Pal Lekaj do të përballet me aktakuzën e ngritur më 2017 për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend

Aktuale

Pal Lekaj do të përballet me aktakuzën e ngritur më 2017 për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend

Më: 7 prill 2022 Në ora: 14:57
Pal Lekaj

Pal Lekaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), së shpejti pritet të dalë para gjykatës, lidhur me akuzën se në nëntor të 2015-ës, në cilësinë e deputetit ka hedhur gaz lotsjellës në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Lekaj po akuzohet se më 30 nëntor 2015 në hollin e Kuvendit, me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka hedhur gazin lotsjellës, me ç’rast për disa minuta është ndërprerë puna dhe deputetët e të pranishmit e tjerë, janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton të jetë ushtruar në gjykatë më 1 qershor 2017.

Ndryshe, këtë të enjte ishte e paraparë të mbahej seanca fillestare ndaj Lekajt, mirëpo i njëjti nuk është paraqitur në gjykatë.

Sipas gjykatëses, Edita Çanta, deri më tani nuk ka fletëkthesë nëse i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt apo jo dhe shtoi se gjykata do të presë fletëkthesën e do të veprojë në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.

“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të kontaktojë me Lekajn, mirëpo i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 6 janar 2017 ka ngritur aktakuzë kundër Pal Lekajt, të cilin e ngarkon me veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më 30 nëntor 2015, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka përdorur armën-gazin lotsjellës.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, për disa minuta është ndërprerë puna në Kuvend për shkak të kontaminimit të ambientit dhe se deputetët e të pranishmit e tjerë janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit.

Me këtë, Lekaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, par.2 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë deri në 10 mijë euro dhe me burgim prej një deri në 10 vjet.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat