Thellohet skandali i ambasadorit Martin Berishaj/ Tri biznese të tij nuk figurojnë në deklarimin e pasurisë

Aktuale

Thellohet skandali i ambasadorit Martin Berishaj/ Tri biznese të tij nuk figurojnë në deklarimin e pasurisë

Më: 22 prill 2022 Në ora: 17:10
Martin Berishaj

Martin Berishaj mund të denoncon penalisht nga Agjencia Kundër-Korrupsionit për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë.

Ambasadori i Kosovës në Zagreb, nuk e ka deklaruar pronësinë e tij mbi tri kompani private, në deklarimin e obligueshëm të pasurisë së tij pranë Agjencisë Kundër-Korrupsion.

Në formularin e pasurisë pranë Agjencisë Kundër-Korrupsion (AKK), ambasadori Berishaj e ka fshehur edhe pronësinë e tij mbi “MB Consulting”, kompaninë private në Mal të Zi, e cila është përfshirë në transfertat e dyshimta të parave tek një politikan slloven.

Në deklarimin e pasurisë në AKK, ambasadori Berishaj ka fshehur aksionet të cilat i posedon edhe në dy kompanitë në Kosovë: Myloja LLC dhe Zaslon Kosova.

Megjithatë, në deklarimin e pasurisë për vitin 2021, shefi i Misionit Diplomatik të Kosovës në Zagreb ka deklaruar një shtëpi, një banesë dhe një parcelë tokë në emër të tij. Po ashtu, ka deklaruar një veturë të vlefshme 15 mijë euro.

Të enjten, ambasadori Berishaj u përfshi në një skandal financiar të cilin e zbuloi Planet TV, një medium slloven.

Ai dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Afera e dyshimtë për shpërlarje parash është zbuluar dhe transmetuar nga televizioni Planet TV të enjten. Hulumtimi bazohet në dokumente.

Ambasadori Berishaj dyshohet se ka shërbyer si ndërmjetës mes një kompanie serbe dhe politikanit slloven, Robert Golub. Në mes tyre, sipas hulumtimit të televizionit slloven, ndodhen 600 mijë euro të dyshimta.

Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar sot, tregon se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

Ambasadori Berishaj figuron bashkë-aksionar me afaristin slloven, Janez Banivuk në kompaninë “Myloja L.L.C”, e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë në vitin 2008.

Kompania, e cila ushtron veprimtari në fushën e ndërmjetësimit monetar dhe lizingut financiar, është e vendosur në lagjen Hajvali të Prishtinës, raporton media bazuar në të dhënat publike pranë ARBK-së.

Bashkë-aksionar në kompani figuron edhe Anton Çerne, një tjetër biznesmen slloven, ish-anëtar i Bordit të Lotarisë Sportive në Slloveni.

Po ashtu, ai posedon aksione edhe në kompaninë “Zaslon Kosova” LLC. Kjo kompani ushtron veprimtari në fushën e ndërmjetësimit të shitjeve të produkteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat