Presidentja Osmani: Të zhdukurit me dhunë janë thirrja jonë për drejtësi, Meja dhimbje e madhe e Kosovës

Aktuale

Presidentja Osmani: Të zhdukurit me dhunë janë thirrja jonë për drejtësi, Meja dhimbje e madhe e Kosovës

Më: 27 prill 2022 Në ora: 09:00
Foto ilustrim

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Kombëtare të të Pagjeturve, e cila përkon me datën e Masakrës së Mejës ka theksuar se kjo Ditë është përkujtim, pritje e ankth për familjarët dhe shtetin e Kosovës.

“Janë mbi 1600 të zhdukur me dhunë, thirrja jonë për drejtësi, e cila do të vihet në vend kur para saj do të dalin autorët e krimeve dhe do të zbardhet fati i secilit nga njerëzit tanë. Duam dhe do të insistojmë të dijmë për fatin e tyre.

Kjo ditë na bën ta kthejmë kokën pas jo vetëm për t`i kujtuar ata që nuk janë në mesin tonë, por edhe për ta thënë fuqishëm se për ta nuk është vetëm një ditë si kjo, por çdo ditë. Me kujtimin për ta, do të bëjmë çdo ditë përpjekje që pritja e familjeve të marrë fund”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas saj, forcat e regjimit gjenocidal, kanë kryer edhe shumë krime të tjera monstruoze në Kosovë, e ndër më të tmerrshmet është Masakra e Mejës, në të cilën u vranë barbarisht 376 djem e burra shqiptarë.

Synimi i regjimit gjenocidal serb ishte spastrimi etnik ndaj aksioni kriminal u shtri në 15 fshatra të Rekës së Keqe dhe Luginës së Çarragojës në Gjakovë. Meja është dhimbje e madhe e Kosovës dhe ndër rrëfimet më të përgjakshme të luftës. Nuk do ta harrojmë kurrë, sepse vetëm kësisoj do ta dimë vlerën e lirisë dhe shtetit. Do t`i kujtojmë përherë martirët e Mejës duke u angazhuar vazhdimisht që autorët të vihen para drejtësisë”, ka theksuar Presidentja Osmani në përkujtimin e Masakrës së Mejës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat