​Kurti: Po ndalim një padrejtësi dhe gjakderdhje financiare

Aktuale

​Kurti: Po ndalim një padrejtësi dhe gjakderdhje financiare

Më: 22 qershor 2022 Në ora: 12:40
Qeveria e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se udhërrëfyesin për energjinë të dakorduar dje në Bruksel, buxhetit të Kosovës do t’i kursehen dhjetëra milionë euro në vit të paguara më herët për të mbuluar kostot energjetike të veriut të vendit. Në mbledhjen e qeverisë, Kurti ka thënë se kanë trashëguar shumë probleme që nuk kanë dashur por sipas tij po bëjnë më të mirën për zgjidhjen e tyre.

Kurti ka thënë se katër komunat në veri të vendit do të kalojnë në një rend të rregullt të furnizimit, faturimit dhe inkasimit të pagesave për konsumin e energjisë elektrike, në bazë të sistemit rregullativ dhe ligjor të Republikës së Kosovës.

Kurti: Po bëjmë më të mirën çfarë kemi trashëguar

“Udhërrëfyesi i dakorduar në takimin e djeshëm në Bruksel do ta mundësojë këtë. Bashkimi Evropian do ta mbikëqyrë zbatimin e këtij dakordimi, e me zbatimin e këtij udhërrëfyesi do të mundësohet përfundimi definitiv i një problematike të trashëguar të pagesës së energjisë në katër komunat në veri të vendit. Kemi trashëguar shumë gjëra që nuk kemi dashur, po bëjmë më të mirën çfarë kemi trashëguar. Siç jemi zotuar, pas 20 vitesh po ndalim një padrejtësi dhe gjakderdhje financiare në këtë pjesë dhe po përfundojmë një problematikë në sektorin e energjisë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë se sektori i energjisë është prioritar për Qeverinë e Kosovës.

Kurti: Zbatimi i udhërrëfyesit për energjinë do të mundësojë trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve

“Ne kemi marrë përsipër detyrën e rëndësishme të një strategjie kombëtare të energjisë në mënyrë që sektori ynë i energjisë të niset për një tranzicion të drejtë energjetik, tranzicion i cili do të diversifikojë miksin e energjisë, do të ruaj sigurinë e furnizimit, do të promovojë energjinë e pastër dhe bashkëpunimin rajonal në radhë të parë me Shqipërinë por edhe me vendet e tjera. Strategjia e energjisë 2022-2031, do të finalizohet përmes proceseve demokratike, transparente dhe gjithëpërfshirëse...Trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve të republikës sonë, në raport me konsumin dhe pagesën e energjisë elektrike, do ta mundësojë zbatimi i udhërrëfyesit të dakorduar dje. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që transformimin e sektorit të energjisë ta bëjë duke siguruar drejtësi sociale”, ka shtuar Kurti.

Të martën në Bruksel delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, kanë arritur pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për energjinë.

Qytetarët në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, do të paguajnë energjinë elektrike të cilën e shpenzojnë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat