“Pse janë vizat kaq të rëndësishme për ju?”, Osmani flet para nisjes së Samitit të BE-së

Aktuale

“Pse janë vizat kaq të rëndësishme për ju?”, Osmani flet para nisjes së Samitit të BE-së

Nga: Bota sot Më: 23 qershor 2022 Në ora: 08:57 Përditësuar në ora: 10:23 më 23.06.2022
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Osmani: BE të kuptojë që ne meritojmë të ecim përpara

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se nuk dëshiron t’i rrisë pritshmëritë për liberalizimin e vizave ani pse ka theksuar se shpreson për një progres në këtë drejtim. Para Samitit të BE-së, ajo ka thënë Kosova i përket familjes evropiane të kombeve për çka edhe ka kontribuar me shekuj për vlerat mbi të cilat Bashkimi Evropian qëndron sot.

Presidentja e Kosovës ka thënë se po merr pjesë në samit për të dërguar një mesazh të fortë në emër të popullit të Kosovës se vendi ka nevojë për të dëgjuar një zë të qartë nga Bashkimi Evropian.

Osmani: Nuk dua t’i rrisë pritshmëritë për liberalizmin e vizave sepse ky proces nuk është më në duart tona

“Sigurisht shpresojmë se po, megjithatë, nuk dua t'i rris pritshmëritë në këtë moment sepse ky proces nuk është më në duart tona. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, katër vite më parë. Ne i jemi përgjigjur të gjitha shqetësimeve të shteteve anëtare dhe tani është koha që shtetet anëtare të vërtet ta mbështesin këtë proces sepse është një padrejtësi e madhe ndaj popullit të Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për lëvizje ë lirë, andaj sipas saj, ka ardhur koha që edhe vendet anëtare të dëgjojnë zërin e popullit të tyre.

Osmani: Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim e vizave

“Bëhet fjalë për parimin bazë të lirisë së lëvizjes, qindra miliona njerëz nga Evropa, dhe nga jashtë Evropës, deri në Venezuelë, kanë të drejtën e udhëtimit pa viza, ndërsa populli i Kosovës me më pak se 2 milion, ende nuk e kanë atë të drejtë. Ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret katër vite më parë. Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave. Parlamenti Evropian, me shumicë dërrmuese ka votuar pro liberalizimit të vizave. Pra, mendoj se ka ardhur koha që edhe vendet anëtare të dëgjojnë zërin e popullit të tyre, gjë që u reflektua në vendimet e Parlamentit Evropian.

Presidentja e vendit ka thënë se Bashkimi Evropian është alternativa e vetme për të cilën Kosova vazhdon të punojë.

Por sipas saj, ata që besojnë se mund të ecin në rrugën e Moskës nuk e meritojnë të jenë në rrugën e BE-së.

Osmani: Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor meritojnë të shprehin zërin e popullit të tyre

“Besoj se ata do të flasin në emër të tyre për Kosovën, vullneti i popullit për integrimin Euro-Atlantik mposht gjithçka tjetër. Ne kurrë nuk kemi shikuar askund tjetër. Kjo është alternativa e vetme për të cilën kemi punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë. Durimi ynë nuk do të venitet. Pra, për këtë arsye, unë besoj se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor meritojnë të jenë sot këtu për të shprehur pikëpamjet e tyre dhe për të shprehur zërin e popullit të tyre. Dhe sigurisht, ata që me të vërtetë janë të vendosur të ecin në rrugën e BE-së, ata duhet të vazhdojnë përpara. Ata që besojnë se mund të ecin në rrugën e Moskës, në rrugën e Putinit si dhe në rrugën e BE-së, nuk e meritojnë të jenë në rrugën e BE-së, sepse nuk mund të ecësh në të dyja rrugët njëherësh”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se mbështesin negociatat e pranimit si për Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe për Shqipërinë, duke shtuar se ka ardhur koha që vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor të ecin përpara.

Gjithashtu, ajo ka thënë se e mbështesin plotësisht statusin e kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë, duke shtuar se ata e meritojnë këtë njësoi si populli i Kosovës.

Osmani: BE të kuptojë që ne meritojmë të ecim përpara

“Kështu që unë me të vërtetë shpresoj që ndërsa Ukraina dhe Moldavia të ecin përpara, në të njëjtën kohë, BE-ja do të kuptojë se edhe ne, që jemi pjesë e zemrës së Evropës, meritojmë të ecim përpara, sepse, siç thashë, nëse BE-ja nuk jep një sinjal të unifikuar e të qartë ndaj Ballkanit Perëndimor, aq më shumë faktorë të tjerë keqdashës do ta përdorin atë hapësirë dhe atë vakum”, ka shtuar Osmani. 

Osmani për Serbinë: Në BE s’mund të shkojë asnjë vend që ndjekë rrugën e Rusisë

Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se në Bashkimin Evropian nuk mund të shkojë asnë shtet, i cili sipas saj ndjekë edhe rrugën e Rusisë, duke iu referuar Serbisë.

Ajo, para mediave ndërkombëtare në Bruksel, ka deklaruar se nuk mund të  ecet në dyja rrugët përnjëherë, dhe se mundësia duhet t’u jepet atyre që janë vetëm drejtë rrugëtimit euroatlantik.

“Vullneti i kosovarëve për integrimin euroatlantik mund çdo gjë. Kurrë nuk kemi shikuar për ndokund tjetër kjo është alternativa e vetme për të cilën ne kemi punuar, do të vazhdojmë të punojmë, pasionet e tona nuk do të zbehen, pra për këtë arsye besoj se të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian e meritojnë të jenë këtu të shprehin pikëpamjet e tyre dhe zërin e popullit të tyre”.

“Natyrisht, ata të cilët janë përcaktuar të ecin drejtë rrugës së Bashkimit Evropian, ato duhet të vazhdojnë para, ata që besojnë se mund të ecin në rrugën e Moskës, në rrugën e Putinit, sa në rrugën e BE-së, nuk e meritojnë të jenë në rrugën drejtë BE-së sepse nuk mund të ecësh në dy rrugët përnjëherë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe se janë duke lënë ndikimin e Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që sipas saj është shumë e dëmshme.

Pak para nisjes së samitit, Presidentja Osmani publikon foto me Macronin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar një fotografi me Presidentin e Francës, Emanuel Macron, pak para nisjes së Samitit të BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

“Pak para samitit, me Presidentin Macron”, ka shkruar Osmani.

Osmani tregon pritjet nga Samiti, gazetarët e pyesin “pse janë vizat kaq të rëndësishme për ju?”

Presidentja Vjosa Osmani i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para se të nisë samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Ajo është pyetur se pse liberalizimi i vizave është i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës dhe përgjigjja e Osmanit ishte se kjo është një padrejtësi e madhe që po iu bëhet atyre derisa njerëzit nga e gjithë Europa dhe përreth saj lëvizin lirshëm derisa një vend me më pak se 2 milionë banorë mbahet i izoluar.

“Ne shpresojmë, megjithatë nuk dua që të rris pritshmëritë në këtë pikë, sepse më ky proces nuk është në duart tona. Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet vite më parë.  Është padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”.

Osmani tha se për këtë çështje vendim pro ka dhënë Komisioni Europian dhe gjithashtu Parlamenti Europian, prandaj është koha që shtetet anëtare të dëgjojnë zërin e qytetarëve të tyre.

Cilat janë pritshmëritë e Osmanit para samiti?

“Jam këtu për të dhënë një mesazh të rëndësishëm në emër të njerëzve të Kosovës. Neve na duhet një zë i qartë nga Bashkimi Europian, na duhet një mesazh i bashkuar nga BE-ja ndaj Ballkanit Perëndimor, sepse sa më shumë hapësirë po mbetet për faktorët malinj ata do ta përdorin. Kështu që, shpresojmë për një perspektivë të qartë nga të gjithë shtetet anëtare”.

Presidentja e Kosovës foli edhe për synimet e anëtarësimit të Ukrainës dhe Moldavisë.

“I mbështesim Ukrainën, Moldavinë, sepse e meritojnë.  Njëjtë sikurse Kosova, edhe këto dy vende kanë treguar se përnjëmend qëndrojnë krah vlerave europiane dhe janë në gjendje të japin edhe jetën për t’iu bashkuar BE-së. Unë nuk shoh ndonjë të keqe për Ballkanin Perëndimor, nëse Ukraina dhe Moldavia ecin përpara, përkundrazi”, tha Osmani për gazetarët.

Ajo përmendi edhe faktin se krijimi i hapësirës në Ballkanin Perëndimor lejon që faktorë të tjerë malinj ta përdorin atë, prandaj thotë se BE-ja duhet të jetë ofrojë një perspektivë të qartë ndaj rajonit dhe sidomos ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë treguar se janë pro vlerave europiane.

Osmani mbërrin në Samitin e BE-së, deklarata e saj për vizat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbërritur për Samitin e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor.

Osmani ishte liderja e parë e Ballkanit Perëndimor që u shfaq në ndërtesë.

Me këtë rast, pati edhe një deklaratë të shkurtër ku deklaroi se Kosova e ka vendin mes familjes së madhe evropiane.

Në lidhje me liberalizimin e vizave, Osmani u shpreh se nuk dëshiron të krijojë pritshmëri, por theksoi se Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara.

Gjithashtu, Osmani u shpreh se pret një zë të unifikuar të Bashkimi Evropian rreth të ardhmes së Ballkanit Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat