​Vetëm një aktakuzë për krime lufte gjatë 2021, Abbott kërkon që viktimat të mos bëhen politike

Aktuale

​Vetëm një aktakuzë për krime lufte gjatë 2021, Abbott kërkon që viktimat të mos bëhen politike

Më: 31 mars 2022 Në ora: 13:43
Nicholas Abbott

23 vjet pas përfundimit të luftës, ende nuk ka drejtësi për mbi 13 mijë persona të vrarë, 20 mijë të dhunuar seksualisht dhe mbi 1600 të zhdukurit.

Vetëm një aktakuzë është ngritur për krime lufte gjatë vitit të kaluar nga Prokuroria Speciale në Kosovë.

Kjo e fundit thotë se nuk mund të ndrisin aktakuza në rastet kur nuk kanë mundësi të sigurojnë prezencën e kryerësve të veprave.

Ambasadorë të huajë në Kosovë kanë deklaruar se krimet e pa-adresuara mund të gërryejnë paqen në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, është kërkuar që viktimat të mos bëhen ‘viktima politike’.

Kështu u tha në prezantimin e raportit vjetor të Fondit për të Drejtën Humanitare nga monitorimi i gjykimeve mbi krimet e luftës dhe veprave penale të motivuara etnikisht dhe politikisht gjatë vitit 2021.

Amer Alija nga FDHK tha se kanë monitoruar 50 seanca gjyqësore në rastet e krimeve të luftës dhe 20 seanca që lidhen me vepra penale me prapavijë politike.

Alija: Vetëm një aktakuzë është ngritur gjatë vitit 2021

"Gjatë vitit 2021, dy persona janë arrestuar nën dyshimin penal për krime të luftës Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës ka ngritur vetëm një aktakuzë për krime të luftës gjatë vitit 2021. Gjatë kësaj periudhe pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës janë proceduar pesë raste për krime të luftës kundër popullatës civile, kundër gjashtë të pandehurve... Ky raport i përmban 13 analiza të detajuara të proceseve gjyqësore pranë gjykatave themelore, të Apelit dhe Supremes, që ndërlidhen me krimet e luftës dhe vepra penale me prapavijë etnike dhe politike. Dhjetë prej këtyre rasteve janë të krimeve të luftës”, ka njoftuar ai.

Me numrin e vogël të aktakuzave nuk është pajtuar udhëheqësja e Departamentit për Krime Lufte, Drita Hajdari. Ajo tha se kanë sfida të mëdha në hetimin dhe gjykimin e rasteve të krimeve të luftës.

Hajdari: S’mund të ngrehim aktakuza në rastet kur s’kemi prezencën e kryerësve të veprave

"Prokuroria ka trajtuar rastet dhe ka ngritur aktakuza në rastet kur e kemi siguruar praninë fizike të të pandehurit. Ne nuk mund të ngremë aktakuza në rastet kur nuk kemi prezencën e kryerësve të veprave. Kur thuhet që gjatë vitit 2021 është ngritur vetëm një aktakuzë për krime të luftës, kjo mund të tingëllojë shumë shqetësuese për ata që nuk dinë procedurat, mund automatikisht ta fajësojnë prokurorinë për neglizhencë, për mos-interesim, për mos punë, por kjo ta bëjë me faktin që kemi arritur të arrestojmë prezencën fizike të kryerësit të veprës penale”, ka deklaruar Hajdari.

Në tryezën me temën "Pengesat aktuale në procedimin e krimeve të luftës në Kosovë", ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott tha se sfidë për vendosjen e drejtësisë është se shumë nga kryerësit e veprës nuk janë në Kosovë dhe se ekziston mungesë e bashkëpunimit me institucionet e Serbisë.

Abbott: Vetëm 213 persona janë akuzuar

"Koha është armik, shumë të mbijetuar kanë vdekur që nga konflikti ose janë shumë të moshuar, e që mund ta bëjë marrjen në pyetje tërthortë më pak të pabesueshme dhe të vështirë. Provat e krimeve mund të jenë dëmtuar në masë të madhe, ose mund të mos ekzistojnë fare. Sidoqoftë, trajtimi i këtyre sfidave mbetet esenciale për krijimin e një të ardhme më të mirë për të gjithë kosovarët dhe regjionin. Qasja në drejtësi përfaqëson një sfidë kryesore për viktimat, anëtarët e familjes, por edhe shoqërinë në përgjithësi....Më tepër se 30 mijë të vrarë apo të zhdukur gjatë konfliktit në Kosovë, vetëm 213 persona janë akuzuar dhe vetëm 71 janë dënuar nga të gjitha etnicitete”, ka deklaruar Abbott.

Sipas tij, drejtësia në Kosovë dhe Serbi varet nga akterët politikë.

Abbott: Viktimat nuk duhet të bëhen viktima politike

“Ekziston nevojë për një proces të ri-pajtimit. Prandaj, këto viktima nuk duhet të bëhen viktima politike. Trajtimi i trashëgimisë së konfliktit është esenciale për Kosovën që të vazhdojë tutje. Kjo nuk është çështje që të shikojmë të kaluarën, por të krijojmë të ardhme”, ka shtuar ai.

Pauline Menthonnex Gacaferri, zëvendësshefe e misionit nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, theksoi se viktimat e krimeve të luftës kanë të drejtë për drejtësi.

Gacaferri: Krimet e pa adresuara mund ta gërryejnë paqen

"Shteti ka për detyrë për të hetuar dhe ndjekur penalisht shkeljet e të drejtave të njeriut. Drejtësia është pjesë e rëndësishme e ndërtimit të një paqeje të qëndrueshme. Kultura e mos ndëshkimit dhe krimet e kaluara që nuk adresohen mund ta gërryejnë paqen dhe në kontekst të Ballkanit Perëndimor, gjithashtu mund ta rrezikojnë edhe procesin e integrimit evropian të rajonit”, tha ajo.

Shefi i seksionit për Çështje Juridike dhe Këshillimor për Sundimin e Ligjit në Zyrën e Bashkimit Evropian, Hakan Ejdervik tha se janë duke mbështetur procesin me mbi katër milionë euro.

Ejdervik: BE është duke mbështetur procesin me 4.5 milionë euro

"Bashkimi Evropian është duke mbështetur procesin për të trajtuar të kaluarën, të tanishmen dhe të ardhmen me disa projekte me më shumë se 4.5 milionë euro. Është pozitive kur e shohim në këtë raport që ka rritje të numrit të prokurorëve në Departamentin e Krimeve të Luftës dhe në Departamentin e Prokurorisë Speciale është rritur. Mirëpo, sfidat tjera mbesin dhe kjo është theksuar edhe në rekomandimet për institucionet lokale gjyqësore... Katër raste janë nga viti 2018 dhe për katër vjet dhe këto janë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe asnjë seancë nuk është mbajtur në lidhje me këto raste”, ka thënë ai.

Në publikimin e raportit vjetor të FDHK u tha se Policia e Kosovës ka intervistuar gjatë vitit 2019 mbi 300 dëshmitarë dhe ka arrestuar tetë persona.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, gjyqësori vendor dhe ndërkombëtar ka akuzuar rreth 70 persona për krime lufte në Kosovë.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka rekomanduar që të organizohen trajnime të rregullta dhe përmbajtësore për gjyqtarë, prokurorë dhe stafin mbështetës që merren me krime të luftës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat