Edi Rama i tronditur / Kryeministri i Shqipërisë në prag të stuhisë

Aktuale

Edi Rama i tronditur / Kryeministri i Shqipërisë në prag të stuhisë

Nga: Idriz Morina Më: 10 maj 2022 Në ora: 11:38
Edi Rama, jashtë kontrollit

Edi Rama ka disa javë, që në takime publike paraqitet me një pamje të rënduar të figurës së tij. Rrallëherë është parë në publik, që në vazhdimësi të duket me një mimikë që e tradhton.

Të paktën për vite të tëra edhe kur ka shfaqur shenja tensioni të pakontrolluar, ai është paraqitur me buzëqeshje, me një mimikë fytyre, që shprehte dhe emocionet, pavarësisht se mund të mos i kontrollonte ato. Por, tash, mimika e tij e ngrysur, pavarësisht nëse akuzon kundërshtarët apo ndonjë institucion, si SPAK-un, është e ngrirë.

Tërbimi i brendshëm

Sigurisht se psikologët apo psikiatrit mund të thonë më shumë, por gjuha e tij e trupit-fytyrës, po shpreh një gjendje të vazhdueshme, tensioni të brendshëm, që e ka bërë të ç’akorduar të folurën e tij në raport me emocionin shprehës, në këtë rast me mimikën e fytyrës.

Muskujt e fytyrës i rrinë të ngrirë, ngjyra e lëkurës thuajse e mavijosur, dhe e paoksigjenuar, duke u përpjekur ta fsheh tërbimin e brendshëm, që pavarësisht zërit të lartë, të folurit e tensionuar, agresivitetit maksimal në të shprehur, duke moskursyer asnjëllojë fjale, deri tek ato më neveritëset e thuaja demoniake, kur flet për Berishën, “I vdekuri i gjallë”, ‘i gjalli i asaj bote të vdekurish’, dhe gjithfarë fjalori morbid, ai nuk e shkarkon dot emocionin, që si thonë, shqiptarët i është lidhur në fyt, në grykë.

Pra, fjalët e tij urrejtëse nuk e shkarkojnë dot botën e tij të brendshme, të padukshme, dhe që tash duket se konvergjon në një botë të errët.

Por, pse po e kalon një periudhë kaq ankthioze apo edhe më të rëndë?

Ndërsa, ai duket para opinionit se është në pozicion shumëherë më të mirë se Sali Berisha, i cili përveç se ballafaqohet me shpalljen ‘non grata’ nga SHBA-të, dhe ndodhet edhe para kritikave të vazhdueshme të ambasadores amerikane Juri Kim, Rama ndihet shumë më keq.

Image
Ambasadorja amerikan Juri Kim, mosndërhyrje në drejtësi

Rama, që nga dita e mbajtjes së Kongresit të Partisë Socialiste, të cilën ende e kontrollon, ku u shfaq si asnjëherë më parë edhe para forumeve partiake dhe opinionit, po me retorikën aspak njerëzore, dhe madje fyese për opinionin, me ‘të vdekurin e gjallë’ etj., aty e shfrytëzoi rastin t’i bënte thirrje SPAK-ut, që të vepronte dhe ta arrestonte Sali Berishën.

Këtë fjalor, që në esencë ka mesazhet e vdekjes dhe të botës së përtejme, e gjejmë edhe në mesazhin që ka dhënë për vet SPAK-un, duke e konsideruar ‘mumje’.

“Roli i mumjes, përballë rreshtit të gjykatësve e të prokurorëve, që Vetingu i nxori katran me bojë apo mbi dosjet e skandaleve legjendare të krimit shtetëror, nuk mund të tolerohet më”, ka thënë Rama pak ditë më parë.

Mumjet sot janë zbuluar gjithandej në botë, derisa më parë konsideroheshin kryesisht, procedurë e balsamosjes së faraonëve në Egjiptin e lashtë, të cilët edhe kishin arritur ta krijonin një nga teknikat më të mira të mumifikimit, duke u munduar t’i jepnin një lloj pavdekësie apo vazhdimësie të jetës edhe në botën e përtejme.

Por, me kohë u zbulua se procedura të tilla ishin shumë të zhvilluara edhe në kulturat e lashta në kontinentet amerikane, pastaj në Kinë dhe në kultura të tjera. Po ashtu ka raste të ‘mumifikimit’ natyror, ruajtja e trupit nga thellësia e ngricave ku kanë ngelur apo edhe në shkretëtira të ashpra.

Image
Edi Rama, me kompleksin e tanatosit.

 

Kjo sintagmë ‘Roli i mumjes’, pra duke i konsideruar ‘të vdekur të gjallë’ edhe prokurorët dhe institucionin SPAK, përtej retorikës flet për botën e rënduar psikologjike, gjendjen e rënduar mendore, dhe pazotësinë e kontrollit të emocioneve.

Në aspektin psikologjik, kjo nënkupton, se Rama, nëse dështon në politikë, rrëzohet nga pushteti, për të është edhe fundi i jetës! Një karakteristikë kjo e përbashkët për autokratët dhe diktatorët.

Përsëritja e vazhdueshme e kësaj thirrje, që konsiderohet ndërhyrje flagrante në drejtësi, e bëri që ta kritikonte edhe ambasadorja Juri Kim, e cila bëri thirrje që të mos ndërhynte në drejtësi.

Rama i lidhur me botën e krimit

Sigurisht nuk është ky qëllimi i shkrimit, por thjesht materiali i jashtëm, për të evidentuar gjendjen, dhe për të gjetur shkaktarët.

Edi Rama, sipas mediave në Shqipëri dhe njohësve të dokumenteve të skandalit me inceneratorët, theksojnë se Rama ishte i përfshirë drejtpërdrejt në këtë çështje të paligjshme, që çoi në zhvatjen e qindra miliona eurove nga shteti.

Ky superskandal nuk mund të mos i drejtojë hetimet ndaj vetë Edi Ramës, qoftë edhe pa u bërë publike nga organet e hetuesisë.

Një shqetësim tjetër si duket, të rëndë ia ka krijuar ish-prokurori Arjan Ndoj, i cili më 1 nëntor 2019 në autostradën Tiranë-Durrës duket se ka qenë cak i një atentati, ku vetë ky mbeti i plagosur, por shoferi i tij Andi Maloku mbet i vdekur nga plagët. Po ashtu ishte plagosur edhe një shok i Ndojit Aleksander Laho.

Image
Vendi i atentatit, të cilit Ndoji i mbijetoi

Ky prokuror që punonte në Durrës me 6 maj është shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, që njihet si proces i vetingut, ku kërkohet verifikimi i besueshmërisë së personalitetit në raport me punën dhe detyrimet.

Sipas komisionit Ndoji, ka rënë në dy shtyllat e verifikimit, të pastërtisë së figurës dhe të aftësive profesionale.

Pas vendimit për largimin e tij nga sistemi i drejtësisë, Ndoji kishte paralajmëruar se do të ankohej ndaj vendimit në gjykatën e Strasburgut.

Edhe atë kohë, sipas raportimeve në mediat e Shqipërisë, dyshohej se prokurori Ndoji u shënjestrua nga qeveria pasi kishte arritur ta arrestonte ish-drejtorin e Kadastrës Liridon Pula. Në mbrojtje të të arrestuarit Pula kishin dalur zv.kryeministri Erion Braçe dhe vetë kryeministri Edi Rama. Dosja, sipas raportimeve të mediave, kishte të bënte me toka në bregdetin e Durrësit.

Ky rast ishte i mjaftueshëm që Ndoji ta cilësonte shkarkimin e tij si sulm politik. Por, për të argumentuar më tej tezën e tij, prokurori kërkoi që të kontrolloheshin tabulatet telefonike të kryeministrit Rama, pasi sipas pretendimit të Ndojit, ato do të zbulonin lidhjet e tij me persona të botës së krimit.

Sipas Ndojit, ai gjatë hetimeve të një të dyshuari për krime, kishte zbuluar se subjekti që po e hetonte komunikonte me kryeministrin Rama

“Meqë tabulatet e mia telefonike i kanë marrë me telefonata, me kontakte, me subjekte politike, të bëjnë të njëjtën gjë edhe për një subjekt që kam pasur nën hetim dhe ka patur komunikim të drejtpërdrejtë me Kryeministrin”, është shprehur Ndoji në seancën e vetingut për të.

Kjo gjendje, përkatësisht njohuritë që kishte Ndoji, e kishin shtyrë kryeministrin Rama, që ta sulmonte Ndojin, edhe në Kuvendin e Shqipërisë: “Një prokuror në Durrës bashkëpunon me bandat kriminale dhe shantazhon nëpunësit e shtetit”.

Image
Prokurori Ndoji, dhe viktimat e atentatit, një i vdekur e një i plagosur

Beteja e Ndojit, kthehet kundër Ramës

Disa muaj më vonë, Ndoji u shkarkua. Por, kjo ka rikthyer një tjetër betejë.

Tashmë ky rast po shfrytëzohet nga ish-kryeministri Sali Berisha. Ai kërkoi në dje ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar bazuar në dëshminë e prokurorit Ndoja, se tabulatet e hetuara nga ai dëshmonin regjistrime të kryeministrit Rama duke komunikuar me të paktën një të dyshuar për krim.

Berisha madje kërkon hetim nëse Edi Rama mund të ketë qenë i përfshirë apo të të ketë pasur gisht në atentatin ndaj prokurorit Ndoja.

“Kërkoj një komision hetimor urgjent parlamentar për dëshminë publike të prokurorit Arjan Ndoja, i cili thotë se e kam të regjistruar kryeministrin duke diskutuar me banda dhe banditë... Kishte gisht Edi Rama pas atij atentati, kjo do hetim. Çfarë ka pasur në tabulatet që prokurori Ndoji e denoncon me guxim, kjo do hetim... Nuk janë vetëm këto tabulate që kompromentojnë Edi Ramën dhe ministrat e tij, telefoni i famshëm BQ është në analizë. Do zbardhen mesazhet e tyre”, ka thënë Berisha në Kuvend.

Pasuria e Ramës

Por, nuk janë vetëm këto raste dyshimi. Edi Rama dyshohej se kishte një pasuri përrallore thuaja, para shumë e shumë vitesh. Në vitin 2014, një raport i OSBE-së shprehte dyshimin se Rama mund të kishte një pasuri ofshore prej 200 milionë eurosh.

Po ashtu sipas akuzave nga Berisha, dëshmive të tij, Rama merr para nga oligarkët në vazhdimësi.

Po ashtu edhe raportet e shërbimeve të inteligjencës, si ai i SHISH-it, që theksojnë se në Shqipëri ka një ndikim të rritur të shërbimeve armiqësore në politikë dhe sferat tjera, pastaj si Raporti i Freedom House, se mediat në Shqipëri thuajse në plotëni kontrollohen nga shërbimet serbe, ruse, kineze, greke, iraniane, bullgare etj., janë dëshmi se Rama ndodhet nën trysni të fuqishme të shërbimeve perëndimore dhe mbase edhe nga vet SHISH-i.

Rama e ka kthyer vendin në një ‘det droge’, apo siç akuzohet nga opozita e ka bërë Shqipërinë një ‘narkoshtet’!

Këto dhe të tjera dëshmi, që mund të jenë nën hetimin e SPAK-ut dhe të një trysnie të shtuar ndërkombëtare mund ta bëjnë Ramën, edhe më të cenueshëm. Kështu ndjenjat e tija, si narcizmi, psikozat, dhe të tjera ndijime neurologjike, që identifikojnë tek ai psikologët klinik dhe psikiatrit, e kombinuar me gjendjen e një përdoruesi apo të varuri nga drogat, e shtyjnë të identifikohet me rrezikshmëri të lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat