Gërvalla: BE-ja nuk mund të jetë kurrë e tërë pa Ballkanin

Aktuale

Gërvalla: BE-ja nuk mund të jetë kurrë e tërë pa Ballkanin

Më: 30 mars 2022 Në ora: 19:53
Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla në një intervistë për Newsweek ka thënë se Prishtina mbështet kërkesën e Kievit që anëtarësimi i tyre në BE të përshpejtohet.

Gërvalla tha se Kosova e njohur nga Brukseli si vend kandidat potencial për anëtarësim në BE, beson se blloku duhet të miratojë një proces të ri të shpejtë dhe ta shtrijë atë jo vetëm në Ukrainë, por në të gjitha vendet e Ballkanit që janë të përkushtuar ndaj integrimit evropian.

“Situata aktuale është shumë komplekse dhe është e rrezikshme, kjo gjë nuk vlen vetëm për situatën në Evropën Lindore dhe Ukrainë, por edhe për situatën në përkeqësim e sipër në Ballkan”, tha ajo.

Gërvalla theksoi se po avokojmë për përshpejtim jo vetëm për Ukrainën, por edhe Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit, të cilët janë vërtet të përkushtuar ndaj parimeve të BE-së.

Sipas saj kjo nuk po bëhet vetëm për interesin tonë personal, por edhe për interesin e vetë BE-së, dhe kjo ka të bëjë me ruajtjen e paqes brenda gjeografisë së BE-së.

“Kosova po përsërit vazhdimisht se BE-ja nuk mund të jetë kurrë e tërë pa Ballkanin Perëndimor dhe se BE-ja, duhet të jetë e hapur për të gjitha vendet evropiane që janë vërtet të përkushtuara ndaj vlerave të BE-së si demokracia dhe sundimi i ligjit”, tha Gërvalla.

Ajo shtoi se BE-ja nuk është para së gjithash një bllok ekonomik, por është përgjigja më e mirë evropiane për sigurimin e paqes. Dhe Ukraina sigurisht që është pjesë e Evropës dhe meriton të jetë anëtare e ardhshme e Bashkimit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat