Urdhërarresti për Molliqajn, reagojnë nga PSD-ja: Gjykata të publikojë dëshmi mbi dërgimin e rregullt të ftesave

Aktuale

Urdhërarresti për Molliqajn, reagojnë nga PSD-ja: Gjykata të publikojë dëshmi mbi dërgimin e rregullt të ftesave

Më: 15 qershor 2022 Në ora: 11:37
Dardan Molliqaj

Partia Socialdemokrate ka reaguar pasi Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndaj kreut të kësaj partie, Dardan Molliqajt, pasi i njëjti ka munguar në seancën e së mërkurës, ku duhej të paraqitej si i dyshuar për veprën penale të sulmit ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosjes, Haki Abazi.

Natyra Kuçi, anëtare e kryesisë së PSD-së, ka thënë se për urdhërarrestin janë njoftuar nga mediat, pasi sipas saj, Molliqaj deri më tash nuk ka pranuar asnjë ftesë të rregullt nga gjykata.

Përmes një reagimi në Facebook, Kuçi ka thënë se lëshimi i këtij urdhërarresti është nxjerrë në shpërputhje me kushtet e parapara ligjore.

Ndaj, ka ftuar gjykatën të publikojë dëshmi mbi dërgimin e rregullt të ftesave.

“Mungesa e një dëshmie të tillë, dëshmon qartë se të drejtat e z. Molliqaj i janë cenuar nga lëshimi i këtij urdhërarresti. Gjykata dhe organet e policisë e kanë adresën e saktë të banimit të z. Molliqaj, atë të zyrës së tij të punës dhe të gjitha kontaktet e tij, mirëpo qartazi ata nuk i kanë përdorur ato dhe kanë lëshuar pa asnjë arsye këtë urdhërarrest”, ka shkruar ajo.

Tutje, ka thënë se Molliqaj do të vazhdojë agjendën e tij të përditshme të punës si çdo ditë tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat