Gjykata Speciale shton akuzat ndaj krerëve të UÇK-së: Caktohen katër seanca ndaj tyre

Aktuale

Gjykata Speciale shton akuzat ndaj krerëve të UÇK-së: Caktohen katër seanca ndaj tyre

Më: 3 maj 2022 Në ora: 11:56
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi/ Foto ilustrim "Bota sot"

Edhe dy anekse shtesë të mbushura me akuza pritet të rëndojnë edhe më shumë mbi krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Më shumë se 30 faqe të reja do t’i shtohen aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Fshatrat Budakovë dhe Semetisht gjenden në komunën e Suharekës. Në këto dy zona, Prokuroria e Hagës po pretendon se ish-pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte. Këto pretendime i kanë shtuar në aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Aktakuza e re e plotësuar në rastin e krerëve të UÇK-së është dorëzuar më 28 prill. Përveç fshatrave të Suharekës, krime lufte pretendohet se janë kryer edhe në një konvikt në Gjilan.

Deri te ky plotësim i aktakuzës, kishte ardhur pasi gjyqtari i procedurës paraprake, më 23 dhjetor 2021 kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë për të shtuar akuza të reja ndaj krerëve të UÇK-së. Mbrojtja e Thaçit dhe Veselit u ankuan për këtë synim të Prokurorisë, por Gjykata e Apelit në Speciale i hodhi poshtë ankesat e mbrojtjes.

Këto akuza të reja vijnë në kohën kur avokatët e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, kanë pasuar ankesa të shumta për vonesat në proces. Pas këtij plotësimi të aktakuzës, mbrojtjes do t’i duhet kohë për hetime të tjera, shpalosjen e materialeve nga Prokuroria, por edhe punë në terren në lokacionet e reja që janë shtuar në aktakuzë.

Katër seanca dëgjimore janë caktuar ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Hagë.

Seancat do të mbahen veç e veç me secilin prej të akuzuarve, shkruan lajmi.net.

Seanca ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi do mbahet të martën e 10 majit në orën 10:00.

Ajo ndaj Kadri Veselit, ish kryetar i Kuvendit do mbahet të martën po ashtu me fillim nga ora 11:15.

Të martën gjithashtu do të mbahen seancat edhe të Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, me fillim prej orës 14:00, respektivisht 15:15.

Caktimi i këtyre seancave pritet të mbahet pas plotësimit të aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së, rrjedhimisht shtimit të akuzave ndaj tyre.

Ata në këto seanca pritet të deklarohen sërish për fajësinë e tyre në lidhje me akuzat e reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat