transparencë.

Seancën menjëherë e kanë lëshuar deputetët e PDK-së.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh se krijimi i këtij Komisioni Parlamentar Hetimor është i rëndësishëm dhe do të kryej punë të jashtëzakonshme.

Tahiri: Komisioni hetimor është i nevojshëm

“Konsiderojmë që kjo periudhë është shoqëruar me disa parregullsi duke filluar nga ngritja e çmimit të cilin ne veçse e kemi dërguar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pastaj edhe çështja e procedurës së blerjes së energjisë elektrike dhe shumë çështje që besoj që do t’i ngrisë ky komision hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike. Ne konsiderojmë se ngritja e këtij komisioni është tejet e nevojshme dhe pa dashur të ngrisë debat për këtë çështje ne si grup parlamentar besojmë që ky komision hetimor ka një punë jashtëzakonisht të madhe”, theksoi ai.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila u shpreh se për supozimet e opozitës, mbetet komisionit t’i hetojë, ndërsa shtoi se Qeveria do të ofrojë transparencë lidhur me situatën energjetike.

Kusari-Lila: Qeveria do jetë transparente

“Kryetari i grupit parlamentar të PDK tha pa dashur me bë debat por në fakt bëri konkluza të cilat se janë punë e komisionit hetimor parlamentar e nuk janë tashmë të paragjykohen se çfarë do jenë gjetjet e komisionit hetimor parlamentar si mekanizëm i Kuvendit, për ngritjen e çmimit tha se duhet të hidhet dritë, dritë besoj që dihet se pse është rritur çmimi jo vetëm tek ne po në gjithë botën edhe procese të tjera të cilat ne natyrisht qëndrojmë të hapur dhe besoj që Qeveria ashtu siç ka qenë deri më tani me transparencë me të gjithë mekanizma tjetër përfshirë edhe Agjencisë që i raportojnë Kuvendit sipas detyrës zyrtare do të jenë këtu për të dhënë sqarimet e nevojshme”, theksoi ajo.

Të rëndësishëm e ka konsideruar krijimin e këtij Komisioni Hetimor Parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Gashi: Grupi parlamentar i LDK konsideron të rëndësishëm një proces hetimor

“Grupi parlamentar i LDK konsideron të rëndësishëm një proces hetimi lidhur me procesin e shtrenjtimit të energjisë elektrike pra një proces hetimor parlamentar ku do të hetohen të gjitha institucionet puna e tyre duke filluar nga ZRRE veprimi dhe mos veprimi i tij me kohë, deklarimet e ZRRE-së rreth shtatorit të vitit të kaluar se Kosova nuk do të ketë krizë me energjike elektrike dhe nuk ka nevojë për panik dhe nuk ka nevojë për asnjë masë tjetër, pastaj thellimi i krizës deri në atë masë sa që Kosova deri më pak se 1 muaj humb qindra milionë euro duke blerë energji elektrike në tregun e lirë të energjisë elektrike…Besoj që komisioni përkatës do i shtroj do të gjej përgjigjen e duhur dhe nga gjetjet e këtij komisioni institucionet e duhura do të marrin vendimet e tyre”, theksoi ai.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh se ky Komisioni Hetimor duhet të trajtojë 5 çështje të rëndësishme që lidhen me këtë krizë.

Tahiri: Për ne janë të rëndësishme 5 çështje

“Themelimi i këtij grupi që do bëjë një hetim parlamentar dhe për ne janë të rëndësishme 5 çështje të trajtohen në thelb pagesën e rrymës në veri të Kosovës të dihet saktësisht se sa është shuma a është 40 milionë siç po thuhet a është më pak apo është më shumë, e dyta ka të bëjë me një organ tonë të Kuvendit të Kosovës, një organ të pavarur rolin e ZRRE-së në raport me ndikimin politik dhe sinkronizimin që ky institucion e ka pasur me Qeverinë në përcaktimin e tarifave të cilat kanë ngritur çmimin e energjisë mbi supet e qytetarëve privat dhe duke mos rritur tek sektori privat. E treta ka të bëjë me komunikimin që ka bërë KEDS me Qeverinë letrat që ka zotëri Murati dhe kryeministri duhet t’i deponoj tek ky grup prej korrikut apo gushtit, prej kur kanë marrë informacione se po hyjmë në krizë e reagimi ka qenë tepër i vonshëm. Pika e katërt lidhet me gjendjen emergjente”, theksoi ai.

​Murati: Kosova ka menaxhuar më së miri në rajon krizën energjetike

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se Kosova ka menaxhuar më së miri në rajon krizën energjetike.

Në seancën e Kuvendit, Murati e pa të paarsyeshme formimin e një komisioni hetimor për menaxhimin e krizës energjetike nga ekzekutivi.

Murati: Kosova ka menaxhuar më së miri në rajon krizën energjetike

“Deri më tani krahasuar me vendet e regjionit e kemi menaxhuar më së miri, për këtë ka mbështetje edhe në numra. Shpesh herë në Kuvend janë marrë shembull vendet e rajonit se si po menaxhohet, por më lejoni vetëm të përmend disa. Në rastin e Shqipërisë, jo për shkak të mos kompetencës së qeverisë, edhe atje qeveria ka pasur vështirësi, por për shkak të mungesës së prodhimit vendor shteti shqiptar ka shpenzuar deri më tani 324 milionë euro në import, pasi është e pamundur, kur s’ke si e mbulon me kapacitet vendor patjetër se duhet të mbështetet importi. Në anën tjetër edhe Maqedonia e Veriut njësoj, mbi 100 milionë euro ka shpenzuar deri më tani, përveç dy rritjeve të çmimeve. Rritjen e parë e kanë mbështet duke reduktuar TVSh-në. Kurse tek ne deri tani janë ndarë me vendime të qeverisë 30 milionë dhe janë zotuar edhe 90 milionë euro të tjera. Mund të themi me konferencën më të madhe se Kosova e ka menaxhuar më së miri në rajon, përkundër faktit se kemi një sistem tjetër ku operatori i shpërndarjes është privat”, tha ai

​Tahiri: Nuk është ngulur asnjë gozhdë në rrugën Prishtinë-Podujevë

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka adresuar kritika ndaj Qeverisë Kurti për vonesat në përfundimin e magjistrales Prishtinë-Podujevë.

Ai ka thënë se prej premtimeve të fushatës zgjedhore në zgjedhjet lokale nuk është ngulur asnjë gozhdë në atë rrugë.

Tahiri ironizoi edhe me kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai shkonte shpesh në Podujevë gjatë zgjedhjeve.

Tahiri: Asnjë baski nuk është ngulur në rrugën Prishtinë-Podujevë

“Tash është muaji i katërt, respektivisht muaji i gjashtë prej kur kanë premtuar në fushatë zgjedhore nuk e kanë qit asnjë guri dhe baski në atë rrugë. Derisa, kryeministri Kurti vijke rregullisht në Podujevë dhe bojke be ‘pasha Kuranin krejt këna me ndreq Podujevën’. Pyetja është a ka qenë premtim elektoral për me marrë do vota në Podujevë, apo me të vërtet po zotoheni të përfundonin atë rrugë”, tha ai.

​Deputeti i LVV-së: Ata që janë prekur nga rritja e energjisë është më e vogël seç është menduar

Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka bërë të ditur se në bazë të dhënave të para, shkalla e amvisërisë dhe atyre që janë prekur nga rritja e energjisë është më e vogël seç është menduar.

Muja: Shkalla e amvisërive dhe atyre që janë prekur nga rritja e energjisë është më e vogël seç është menduar

“Nga të dhënat e para, shkalla e amvisërive dhe atyre që janë prekur nga rritja e energjisë është më e vogël seç është menduar. Ardhja e pranverës e ulë konsumin e energjisë dhe uljes së energjisë së importuar”, tha ai.

Në seancën e sotme plenare, Muja, kërkoi edhe riorientim të zinxhirin të furnizimit të grurit të importuar

Muja: riorientim të zingjirit të furnizimit të grurit të importuar

“Kërkojmë riorientim të përpjekjeve për të riorientuar zinxhirin e furnizimit të grurit të importuar. Varësia e importit të grurit nga Rusia dhe Ukraina e instaluar në dekadën e fundit duhet të ri mendohet si për arsye ekonomike, ashtu edhe për arsye gjeopolitike. Është momenti i duhur që gjithë akterët të shfrytëzojnë kanale të reja të furnizimit nga ShBA dhe BE, neto eksportues të grurit dhe ushqimit”, tha ai.

​Murati përplaset me deputetët e LDK-së: Keni lënë miliona euro borxhe

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është përplasur me deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK) në seancën e sotme plenare.

Murati ka akuzuar ish qeverinë Hoti se ka lënë 40 milionë euro borxh në bujqësi, 180 milionë euro për shpronësime dhe 110 milionë euro borxh për trustin.

Murati: Ish qeveria Hoti ka lënë miliona euro borxhe

“Për ekonomi nëse doni mund të bëjmë një debat edhe mund t’iu shpjegoj në detaje se si funksionon çmimet, deficiti buxhetor dhe buxheti. Por të hyrat shtesë sapo e shpjegova se ku kanë shkuar, madje një pjesë e madhe e tyre është dashur të paguhen faturat që i keni lanë dhe kemi plotë fatura të papaguara. S’osht çështje e prokurorisë, është faturë që e ke lënë pa pagu dhe është borxh. Keni lënë 40 milionë euro në bujqësi, 180 milionë për shpronësime, miliona tjera borxhe dhe 110 milionë euro borxhe për Trustin”, tha ai.

Ai foli edhe projektet në energjinë, ku përsëriti se fondet e MCC-së nuk kanë humbur, derisa adresoi kritika edhe për tregtarët për manipulime me çmime.

Murati: Nuk mund të thuhet se Qeveria Kurti nuk po bënë asgjë për energjinë

“Nuk mund të thuhet se nuk po bëni asgjë për energjinë, kur në fakt projekti alternativ ka qenë i paraparë tek pas 10 vjetësh, e që po ashtu është ende opsion, vetëm kemi vendos që t’i shtetëzojmë mjetet që janë të parapara tani. U përmend edhe subvencionim i energjisë elektrike, i cili është bërë sepse për bizneset përbënë kosto që i pastaj i bartet konsumatorit. Pra në mënyrë që mos të kemi një presion shtesë inflacionit, si arsyetim për rritje të çmimit kemi dashur të mbulojmë amvisëritë, bizneset dhe prodhuesit. Por po më vjen mirë që në këtë kuvend më fund po pranohet se ka pasur manipulime edhe nga tregtarët. Po më vjen mirë që deputetët e opozitës po pranohet se ka pasur manipulime edhe nga tregtarët, pasi deri më sot sulmin e vetëm e kanë pasur vetëm ndaj qeverisë”, tha ai.

​Hoxhaj: Më e rëndësishme se vazhdimi i dialogut teknik është anëtarësimi në NATO

Deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është më i rëndësishëm se vazhdimi i dialogut teknik.

Në seancën e sotme plenare. Hoxhaj tha se për shkak të agresionit rus në Ukrainë, njohja e ndërsjellët me Serbinë është e largët, prandaj duhet orientim dhe angazhim për anëtarësim në NATO.

Hoxhaj: Më e rëndësishme se vazhdimi i dialogut teknik është anëtarësimi në NATO

“Duhet t’i rishqyrtojmë pritjet konkrete që mund t’i ketë Republika e Kosovës. Çfarë po dua të them është se qeveria duhet ta dinë se nuk ka një Bruksel por dy Bruksela. Më e rëndësishme se të vazhdohet dialogu teknik më e rëndësishme është të vazhdohet anëtarësimi i Kosovës në NATO. Dua të ftojë qeverinë e Kosovës që sa më shpejt të vizitojë NATO-në dhe të sheh cilat janë pritjet konkrete të Kosovës për anëtarësim në NATO. Unë jam i vetëdijshme se anëtarësimi nuk mund të ndodh brenda muajsh, pro aplikimi për partneritet për paqe do të mund të bëhej dhe përmbushej brenda një kohe të shkurtër”, tha ai.

​Haradinaj: Nuk është koha të fillohen edhe një herë diskutimet se kush është veteran i vërtet apo jo

Deputeti njëherësh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot në Kuvend se nuk është koha të fillohen edhe një herë diskutimet se kush është veteran i vërtet apo jo.

Ai tha se për një gjë të tillë ka pasur proces gjyqësor dhe tash është koha t’i respektojnë dhe nderojnë të gjithë ata.

Haradinaj: Nuk është koha të fillohen diskutimet se kush është veteran i vërtet apo jo

‘Nuk e meritojnë ofendimin që bash në këtë kohë me fillu edhe një herë diskutimet se kush është veteran i vërtet apo jo. Kush është luftëtar i vërtet apo jo. Nuk është koha e tillë, ka pas edhe një proces gjyqësor dhe tash është koha kur duhet t’i respektojmë dhe nderojmë ata”, tha ai.

LDK kërkon pako të re ekonomike, paraqet tri propozime ndaj Qeverisë Kurti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i ka paraqitur tri propozime Qeverisë Kurti për krizën ekonomike që po ballafaqohet vendi. Ai në seancën e sotme plenare tha se ekzekutivi duhet të miratojë një pako të re ekonomike.

Ai tha se masa e parë është indeksimi i gjitha skemave pensionale dhe sociale, subvencionimi i bujqësisë dhe ngritja e pagës minimale.

Hoti: Këto tri propozime qeveria duhet t’i ndërmerr

“Ne kemi tri propozime për konsiderim nga ana e qeverisë. Masa e parë dhe menjëhershme është të bëhet indeksimi i gjitha skemave pensionale dhe ndihmave sociale vetëm për normë ne inflacionit vetëm për të ruajtur fuqinë blerëse të pensioneve dhe ndihmave sociale të pandryshueshme, së paku për të mbulu rritjen e çmimeve të produkteve bazike. Kjo masë i prek gjithë qytetarët mbi moshën 65 vjeçare dhe të tjerë që përfitojnë nga skemat e ndryshme të mbështetjes sociale. Masa e dytë është subvencionet në bujqësi, unë e kam ngritur edhe një herë tjetër këtë çështje. Të gjithë indikatorët tregojnë se rritja e imputeve bujqësore shkon në 20-30 deri 50 përqind. Ne kemi dal në teren dhe kemi verifikuar këtë çështje. Ftoj qeverinë të konsiderojë rritjen e menjëhershme të subvencioneve në bujqësi së paku sa janë rritur çmimet e imputeve bujqësore. Kjo masë e mbulon një të tretën e familjeve në nivel vendi që sigurojnë të ardhura përmes tregut ose produkteve të konsumit vetanak në nivel të Kosovës. Masa e tret që duhet trajtohet me shumë kujdes është t’i kthehemi debatit për pagën minimale. Janë zhvilluar negociatat ka mos pajtime por duhet të gjetur gjuha e përbashkët për të rritur sa më parë pagën minimale”, tha ai.

Sipas tij është e pashmangshme miratimi i një pako mbështetëse ndaj qytetarëve, sikur në kohën e pandemisë COVID 19.

Hoti: Është e pashmangshme pako e re ekonomike

“Ne vlerësojmë se është e pashmangshme të dizajnojnë pako të mbështetjes së qytetarëve, ndoshta të natyrës si në kohën e pandemisë. Pasi kriza ekonomike dhe sociale gati është e atyre përmasave, vonesat në këtë drejtim do të shtojnë barrën e familjeve dhe qeveria do të detyrohet të merr këto masa. Prandaj është më mirë më herët të dizajnohet dhe të merren këto masa”, shtoi ai.

​LVV përkujton masakrën ndaj familjes Bogujevci: Edhe pas 23 vjetësh kriminelët serbë nuk kanë marrë dënimin që meritojnë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se nuk do të ndalen kurrë së kërkuari drejtësi për gjithë martirët që u vranë gjatë luftës nga Serbia.

Në 23 vjetorin e masakrës në Podujevë të familjes Bogujevci dhe Duriqi, Rrustemi tha se kriminelët serb nuk po përballen me dënimin më meritojnë.

Në seancën e sotme plenare, ai tha se edhe pas 23 vjetësh, Serbia nuk po kërkon falje dhe nuk po distancohet nga krimet gjenocidale.

Rrustemi: Serbia nuk po kërkon falje dhe nuk po distancohet nga krimet gjenocidale

“E kemi për detyrim të ruajmë dhe kultivojmë me dashuri dhe respekt kujtimin për këta martirë të cilëve iu kemi borxh lirinë që po jetojmë dhe për drejtësinë ende të pa vend. Sot 28 mars 2022, tash e 23 vjet ndodhemi para një Serbie arrogante e cila asnjëherë nuk kërkojë falje, nuk u distancua nga krimet gjenocidale, përderisa pjesëtarët e njësitit famëkeq ‘shkorpionët’ ndoshta po shijojnë vitet të mbetura diku në qytetet e Serbisë pa u përballur me dënimin që meritojnë. Ndërsa krimineli Millodard Salja që vrau 14 anëtarë të familjes Bogujevci dhe Duriqi, shteti i Serbisë i dha lirim ta parakohshëm pasi kishte mbajtur vetëm 8 muaj dënim për çdo viktimë të vrarë”, tha ai.

Më 28 mars 1999, paramilitarët serbë vranë mizorisht 14 anëtarë civilë të familjes Bogujevci dhe Duriqi në Podujevë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat