Kur do t’i heqë Kosova masat kundër Covid-19? Flasin nga MSH

Aktuale

Kur do t’i heqë Kosova masat kundër Covid-19? Flasin nga MSH

Më: 8 prill 2022 Në ora: 18:10
Foto ilustrim

Ndonëse disa shtete evropiane tashmë veçse i kanë hequr masat e vendosura kundër virusit Covid-19, në Kosovë nga 1 marsi janë në fuqi disa masa, siç po cilësohen të lehtësuara. E Ministria e Shëndetësisë siç duket nuk e ka në plan që t’i heqë tërësisht ato.

Nga Zyra për Informim në MSh  thanë se heqja ose shtimi i masave kundër Coronavirusit, varet nga zhvillimi i mëtejmë i situatës epidemiologjike në vend.

Rol në vendimi për masa sipas MSh-së ka edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. 

“Në Kosovë janë në fuqi një numër i masave minimale kundër COVID-19. Nëse do të hiqen këto që janë apo të kthehet ndonjë, kjo varet nga zhvillimi i mëtejm i situatës epidemiologjike, rekomandimet që jep IKSHPK dhe mekanizmat e tjerë kundër COVID-19 që funksionojnë në Kosovë. Popullata rekomandohet që të vazhdojnë të respektojnë masat që janë në fuqi dhe të vaksinohen kundër COVID-19, ata që se kanë bërë këtë, me që në disa shtete (edhe të Evropës) tashmë janë regjistruar raste të COVID-19 të shkaktuara nga nën-variantet e Omicron, si BA 1. dhe BA 2”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Deri më tani tërë masat i kanë hequr Mbretëria e Bashkuar, Suedia dhe Danimarka.

Edhe vendet e tjera janë rrugës për t’i hequr të njëjtat pasi raportohet për një situatë epidemiologjike më të lehtë dhe se variantet e reja kanë simptoma më të lehta dhe shtrimi në spitale është më pak i mundshëm nga infektimi me to.

Cilat masa i ka ende në fuqi Kosova?

Nga 1 marsi në Kosovë janë në fuqi disa masa kundër virusit Covid-19.

Për të hyrë në Kosovë, çdo person duhet të posedojë certifikatën e për vaksinimin e plotë me dy doza ose me një dozë të vaksinës Janssen, që nuk ka kaluar më shumë se 12 muaj nga marrja e dozës së fundit, certifikatën e vaksinimit me një dozë të shoqëruar me testin RT-PCR negativ për Covid-19 jo më të vjetër se 48 orë, dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 në 90 ditët e fundit, dëshmi se personi e ka marrë dozën e tretë / përforcuese dhe dëshmi të testit RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë.

Në fuqi vazhdon të jetë edhe masa që të gjithë punonjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve publike qendrore e lokale, e subjektet e tjera të posedojnë dëshmi të vaksinimit për të hyrë në ambientet e punës, ose dëshmi nga mjeku se ai person është i liruar nga vaksinimi.

Edhe bartja e maskës në ambiente të mbyllura është një ndër masat kundër Covid-19 që vazhdon të jetë në fuqi.

Bartja e maskës është obligative edhe për të përdorur transportin publik dhe privat në Kosovë.

Me masat e vendosura me 1 mars janë lejuar edhe ceremonitë dhe ritet fetare.

Ndërkaq, nga 7 marsi në Kosovë është lejuar veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore deri në 50% të kapaciteteve.

Edhe gastronomia dhe qendrat tregtare janë liruar që ta vazhdojnë normalisht punën duke respektuar disa masa.

Si është situata epidemiologjike me Covid-19 në Kosovë?

Aktualisht në Kosovë janë 544 raste aktive me Covid-19. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në vend janë shënuar 26 raste të reja.

Shprehur me përqindje, pozitiviteti i rasteve është 3.17%.

E gjatë kësaj periudhe janë shëruar 32 qytetarë. Kështu numri i përgjithshëm i të shëruarve nga Covid-19 ka shkuar në 224.000 qytetarë.

E nga fillimi i pandemisë me Coronavirus janë infektuar 227.681 qytetarë.

Nga ky virus kanë vdekur gjithsej 3.137 qytetarë.

E përderisa më herët janë testuar me mijëra qytetarë, gjatë 24 orëve të fundit u testuan vetëm 818 qytetarë.

Për sa i përket hospitalizimeve në Shërbimin Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës janë të shtrirë 11 pacientë.

Pesë prej tyre janë me oksigjenoterapi.

Niveli i vaksinimit në vend

Që nga fillimi i procesit të vaksinimit, 901.798 qytetarë janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës kundër Covid-19.

Të dy dozat i kanë marrë 820.972 qytetarë, teksa me dozën e tretë dhe atë përforcuese janë vaksinuar 100.506 qytetarët.

E në 24 orët e fundit interesim për vaksinim kanë shfaqur vetëm 169 persona.

Kështu numri i doza të administruar në total ka arritur në 1.823.443.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat