​Hadri tregon kur e ka parë Calin në Zllash, tregon detaje nga veprimtaria e tij gjatë luftës

Aktuale

​Hadri tregon kur e ka parë Calin në Zllash, tregon detaje nga veprimtaria e tij gjatë luftës

Më: 11 maj 2022 Në ora: 14:28
Teuta Hadri

Dëshmitarja e katërmbëdhjetë e mbrojtjes së Salih Mustafës, Teuta Hadri ka thënë se në fshatin Zllash ka shkuar më 16 prill të vitit 1999 dhe ka qëndruar tre ditë ku ka dhënë ndihmë mjekësore për të plagosurit. Ajo i ka thënë trupit gjykues se në ditën e tretë i kanë nxjerrë të plagosurit dhe civilët nga ajo zonë për shkak të fillimit të ofensivës, ku sipas saj edhe e ka takuar Salih Mustafën të cilin në atë periudhë ajo e ka njohur vetëm si komandant Cali. Hadri ka thënë se në Zllash nuk ka pasur njerëz të ndaluar dhe as roje përreth shtëpive ku kanë qëndruar.

Dëshmitarja është përgjigjur në pyetjet e avokatit të mbrojtjes Betim Shala.

Avokati Shala: Gjatë kohës ku ju keni qenë në Zllash, a keni parë që një ndërtesë specifike në atë pjesë ku keni qenë ka pasur roje, është ruajtur nga ushtarët?

Dëshmitarja Hadri: Nuk ka pasur.

Avokati Shala: Gjatë kohës sa keni qenë ju në Zllash a keni parë që është ndaluar ndonjë ushtarë apo ndonjë civil?

Dëshmitarja Hadri: Nuk është ndaluar dhe nuk kam parë që kanë ndaluar, aty kanë hy civilë nga fshati, me uniformë njerëz dhe pa uniformë, dhe ajo zonë ku ne kemi qenë ajo ka qenë zonë që më shumë kanë hyrë edhe njerëzit civilë, njerëz të lirë, aty ka pasur gra dhe fëmijë, Famtir Humolli e ka pasur gruan me gjithë familjen, me babë me fëmijë, aty nuk ka pasur mundësi të ndalohet dikush dhe të ketë diçka.

Dëshmitarja Hadri ka thënë se ofensiva në atë zonë kishte filluar më 18 prill të vitit 1999.

Hadri: Ofensiva ka filluar më 18 prill 1999

“Ofensiva ka filluar më 18 prill, ka filluar në mëngjes dhe jemi informuar nga ushtarët nuk kanë dalë komandantët, ata kanë bërë organizimet e veta, dhe kanë lajmëruar edhe teknikët medicinalë ‘doktoreshë të bëhemi gati se serbët po vijnë, forca të mëdha’, dhe filluan granatimet më 18 prill në mëngjes dhe ne jemi sistemuar, ushtarët në pikën e parë, neve na thanë mjekëve të dilni në pikën e dytë që kur ka të plagosur t’i tërheqim dhe t’u japim ndihmë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se në kohën e ofensivës e kishte takuar për herë të parë Salih Mustafën.

Hadri: Calin e kam takuar një natë para ofensivës në Zllash

“Unë për herë të parë e kam parë një natë para ofensivës dhe ditën kryesisht si Cali e kam kuptuar ditën e ofensivës, një natë përpara vetëm si ushtar i UÇK-së i veshur si gjithë ushtarët e tjerë që merrnin pjesë aty në oborrin e shtëpisë kur kanë ecur i kemi përshëndetë si ushtarakë. Ndërsa ditën e 18, ditën e ofensivës e kam kuptuar vetëm me nofkën e tij Cali, i kam pyetur ushtarët sepse Cali ishte një komandat pedant i shkathët, ai djalë kishte lënë lirinë e vet, në vend se me ikë në Gjermani ai vinte aty me i mbrojt qytetarët, me mbrojt ushtrinë, me furnizime me ushqim me barna, krejt ato kanë qenë organizim i ushtarëve të UÇK-së. Më 18 kam pyetur kur është bërë ofensiva e madhe, kam pyetur kush është ky djalë, aty e kam kuptuar se është Cali”, ka thënë Hadri.

Ajo ka deklaruar që në atë periudhë e kishte njohur atë vetëm me emrin Cali ndërsa kur është ngritur aktakuza e ka kuptuar se emri i tij është Salih Mustafa.

Hadri: E falënderoj Calin dhe ushtarët e UÇK-së, falë tyre dhe unë sot jam gjallë

“Publikisht e falënderoj Calin dhe ushtarët e UÇK-së sepse falë tyre edhe unë sot jam gjallë, në organizmin që e kanë bërë të na mbrojtur neve, personelin e shëndetësisë, të plagosurit dhe civilët, për ndihmën që e kanë dhënë”, ka thënë ajo.

Teuta Hadri, e cila është mjeke me profesion, do të vazhdojë dëshminë e saj duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorisë.

Ajo është dëshmitarja e 14 e mbrojtjes së Salih Mustafës.

Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat