Dalin detajet e para nga takimi Kurti - Scholz/ Kancelari gjerman ka një kërkesë për Kryeministrin tonë

Aktuale

Dalin detajet e para nga takimi Kurti - Scholz/ Kancelari gjerman ka një kërkesë për Kryeministrin tonë

Më: 4 maj 2022 Në ora: 15:33 Përditësuar në ora: 19:19 më 04.05.2022
Albin Kurti dhe Olaf Scholz

Kryeministri Kurti takoi Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur sot në takim nga kancelari i Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz.

Fillimisht, dy liderët janë takuar vetëm, pastaj kanë vijuar takimin me dy delegacionet.

Duke e falënderuar për pritjen, kryeministri Kurti theksoi miqësinë dhe partneritetin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë dhe vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe barazisë.  

U diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes të dy shteteve dhe popullit të Kosovës dhe Gjermanisë. Kryeministri Kurti veçoi mërgatën e madhe të Kosovës që jeton në Gjermani dhe interesimin për të investuar në Kosovë.

Ai e njoftoi Kancelarin për progresin e arritur në një vit qeverisje në Kosovë, duke potencuar rezultatet në zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin në të gjithë indikatorët e demokracisë. Përmendi edhe përpjekjet e mëdha për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe suksesin në luftimin e kontrabandës, krimit dhe korrupsionit.

Kryeministri Kurti e ftoi Kancelarin Scholz që të vijë në Kosovë me një delegacion të gjerë investitorësh, për të parë mundësitë e investimeve në vendin tonë.

Kosova është tregim suksesi, prandaj edhe kemi nevojë për ndihmën e Gjermanisë si shtet i rëndësishëm brenda Bashkimit Evropian dhe akter i rëndësishëm në botë, tha kryeministri Kurti.  

Nga Kancelari kërkoi që Gjermania të shtyjë përpara liberalizimin e vizave për Kosovën. Ai theksoi se pavarësia e Kosovës duhet të njihet nga sa më shumë vende, duke përfshirë edhe 5 vendet nga Bashkimi Evropian.

Duke biseduar për bashkëpunimin rajonal, Kryeministri tha se Qeveria e mbështetë Procesin e Berlinit dhe e mirëpret përkushtimin e Kancelarit për të rifilluar këtë proces me një dinamikë të re.  

Kancelari Scholz tha se Gjermania ka vendosur të ringjallë Procesin e Berlinit. Ai bëri të ditur se në pjesën e dytë të vitit do të organizojnë një konferencë për, siç u shpreh ai, që të lëvizim, të ecim tutje.

Që ne të bëjmë gjithçka që pritjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor të kthehen në realitet. Ne kemi përgjegjësi që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, tha Kancelari Scholz.

U bisedua edhe rreth invazionit dhe agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë në Ukrainë. Kryeministri tregoi për sanksionet e Republikës së Kosovës kundër Rusisë, në linjë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe për solidarizimin me popullin dhe shtetin e Ukrainës.  

Lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri e njoftoi Kancelarin me qasjen pro-aktive dhe konstruktive të Kosovës, duke sjellë propozime në linjë me vlerat e Bashkimit Evropian.  

Dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohje-reciproke, pra një proces i cili vazhdimisht sjell avancim deri në zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura, theksoi Kryeministri Kurti.

Në delegacion me Kryeministrin Kurti ishin ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, këshilltarët politikë të kryeministrit Jeton Zulfaj dhe Fëllanza Podrimja, si dhe zëdhënësja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi.

Image
Image
Image
Image
Image

Kurti nga Gjermania godet “Ballkanin e Hapur”: Nuk mirëpresim iniciativa që hapin rajonin ndaj fuqive të Lindjes

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka pritur sot në takim në Berlin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një konferencë për media për gazetarët pas takimit, kryeministri Kurti i tregua i ashpër me iniciativën Open Ballkan, edhe pse nuk i përmendi fare emrin.

Ai tha se iniciativat rajonale nuk mund të jenë zëvendësim për integrimet në BE, por duhet t’i përshpejtojnë ato.

“Ne e mbështesim procesin e Berlinit dhe mirëpritem përkushtimin e  Kancelarit për të rifilluar këtë proces me një dinamikë të re. Po ashtu ne mbështesim tregun e përbashkët rajonal, i cili ndodhet brenda Procesit të Berlinit dhe rregullave të Bashkimit Evropian. Ai është gjithëpërfshirës, i ka katër liritë prandaj edhe nuk mbështesim iniciativa të tjera paralele. Për Kosovën është e rëndësishme që në këtë proces qytetarët të jenë përfituesit më të mëdhenj”, tha ai.

Kurti thotë se Kosova nuk është kundër iniciativave rajonale kur Bashkimi Evropian paraqitet si vlerë.

“Iniciativat rajonale që hapin Ballkanin ndaj fuqive nga Lindja apo Verilindja ne nuk i mirëpresim dhe i konsiderojmë të panevojshme. Kosova dhe Ballkani janë të hapura për Bashkimin Evropian dhe NATO-n, janë të hapura për Gjermaninë dhe këto janë mëse të mjaftueshme”, deklaroi ndër të tjera Albin Kurti.

​Scholz: Dialogu synon marrëveshje gjithëpërfshirëse ku bën pjesë edhe njohja e Kosovës

Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz kërkoi sot konstruktivitet në dialog nga kryeministri Albin Kurti.

Pasi priti në takim kryeministrin Kurti në Berlin, kancelari gjerman tha se objektivi i dialogut duhet të jetë marrëveshja gjithëpërfshirëse, ku bën pjesë edhe njohja e Kosovës, pasi kjo do t’i hapte dy vendeve rrugën drejt perspektivës evropiane.

Në një konferencë të përbashkët për media me Kurtin, Scholz paralajmëroi vizitë në Kosovë, derisa nuk dha datë për liberalizim të vizave, megjithëse theksoi interesimin e tij që kjo të përfundojë shpejt. Ndërkohë, tha se do të rigjallërojë Procesin e Berlinit dhe e vlerësoi si pozitive pozicionin e Kosovës pas agresionit rus në Ukrainë.

“Unë jam i bindur se në kohë si këtu, në një rajon shumë pranë nesh zhvillohet një luftë brutale ka rëndësi qendrore se dy vendet të zgjidhin konfliktin hap pas hapi. Me këtë ata do të jepni një kontribut për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, por edhe gjithë Evropën. Objektivi i dialogut të Brukselit është një marrëveshje gjithëpërfshirëse e qëndrueshme mes dy vendeve që iu hap perspektivën e BE-së dhe kontribuon në stabilitetin rajonal. Unë e inkurajova Albin Kurtin për bashkëpunim konstruktiv në negociata. Në fund të fundit bëhet fjalë që nga marrëveshja të përfitojnë njerëzit në Ballkanin Perëndimor në tërësi... Progresi është i domosdoshëm dhe kjo do të funksionojë vetëm përmes marrëveshjeve konkrete që duhet të arrijnë të dy vendet dhe janë shumë detaje këtu. Por natyrisht këtu bën pjesë, ajo çka ka bërë Gjermania prej kohësh dhe ajo është njohja e Kosovës. Këto janë tema për të cilat kërkojnë strategji të shkurtër apo të gjata, por këtu duhet bërë përparime të shpejta”, tha Scholz.

Scholz tha se Gjermania është e interesuar që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të ndodh shpejt.

“Përparim i mëtejshëm duhet të bëhet tani në liberalizimin e vizave për Kosovën. Qeveria Federale e ka frikësuar këtë si objektiv në marrëveshjen e koalicionit, për këtë angazhohem me këmbëngulje në BE... Për sa i përket periudhës kohore ne nuk e themi dot se kjo varet nga organe të tjera, megjithatë ne jemi të interesuar që kjo të ndodh shpejtë”, tha ai.

Scholz bëri të ditur se në gjysmën e dytë të vitit 2022 do të bëjë një ftesë liderëve të Ballkanit Perëndimor për rigjallërimin e Procesit të Berlinit.

“Gjermania ka vite që angazhohet në këtë drejtim. Këtë dëshiroj të bëjë së bashku me partnerit të rigjallërojmë këtë proces me një ftesë në gjysmën e dytë të vitit. Projekti aktual më i rëndësishëm i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal. Këtu shpresoj të arrijmë të kapim me shpejtësi katër marrëveshjet të rëndësishme për lëvizjen e lirë të personave, njohjen e diplomave profesionale. Siç e shihni patëm shumë tema dhe gëzohem që do t’i vazhdojë ato në një vizitë në Prishtinë”, shtoi ai.

Krahas këtyre, vlerësoi si pozitive pozicionimin e Kosovës ndaj agresionit rus në Ukrainë.

“Kosova me një histori ende të freskët të luftës u pozicionua në këtë shumë herët me qartësi dhe partneritet me BE-në dhe i mbështet sanksionet. Kjo meriton vlerësim të madh. Unë i paraqita kryeministrit bindjen time, Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe gjithë vendet duhet të hynë në BE dhe këtu bën pjesë edhe Kosova, njohjen ndërkombëtare të së cilës Gjermania e ka mbështetur”, tha Scholz.

Ai po ashtu shprehu mbështetjen ndaj kryeministrit Kurti për reformat në sundimin e ligjit.

Kurti: Masakrat dhe dhunimet që po i përjeton Ukraina, Kosova i ka jetuar nën lëkurë para 23-vjetësh

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosova është duke qëndruar përkrah vendeve mike duke e mbështetur Ukrainën.

Ai, në një konferencë për media pas takimit që pati me kancelarin e Gjermanisë, Olas Scholz, ka theksuar se këto sot çfarë janë duke ndodhur sot në Ukrainë, Kosova i ka përjetuar 23 vjet më parë.

“Maskrat, bombardimet dhe përdhunimet që sot po i përjeton Ukraina  nga forcat ruse, Kosova i përjeton rëndë sepse i ka jetuar nën lëkurë para 23 vjetëve nga regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqt, që u ndal nga ndërhyrja e NATO-s”, ka thënë Kurti.

Scholz: Procesi i Berlinit rikthehet së shpejti, përkrahet nga shtetet e Ballkanit

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, thotë se Procesi i Berlinit vlerësohet shumë nga shtetet e Ballkanit dhe për këtë vazhdon përkrahja e këtij procesi.

“Procesi i Berlinit vlerësohet shumë nga shtetet e Ballkanit dhe ato marrin pjesë me dëshirë në procesin e Berlinit. Në kontaktet me shtetet gëzohen që Kancelari i Gjermanisë e vazhdon këtë traditë”.

Scholz, mes tjerash, thotë se në gjysmën e dytë të këtij viti do të vazhdojë Procesi i Berlinit dhe për këtë ka interes të madh që personalisht ta bëjë të mundur, njofton Klankosova.tv.

“Në gjysmën e dytë pritet ta bëjmë këtë dhe së shpejti do të shkojë në rajon dhe do të kemi një bazë të mirë që bashkëpunimi atje të funksionoj dhe të kemi rezultate të mira. Kemi interes të madh që unë ta bëjë këtë dhe unë do ta bëjë këtë”, tha kancelari Scholz.

Liberalizimi i vizave, Kurti nga Berlini: Kosova i ka kryer detyrat, t’i kryejë edhe BE-ja

Kryeministri Albin Kurti e ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ai, në një konferencë për media pas takimit të tij që pati me kryekanceralin gjerman Olaf Scholz, ka theksuar se kosovarëve duhet t’u liberalizohen vizat.

“Kërkova që Gjermania ta shtyjë para liberalizimin e vizave, në korrik edhe dy muaj, bëhen katër vjet  prej se Komisioni Evropian e ka rekomanduar për herë të dytë dhe e ka konstatuar që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim”.

“Mendoj se është koha të thuhet mjaft është mjaft, Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë është radha që Bashkimi Evropian të bëjë të njëjtën gjë”,ka thënë Kurti.

​Kurti: Dialogu Kosovë-Serbi të përqendrohet në njohje reciproke

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar sot nga kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz në Berlin që të shtyjë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në një konferencë të përbashkët për media, kreu qeveritar tha se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i përqendruar në njohje reciproke ndërmjet dy vendeve.

“Jemi të përkushtuar të ecim shpejt dhe të kemi rezultate konkrete”, shtoi ai.

Para kancelarit gjerman, Kurti foli edhe për progresin dhe qeverisje ne tij në Kosovë.

“Në këtë vit qeverisje kemi bërë përpjekje të mëdha në sundimin e ligjit, kemi filluar reformat administrative”, tha ai.

Ndërkohë, kërkoi që pavarësia e Kosovës të njihet nga pesë vendet mos njohëse të BE-së

​Scholz i kërkon Kurtit konstruktivitet në dialog

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz ka kërkuar konstruktivitet në dialog nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Pas takimit të përbashkët në Berlin, kancelari gjerman tha se kohën e sotme kur po ndodh lufta në Ukrainë, është e rëndësishme në Ballkanin Perëndimor të zgjidhen problemet.

Ai tha se objektivi i dialogut është marrëveshja e gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Krahas kësaj në një konferencë për medie me Kurtin, kancelari gjerman shtroi nevojën e përparimit të shpejtë për liberalizimin e vizave. Ndërkohë kërkoi bashkëpunim rajonal përmes Procesit të Berlinit. Kancelari gjerman e vlerësoi si pozitive pozicionin e Kosovës pas agresionit rus në Ukrainë.

Takimi Scholz-Kurti, gjithçka gati për adresim para mediave

Gjithçka është  gati për konferencën për media të kryeministrit Albin Kurti e kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Berlin.

Takimi ndërmjet tyre tashmë ka filluar dhe kurse rreth orës 16:30 minuta, pritet që Kurti e Scholz tu drejtohen medieve.

Sipas agjendës, Kurti e Scholz do të pranojnë vetëm nga dy pyetje secili.

Kryeministri ​Kurti nis takimin me Kancelarin Scholz në Berlin

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, pret në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në Berlin, ata do të zhvillojnë një takim, i cili do të pasohet nga mbajtja e një konference për media të të dy zyrtarëve të lartë.

Kancelari Scholz do të presë në takime dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq ndërkohë që kryeministri kosovar, do të ketë edhe një takim me ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Në Berlin me ftesë të kancelarit Scholz po qëndron edhe Miroslav Lajçak, i dërguariI posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi I cili në orën 19:45 minuta, do të ketë një darkë joformale me kryeministrin Kurti e presidentin Vuçiq.

Ky është takimi i parë i kryeministrit Kurti me kancelarin gjerman, prej që ky i fundit mori këtë detyrë, muaj më parë, nga paraardhësja Angela Merkel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat