Berisha Sveçlës: Askush nuk mund të gradohet në Polici, nëse nuk është i afërm i juaji

Aktuale

Berisha Sveçlës: Askush nuk mund të gradohet në Polici, nëse nuk është i afërm i juaji

Më: 19 maj 2022 Në ora: 15:39
Bekë Berisha

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka kërkuar sjelljen në Kuvend të strategjisë së sigurisë kombëtare të Kosovës.

Në debatin parlamentar për gjendjen e sigurisë në vend, deputeti opozitar tha se institucioni i FSK-së duhet të jetë prioritet mbi prioritete për ekzekutivin.

“Ky institucion të shihet si prioritet mbi prioritete për shkak se pa siguri nuk ka zhvillim ekonomik, s’ka funksionim të asnjë institucioni dhe nuk ka shtet. Kurrë nuk duhet të harrojmë që ushtria e Kosovës përveç që e kemi amanet e cila themelet i ka në gjakun e heronjve tonë, po ashtu është ushtri që synon ti bashkohet ushtrive moderne të aleancës së NATO-s. Andaj sjellja në Kuvend e strategjisë së sigurisë kombëtare të Kosovës është prioritet mbi prioritetet. Njëkohësisht sigurimi i kushteve dhe armatimi i kësaj ushtrie me mjete moderne”, tha ai.

Berisha kritikoi ekzekutivin edhe për nepotizmin dhe kapjen e Policisë së Kosovës.

“Nëse e keni pasur gojën plotë në luftën ndaj nepotizmit dhe kapjes së shtetit, ajo çka dua të them është se askush nuk mund të gradohet në polici, nëse nuk është i afërm i juaji dhe nuk është në funksion të plotë të politikës suaj. Policia po fillon të politizohet dhe jo profesionalizohet. Nëse kemi folur për kapje, në fakt kuptimin e plotë të fjalës kapje po e bëni tani. Andaj duart larg nga policia”, shtoi Berisha.

Ndërkohë kërkoi nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë që mos të ketë aktivitet politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat