Gara: Janë zgjidhur 70 përqind e rasteve të personave të zhdukur në Kosovë

Aktuale

Gara: Janë zgjidhur 70 përqind e rasteve të personave të zhdukur në Kosovë

Më: 27 prill 2022 Në ora: 19:21
Kushtrim Gara

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për personat e zhdukur tha se 70 përqind e rasteve të personave të zhdukur në Kosovë janë zgjidhur.

Këtë e bëri të ditur me rastin e shënimit të ditës së të pagjeturve në Kosovë.

Teksa shtoi se në mesin e 6 mijë personave të zhdukur, janë gjithsej edhe 1617 persona fati i të cilëve ende nuk dihet.

“Pa dyshim që çështja e personave të pagjetur me forcë gjatë luftës në Kosovë mbetet tema më e rëndë që përballet vendi ynë. Mirëpo do të doja ta përmend një fakt pa dashur që procesin ta interpretojë në terma statistikore. Pra, Kosova si pasojë e luftës, të rrëmbyer dhe të zhdukur kanë qenë më shumë se 6 mijë persona, ku aktualisht në vendin tonë janë 1617 persona për fatin e të cilëve ende nuk dihet, dhe kjo rrjedhimisht i bie që më shumë se 70 përqind e rasteve tani më janë zgjedhur”, tha Gara.

Gara gjithashtu bëri të ditur se gjatë 4 muajve të fundit në zhvarrosjen e mbetjeve mortore, janë gjetur të paktën dy persona në varrezat e qytetit të Prizrenit, Tusuz, dhe fshatin Shupkofc të Mitrovicës.

Ndërsa identifikimi i këtyre dy personave është ende në procedurë e sipër, tha ai.

“Gjatë këtyre 4 muajve ka të paktën dy lokacione të cilat janë proceduar në kuptimin e gërmimit vlerësues, ka një lokacion në varrezat e qytetit të Prizrenit, Tusuz, që ka pasur gjetje të rëndësishme nga ana e qytetarëve. Po ashtu, edhe gjatë muajit prill kemi pasur edhe një lokacion në fshatin Shupkofc të Mitrovicës. Në këto dy raste, të dyja kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore të paktën 2 persona, dhe janë ende në procedurë të bëhet identifikimi i këtyre dy personave”, tha Gara.

Ai tutje tha se e rëndësishme për Komsionin Qeveritar, është që çështja e personave të pagjetur të përshpejtohet në mënyrë maksimale.

Ndërkaq shtoi se gjatë këtij procesi angazhimi i shoqatave të familjarëve për personat e zhdukur kanë pasur rolin kyç.

“Është shumë e rëndësishme që edhe gjatë vitit të kaluar, por edhe në muajt e parë të këtij viti, angazhimi ynë ndërinstitucional për personat e zhdukur është në një përpjekje maksimale për të përshpejtuar këtë proces, si dhe kjo çështje trajtohet si çështje me prioritet të veçantë. Në këtë proces për gjetjen e personave të zhdukur nuk jemi vetëm, dhe rolin kyç edhe në përkrahje të procesit, por edhe në kuptimin e angazhimit të përbashkët e kanë edhe familjarët e personave të pagjetur, apo shoqatat e familjarëve”, shtoi tutje ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat