UP-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Forumin e Kosovës të Aftësisë së Kufizuar

Aktuale

UP-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Forumin e Kosovës të Aftësisë së Kufizuar

Më: 1 prill 2022 Në ora: 16:07
Foto nga takimi

Universiteti i Prishtinës (UP) dhe Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar (FKAK) kanë nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se marrëveshja ka për synim thellimin e bashkëpunimit midis palëve në funksion të forcimit dhe përmirësimit, të qasjes si dhe të kushteve për studentët me aftësi të kufizuara.

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga rektori i UP-së, Naser Sahiti, dhe kryetari i FKAK-së, Bujar Kadriu.

I lumtur për arritjen e kësaj ujdie u shpreh rektori Sahiti, i cili njëherësh theksoi rëndësinë për krijimin e mundësive të barabarta për studentët me aftësi të kufizuara që janë pjesë e UP-së.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, do të hapen rrugët për bashkëpunim më të mirë me ju dhe sigurisht do të ofrojmë lehtësira dhe mundësi më të mëdha për studentët me aftësi të kufizuara që vijojnë studimet në UP,” tha Sahiti.

Ndërkaq, kryetari Kadriu falënderoi rektorin Sahiti për gatishmërinë dhe bashkëpunimin në procesin e zyrtarizimit të kësaj marrëveshjeje.

“Uroj që kjo marrëveshje e bashkëpunimit të reflektojë te studentët e ardhshëm dhe ata aktualë në UP, në mënyrë që ata ta ndiejnë veten të barabartë me studentët e tjerë,” tha Kadriu.

Me këtë rast, të dy palët u zotuan se do t’u përmbahen me përpikëri dispozitave të marrëveshjes, në mënyrë që studentët të mund të përfitojnë nga implementimi i saj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat