Kush do t’i thyejë gishtërinjtë e Putinit në Kosovë dhe Shqipëri?! / Ndikimi ‘malinj’ rus është rritur

Aktuale

Kush do t’i thyejë gishtërinjtë e Putinit në Kosovë dhe Shqipëri?! / Ndikimi ‘malinj’ rus është rritur

Nga: Idriz Morina Më: 27 prill 2022 Në ora: 18:46
Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Tom Tillis vizitës në Ballkan

Kosova dhe Shqipëria duket se janë shumë më të rrezikuara nga ndikimi i shërbimeve të fshehta, ruso-serbe, kineze dhe të shteteve të tjera armiqësore ndaj shqiptarëve. Por, më shqetësuesi aktualisht është ndikimi ‘malinj’ rus.

Pas raportit të Freedom House-it për Kosovën dhe të Shërbimit të SHISH-it për Shqipërinë në raportimin në Komisionin për siguri, vjen edhe një alarm dhe një goditje për shërbimet inteligjente shqiptare, në Kosovë dhe Shqipëri, të cilat janë treguar të pazonja t’i luftojnë, t’i pengojnë dhe t’i bllokojnë veprimtaritë sekrete me qëllime të dukshme armiqësore, të cilat kanë çuar thuaja në përmbysjen e relacioneve të shteteve të Ballkanit Perëndimor me SHBA-të, përkatësisht me Perëndimin.

Shqetësimi për këto ndikime është rritur edhe në SHBA, veçmas pas vizitës së tre senatorëve amerikan, demokrat e republikan, Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Tom Tillis, të cilët vizituan disa shtete të Ballkanit Perëndimor, Bosnjën, Serbinë, Kosovën dhe Brukselin.

Sipas raportimeve dhe informacioneve që kanë siguruar senatorët amerikan, rezulton se ndikimi rus është rritur, dhe se gjendja pas më shumë se një dekade është përkeqësuar, pra në vend të rritjes së sigurisë, është rritur pasiguria, në vend të qëndrueshmërisë, paqëndrueshmëria.

Sipas senatores Jeanne Shaheen, e cila kryesonte delegacionin e senatorëve amerikanë gjatë vizitës së bërë javën e kaluar, ndikimi ‘malinj’ rus është rritur.

Këto ishin vlerësimet e saj para Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit për vizitën në Ballkan, ku ishte i pranishëm edhe Sekretari amerikan Antony Blinken.

“Pas agresionit në Ukrainë, Putin mund të provojë të shkaktojë kaos edhe në vende të tjera dhe gjurmët e gishtërinjve të ndikimit të tij malinj mund të gjenden në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Shaheen, e citojnë media të ndryshme.

Po ashtu ajo ka shkruar në tviter, të cilin shënim e ka shoqëruar me videon nga raportimi në Komitetin e Senatit, duke theksuar se bazuar në vizitën dypartiake në Ballkanin Perëndimor, po e adreson “përhapjen e ndikimit keqdashës të Putinit në rajon”. “Kjo është veçanërisht kritike për kombet e cenueshme si BiH. Mbajtja e mandatit të EUFOR-it është jetike për ruajtjen e paqes në rajon”, ka shkruar ajo.

Image
Senatorja Jeanne Shaheen, Chris Murphy, dhe Tom Tillis në Bondsteel

Ndikim malinj, është cilësuar edhe nga Shërbimi Informativ i Shqipërisë (SHISH-i), veprimi i shërbimeve armiqësore në politikë, media etj, në Shqipëri.

Dështim i shërbimeve kombëtare apo të politikës?!

Por, a është vetëm dështim i shërbimeve të sigurimit dhe të inteligjencës shqiptare, apo këto kanë ndodhur për shkak të politikës së korruptuar dhe të komprometuar të shteteve të Ballkanit Perëndimor, dhe veçanërisht, ajo që është me rëndësi parësore për ne, në Kosovë dhe Shqipëri.

Qeveritë e të dyja vendeve nuk është se kanë nxjerrë vendime thjesht, sa për të kryer punë dhe se padijeninë e tyre, ato rezultuan të ishin të ndikuara nga Serbia, Rusia, Kina dhe vende të tjera armiqësore.

Sipas raportit të Freedom House për Kosovë, ndikimi ishte vënë re gjatë disa viteve në qeveritë e Kosovës, si nga qeveria ruse, kineze, turke, por edhe se në veri, ndikimi i Serbisë është i lartë.

“Serbia ende ruan ndikimin në veri të Kosovës, ku institucionet kosovare nuk kanë prezencë të fortë. Qeveritë ruse, kineze dhe turke kanë ushtruar gjithashtu ndikim mbi proceset qeveritare në Kosovë gjatë viteve të fundit”, thuhet në raportin e Freedom House, të publikuar disa ditë më parë.

Prandaj, shërbimet, por reagimi publik duhet të ndihmojnë në largimin dhe izolimin e figurave politike, në media dhe të tjera, për të cilat besohet ose raportohet se kanë bashkëpunuar me shërbimin rus dhe madje edhe atë kinez.

Image
Senatorët amerikanë Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Tom Tillis gjatë takimit me presidenten Vjosa Osmani

Fatkeqësisht si në Kosovë dhe në Shqipëri, po vazhdon të mbahen në heshtje këto ndikime, mbase duke shpresuar se me ndihmën e Amerikës, mund të tejkalohen këto vështirësi. Pa dyshim, që mbështetja amerikane është vendimtare, pasi me shumë gjasë edhe shërbimet inteligjente shqiptare, as nuk i kanë pajisjet e duhura teknike për t’i identifikuar dhe më pas penguar elementet e dyshimta. Por, është detyrë dhe nder i shqiptarëve, që të bëjnë maksimumin vet, për t’i zgjidhur këto situata, ose për të qenë protagonist, të paktën në fillim të procesit.

Në Kosovë rreziku është rritur, pasi edhe ndikimi rus mund të ketë ardhur në një masë, nga bashkëpunimi i politikanëve të Kosovës me eksponentë të krimit të organizuar serb, dhe të cilët njëkohësisht janë bashkëpunëtor ose bartës të mesazheve ruse.

Sipas Raportit të Freedom House, në Shqipëri ndikimi në media është shumë i rëndë, nga shërbimet si serbe, ruse, kineze, greke, iraniane, e deri tek ato bullgare e italiane.

Image
Senatorët amerikanë Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Tom Tillis gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti

Shqetësimi kryesor

Por, ajo që është shqetësim kryesor i senatores amerikane, e cila e ka vizituar Kosovën dhe rajonin para 12 viteve, situata politike në gjithë Ballkanin është më shqetësuese. “Ballkanin e kam vizituar në vitin 2010, dhe mund të them se në të gjitha vendet që kam vizituar tani, jam shumë më e shqetësuar për situatën politike në Ballkan tani, se në vitin 2010”, tha ajo.

Në fakt, kjo kritikë e senatores amerikane mund të kuptohet edhe si një ngecje e diplomacisë dhe të gjithë pranisë amerikane në Ballkan, e cila ka rënë në disavantazh me veprimtarinë e shërbimeve ruse, kineze, turke, iraniane dhe të tjera, krahasuar me situatën paraprake, para më shumë se një dekade.

Sidoqoftë vëmendja amerikane tashmë është rritur dhe se prania e përgjithshme, diplomatike dhe e sigurisë është shtuar, veçanërisht ka lëvizje në Kosovë dhe Shqipëri. Madje në Shqipëri është vendosur edhe komanda e reagimit të shpejt, si dhe pritet që Shqipëria të ndihmohet ushtarakisht si pjesë e një pakoje të ndihmës për vendet e Ballkanit dhe të Evropës Lindore, por që Kosova nuk përmendet se mund të përfitojë nga kjo.

Image
Senatorët amerikanë Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Tom Tillis gjatë vizitës në Bruksel

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat