​Zemaj paraqet propozimin për Projektligjin për shëndetësi: Lehtë i zbatueshëm

Aktuale

​Zemaj paraqet propozimin për Projektligjin për shëndetësi: Lehtë i zbatueshëm

Më: 15 prill 2022 Në ora: 12:19
Foto ilustrim

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka paraqitur propozimin për Projektligjin e ri për shëndetësi, për të cilin tha se përbëhet nga 128 nene dhe se e konsideron lehtë të zbatueshëm.

Ish-ministri i Shëndetësisë, në një konferencë për media tha se për këtë projektligj ka konsultuar shumë profesionistë shëndetësorë dhe ekspertë të fushës, me qëllim të avancimit dhe përmirësimit të sistemit shëndetësor në vend.

Ndërkohë që uroi që projektligji të gjejë mbështetje edhe nga shumica parlamentare.

Zemaj: Kam kënaqësinë që sot të procedojë Projektligjin për shëndetësi

“Sot kam kënaqësinë të procedoj Projektligjin për shëndetësi, si nismë legjislative, për të cilin kam marrë mbështetje edhe nga deputetët tjerë nënshkrues... Ne po e bëjmë hapin për shëndetin e mirë të qytetarëve tanë, ndaj të njëjtën qasje e presim edhe nga Qeveria dhe nga shumica parlamentare... Ky Ligj në përmbajtjen e tij ka 128 nene, do të jetë lehtë i zbatueshëm, në dobi të qytetarëve, cilësisë së shërbimeve shëndetësore, unifikimit të sistemit shëndetësor deri tek harmonizimi i të arriturave shkencore njerëzore, duke siguruar qëndrueshmëri të sistemit dhe të profesionistëve. Andaj, me këtë rast, ne sot e kemi dërguar në Zyrën për Parashtresa dhe presim përkrahjen dhe miratimin e tij”, tha Zemaj.

Zemaj theksoi se përmes këtij projektligji Kosova do të ketë sistem funksional shëndetësor dhe të zbatueshëm, i cili siç tha ai, është qenësor.

Ai foli edhe për emergjencën, për të cilën tha se duhet të finalizohet dhe të jetë në shërbim të qytetarëve. Derisa shprehi gatishmërinë për të bashkëpunuar me pozitën për nismën legjislative për transplantin e organeve.

Zemaj: Shumë shpejt do të bashkohemi në nismën legjislative për transplantin e organeve

“Nëse Qeveria e Kosovës nuk mund të arrijë që ta përgatis prapë,, do të japim kontributin tonë edhe në këtë pjesë. Besoj se shumë shpejt do të bashkohemi edhe për një nismë legjislative shumë të rëndësishme për transplantin e organeve”, tha ai.

I pyetur për qëndrimin e LDK-së për trustin, Zemaj përsëriti se janë në përkrahje të tërheqjes së një pjese, por pa dëmtuar asnjërën palë.

Zemaj: Jemi në përkrahje të tërheqjes së një pjesë nga Trusti

“Ne e kemi dhënë qëndrimin tonë... Jemi në përkrahje të tërheqjes së një pjese nga trusti. Forma, mënyra, pragu, besoj se do të duhet të ishin temë e një ekspertize të veçantë, e cila mundëson tërheqjen por nuk e dëmton pjesën burimore të Trustit dhe as të ardhmen e atyre që përfitojnë”, theksoi ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat