IKSHPK jep detaje rreth Lisë së majmunëve, në Kosovë ende asnjë rast

Aktuale

IKSHPK jep detaje rreth Lisë së majmunëve, në Kosovë ende asnjë rast

Nga: M.L. Më: 23 maj 2022 Në ora: 15:49
Foto ilustrim

Ministria e Shëndetësisë, në koordinim me Institutin Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, nëpërmjet një komunikate për medie njofton qytetarët se po përcjell me vëmendje epidemiologjinë e Lisë së Majmunëve, që nga paraqitja e rasteve të para jashtë kontinentit të Afrikës, në SHBA, Evropë dhe Izrael, me mbi 100 raste të raportuara deri më tani.

IKSHPK njofton se në Republikën e Kosovës, nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë, sa i përket Lisë së Majmunëve.

“Po ashtu, IKSHPK ka përpiluar dokumentin e parë, me rekomandime dhe masa për institucionet shëndetësore sa i përket sëmundjes së lisë së majmunëve, i cili është shpërndarë të gjitha institucioneve shëndetësore në vend, dhe do të përditësohet me të dhënat e reja.

Ju njoftojmë se jemi në komunikim t vazhdueshëm me OBSH-në dhe ECDC-në, për vlerësimin e rrezikshmërisë dhe rekomandimeve për masat që duhet ndërmarrë për sëmundjen në fjalë.

Sa i përket furnizimit me vaksina për një sëmundje të tillë, IKSHP njofton se vaksina ende nuk është e disponueshme për distribuim dhe ekziston në botë vetëm vaksina kundër Variola Vera.

IKSHPK në vazhdimësi po monitoron nga afër situatën epidemiologjike në shtetet e rajonit dhe në botë, dhe konform situatës do të njoftoheni menjëherë në kohë reale”, thuhet në njoftim.

Disa informacione për lijën e majmunëve:

• Lija e majmunëve shkaktohet nga virusi i lisë së majmunëve, anëtar i gjinisë Orthopoxvirus në familjen Poxviridae;

• Lija e majmunëve është sëmundje zoonotike virale që shfaqet kryesisht në zonat tropikale të pyjeve të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore dhe herë pas here eksportohet në rajone të tjera;

• Lija e majmunëve zakonisht shfaqet klinikisht me ethe, skuqje dhe ënjtje të nyjeve limfatike dhe mund të çojë në sërë komplikimesh mjekësore;

• Lija e majmunëve është zakonisht sëmundje me simptoma të kufizuara që zgjasin nga 2 deri në 4 javë. Mund të ndodhin raste të rënda. Kohët e fundit, raporti i fatalitetit të rasteve ka qenë rreth 3-6%;

• Lija e majmunit transmetohet te njerëzit nëpërmjet kontaktit të ngushtë me person ose kafshë të infektuar, ose me material të kontaminuar me virusin;

• Virusi i lisë së majmunit transmetohet nga një person te tjetri nëpërmjet kontaktit të ngushtë me lezione, lëngje trupore, pika të frymëmarrjes dhe materiale të kontaminuara si shtrati;

• Paraqitja klinike e lisë së majmunëve i ngjan asaj të lisë, një infeksion i lidhur me ortopoksvirusin i cili u shpall i çrrënjosur në mbarë botën në vitin 1980. Lija e majmunëve është më pak ngjitëse se lija dhe shkakton sëmundje më pak të rënda;

• Vaksinat e përdorura gjatë programit të çrrënjosjes së lisë ofruan gjithashtu mbrojtje kundër lisë së majmunëve. Janë zhvilluar vaksina më të reja nga të cilat njëra është miratuar për parandalimin e lisë së majmunëve;

• Një agjent antiviral i zhvilluar për trajtimin e lisë është licencuar gjithashtu për trajtimin e lisë së majmunëve.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat