Lajçak flet për negociatat lidhur me targat, nesër takimi i kryenegociatorëve

Aktuale

Lajçak flet për negociatat lidhur me targat, nesër takimi i kryenegociatorëve

Më: 20 prill 2022 Në ora: 18:51
Miroslav Lajçak, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq

I Dërguari Special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se sot është mbajtur takimi i fundit mes grupeve punuese për targa para afatit të fundit që është më 21 prill.

Lajçak ka bërë të ditur se kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia do të takohen nesër.

“Ekspertët nga Kosova dhe Serbia sot janë takuar për herë të fundit në GP për targa para afatit të fundit më 21 prill. Me punën e tyre ata përgatitën nesër diskutimet e kryenegociatorëve. Tani i takon Kryenegociatorët të gjejnë një marrëveshje për rrugën përpara”, ka bërë të ditur ai nëpërmjet një statusi në Twitter.

Më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës, kishte vendosur masën e reciprocitetit për targat serbe, që nënkuptonte se me të hyrë në territorin e Kosovës, makinat me targa serbe, duhet të merrnin targa provuese. Ideja ishte që këto targa provuese të ishin të vlefshme për 60 ditë dhe të kushtonin pesë euro.

Deri atëherë, qytetarët e Kosovës, të cilët kishin targa RKS (Republika e Kosovës), përgjatë një dekade, kur hynin në territorin e Serbisë, paguanin rreth pesë euro për targat provuese, që vlenin për 60 ditë.

Kjo më pas nxiti protesta dhe bllokada nga serbët lokalë, të cilët shtatorin e kaluar bllokuan rrugët që çonin në dy pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të përkohshme për targat. Por, grupet punuese nga Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë afat që deri më 21 prill të arrijnë një marrëveshje përfundimtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat