Rektori i UBT-së flet për marrëveshjen me Ministrinë e Mjedisit

Aktuale

Rektori i UBT-së flet për marrëveshjen me Ministrinë e Mjedisit

Më: 21 prill 2022 Në ora: 00:25
Edmond Hajrizi

Rektori i Universitetit për Biznes dhe Teknologji, Edmond Hajrizi, është sqaruar pas raportimeve për konflikt interesi të këtij institucioni me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje nga ministri Liburn Aliu, i cili punon si profesor në këtë kolegj.

Hajrizi ka thënë se UBT-ja është proaktive për t’u ofruar me palët e interesit në Kosovë dhe më gjerë, duke shtuar se bashkëpunojnë edhe me komunat, por se kanë bashkëpunuar më herët edhe ministra të tjerë nga MMPHI-ja.

“Nuk është bashkëpunim i projekteve që bazohen në financa, ku ne marrim prej tyre ose ata marrin prej nesh. Është thjesht bashkim i forcave. Ne kemi kuadro, kemi fusha që mbulohet ambienti, infrastruktura, planifikimi, i kemi komponentët, programe dhe shkolla të akredituara dhe të dedikuara në këtë fushë”.

“Ideja është të bashkëpunojmë në pika tjera që shpesh qeveria nuk ka fuqi intelektuale të mjaftueshme për me i zgjidhë problemet komplekse që ekzistojnë në shoqëri. Ne dëshirojmë të jemi proaktiv, unë mendoj se misioni është të shkojmë të marrim problemin dhe ta zgjidhim. Ne po dëshirojmë t’i tregojmë kompetencat tona, mision i arsimit të lartë është edukimi, hulumtimi dhe zgjidhja e problemit të shoqërisë”.

“Unë nuk shoh diçka negative, nuk mendoj që nëse e shikoni, ne kemi me të gjithë bashkëpunime dhe me qeveri të tjera edhe me institucionet tjera, nuk është qasja jonë kjo ose ajo. Asnjë përfitim nuk e kemi, përkundrazi ne po japim punët tona dhe energjitë tona”, ka thënë Hajrizi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat