Sot mbahet konferenca “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”

Aktuale

Sot mbahet konferenca “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”

Më: 11 qershor 2022 Në ora: 08:14
Foto ilustrim

Federata Universale e Paqes mban sot konferencën e Lidershipit në Ballkan “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”. Konferenca bën bashkë udhëheqës të shquar nga vendet e Ballkanit, institucionet rajonale dhe vendet evropiane.

Konferenca sponsorizohet nga Federata Universale e Paqes (UPF), në partneritet me Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, Washington Times Foundation, Shoqatën Ndërkombëtare të Mediave për Paqe (IMAP), dhe Shoqatën Ndërkombëtare të Rinisë dhe Studentëve për Paqe (IAYSP).

Konferenca mbahet nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sot ( e shtunë), në ora 10:00 në Swiss Diamond Hotel në Prishtinë. Transmetimi i kësaj ngjarje do të bëhet nga Agjencia e lajmeve KosovaPress.

Sesionet dhe temat që do të trajtohen janë:

SESIONI 1: “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”
SESIONI 2-A: “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”
SESIONI 2-B: “Raportimi Etik në Situata Konflikti”
SESIONI 3-A: “Rritja e Besueshmërisë së Gazetarisë në Ballkan”
SESIONI 3-B: “Ndërveprimi i të rinjve dhe e ardhmja e Ballkanit”

ORGANIZATORËT E KONFERENCËS:

Federata Universale e Paqes (UPF) - është OJQ me Status të Përgjithshëm Konsultativ në Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara (ECOSOC). UPF është një rrjet global individësh dhe organizatash të dedikuara për ndërtimin e një bote paqeje, të përqendruar në vlerat universale shpirtërore dhe morale. UPF dhe rrjeti i saj global i Ambasadorëve të Paqes punojnë për të zgjidhur konflikte dhe për të pajtuar familjen e ndarë njerëzore.

KosovaPress - U themelua në vitin 1999. KosovaPress është Agjenci e Lajmeve e cila bashkëpunon me mediat rajonale dhe evropiane. Nga shtatori i vitit të kaluar deri në shtator të këtij viti, KosovaPress ka kryesinë e Asociacionit të Agjencive Ballkanike të Lajmeve në Evropën Juglindore (ABNA) të përbërë nga 12 agjenci të lajmeve.

Washington Times Foundation - E themeluar në vitin 1982, Washington Times është e përditshmja e dytë më e madhe në Uashington, DC. Washington Times Foundation, i themeluar në vitin 1984, është një organizatë jofitimprurëse e cila ka zhvilluar programe për të promovuar vlerat e familjes, lirisë dhe besimin.

Shoqata Ndërkombëtare e Rinisë dhe Studentëve për Paqe (IAYSP) - është një OJQ e themeluar në vitin 2017 për të ofruar një platformë konkrete mbështetëse për zhvillimin e të rinjve dhe për t'i inkurajuar ata të shfaqin talentet dhe aftësitë e tyre, për të ndërtuar një botë paqeje. IAYSP fuqizon të rinjtë dhe studentët të bëhen qytetarë globalë përmes edukimit për zhvillim personal dhe projektet e paqes që mbështesin Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së.

HISTORIKU:

Që nga viti 2006, Iniciativa e Paqes në Ballkan ka qenë fokusi kryesor i UPF-së në rajonin Evropë-Lindje e Mesme. Tre dekada pas shpërbërjes së Jugosllavisë, megjithëse rajoni ka arritur stabilitet të përgjithshëm, tensionet mbeten, të përkeqësuara nga konkurrenca ndërkombëtare midis superfuqive. Për të zgjidhur konfliktet historike midis popujve dhe kombeve, UPF po zhvillon konsultime mes liderëve politikë, socialë, mediatikë dhe fetarë në rajon, si dhe me liderët nga komuniteti më i gjerë evropian, për të shqyrtuar rrugët drejt paqes në Ballkan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat