Reagon BSPK-ja: Nuk e përkrahim protestën për tërheqjen e kursimeve nga Trusti

Aktuale

Reagon BSPK-ja: Nuk e përkrahim protestën për tërheqjen e kursimeve nga Trusti

Më: 25 maj 2022 Në ora: 22:58
BSPK

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës përmes një komunikate për media ka deklaruar se nuk e përkrah protestën që do të mbahet të enjten para Kuvendit të Kosovës për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve nga Trusti.

Adnan Jashari, organizator i kësaj proteste, në një prononcim për telegrafin të mërkurën tha se kanë marrë mbështetjen e qytetarëve, por edhe të BSPK-së.

Megjithatë, kjo deklaratë sipas BSPK-së është e pavërtetë.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës është gardian i mbrojtjes së të drejtave të të punësuarve në Republikën e Kosovës, dhe ka strategjinë e tij vepruese që mbështetet fuqishëm po në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve e në promovimin e po të këtyre të drejtave, dhe po ashtu kujdeset që të mbrojë edhe pastërtinë e veprimit të vet nëpërmjet hierarkisë organizative e menaxhuese”, thuhet në reagimin e tyre.

“Prandaj na duhet të reagojmë në prononcimin e organizatorit të protestës së nesërme, 26 maj 2022, për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti), z. Adnan Jashari, duke treguar se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk i ka dhënë asnjë përkrahje kësaj proteste”, thuhet tutje.

Të enjten e 26 majit në orën 12:00 do të protestohet para Kuvendit të Kosovës me kërkesën për t’u lejuar tërheqja e 30 për qind e mjeteve të Trustit.

Lajmin e ka bërë të ditur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

“Të enjten protestohet për Trustin, qytetarët kërkojnë tërheqjen deri në 30%”, ka shkruar Haxhiu.

“Pasi që shumicës në grup iu përshtat ora 12:00 për të protestuar të enjten, ashtu e vendosëm! Pra të enjten protestojmë në mënyrë paqësore para Kuvendit të Kosovës, dhe ju bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të votojnë Projektligjin për tërheqje 30 % të Trustit”, ka shtuar ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat