​Osmani viziton shkollën “Ismail Qemali” në Mitrovicë

Aktuale

​Osmani viziton shkollën “Ismail Qemali” në Mitrovicë

Më: 14 prill 2022 Në ora: 16:59
​Osmani viziton shkollën “Ismail Qemali” në Mitrovicë

Në shkollën ku edhe vetë ndoqi mësimet e para, presidentja Vjosa Osmani iu premtoi mësimdhënësve që prioritet i institucioneve është arsimi.

Ajo gjatë vizitës në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Ismail Qemali” në Mitrovicë, tha se gjatë viteve të ’90, shkollimi ishte kauzë për liri.

Para mësimdhënësve e nxënësve ajo ka kujtuar ditën e parë kur u regjistrua në këtë shkollë.

Osmani: Të gjithë mësuesit u bën mbrojtës për ne

“Më kujtohet dita e parë kur kam ardhur të regjistrohem në shkollë dhe ajo zyra e vogël ku nxënësit pyeteshin në qoftë se i dinë shkronjat e para me një piano të vogël, ku pastaj organizonim koncertet. Në një kohë ku të këndosh për Kosovën, ka nënkuptuar të rrezikosh jetën tënde. Prandaj, të gjithë ata mësues, mësuese, arsimtarë e arsimtare, drejtorë e drejtoresha të cilët kanë dhënë gjithçka, duke u bërë mbrojtës për ne dhe prindër të dytë”, tha Osmani.

Ajo ka kujtuar edhe ditën kur është dëbuar nga shkolla, ku më pas vijonin mësimin në shtëpi-shkolla e ndërtesa.

Osmani: Ju mund të bëni çfarëdo që dëshironi

“Dua të inkurajoj vajzat e vogla që sot janë në këtë shkollë duke e ndjekur arsimimin dhe vajzat anekënd Kosovës, që asnjëherë të mos e ndalin hapin. Pavarësisht pengesave që dikush mund të vendosë në rrugën tuaj, ju mund të bëni çfarëdo që ju dëshironi. Nuk ka profesion e nuk ka të arritur që vajzat nuk mund ta bëjnë në mënyrë të shkëlqyeshme”, ka deklaruar Osmani.

Më tej, gjatë vizitës në këtë shkollë ajo tha se janë të përkushtuar për investim në sistemin arsimor.

Osmani: Hapat e parë janë më të rëndësishëm

“Unë jam sot këtu për t’iu treguar edhe përkushtimin e plotë të institucioneve tona që ta kemi pikërisht këtë lloj investimi në sistemin tonë arsimor që të rinjtë tanë, të rejat tona të kenë sa më shumë kualitet në sistemin arsimor dhe sa më shumë mbështetje. Dhe të bëhen anëtarë të dobishëm të shoqërisë tonë. Sepse hapat e parë janë hapat më të rëndësishëm. Edhe shkenca e ka dëshmuar që sa më shumë vite që të kalojnë fëmijët në edukimin e hershëm, përqindja e dobisë së tyre rritet shumëfish më shumë”, tha Osmani.

Për presidenten Osmani pati fjalë të mira kujdestari i klasës, Adem Qollaku.

Çollaku: Më është dashur të përgatitem dy orë më shumë, Vjosa ka qenë shkaktari

Ndoshta Vjosa ka qenë shkaktari kryesor që mua më është dashur ndoshta edhe nga dy orë për t’u përgatitur. Aq e përgatitur ka qenë në orët mësimore sa që nuk ke mund ta besosh. Në kohën kur unë e kam ligjëruar lëndën e historisë, kam pasur suksese të mëdha. Mirëpo, kur kam shkuar në orë, gjithmonë isha i përgatitur për arsye se ka qenë një periudhë kur është bërë ndryshimi i tezave historike. Aq bukur ka qenë e përgatitur sa që më është dashur nga dy orë të lexojë më tepër në mënyrë që kam pritur pyetje të llojllojshme prej saj”, ka thënë ai.

Gjatë ditës, Osmani është takuar edhe me kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza, ku më pas kanë bërë homazhe në lagjen e Kovaçëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat