Kryeministri Kurti takohet me Sekretaren zvicerane - ja çfarë biseduan

Aktuale

Kryeministri Kurti takohet me Sekretaren zvicerane - ja çfarë biseduan

Nga: A.M. Më: 28 qershor 2022 Në ora: 15:55
Foto nga takimi

Në takimin me Sekretaren e Shtetit e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, Livia Leu, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës.

"Kryeministri Kurti theksoi vullnetin për forcim të mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Ai u falënderua për përkrahjen e Zvicrës dhënë popullit të Kosovës, që nga vitet e ‘70-ta dhe theksoi se mërgata jonë atje është ura më e mirë lidhëse mes dy shteteve tona", thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrisë, përcjell "Bota sot".

Sekretarja Leu e vlerësoi miqësinë vibrante mes dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për kontributin e mërgatës së Kosovës në Zvicër. Tha se Republika e Kosovës është shtet prioritar për Konfederatën Zvicerane.

Ajo përgëzoi kryeministrin Kurti për përpjekjet në luftimin e korrupsionit dhe indikatorët pozitivë ekonomikë. Po ashtu potencoi rëndësinë që ka kjo në sigurinë juridike dhe ndikimin në tërheqjen e investimeve në vend.

Gjatë takimit u ritheksua gatishmëria e të dy qeverive për të konkretizuar edhe më tej bashkëpunimin në ekonomi dhe krijim të vendeve të reja të punës. U theksua se veçanërisht shkëmbimet tregtare dhe investimet në ekonomi mund të rriten.

Lidhur me situatën gjeopolitike në rajon dhe Evropë, Sekretarja Leu uroi kryeministrin për pozicionimin e qartë me demokracitë perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse.

U theksua zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit sa më të afërt për sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor. Sekretarja Leu tha se Ballkani është shumë i rëndësishëm për Zvicrën dhe se raporti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është çelësi për këtë rajon.

Duke biseduar për procesin e dialogut në Bruksel, Kryeministri Kurti ritheksoi qëndrimin për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, duke pasur në qendër njohjen reciproke. Ai tha se mohimi i krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë dhe mosnjohja e pavarësisë se Republikës së Kosovës, janë pothuajse e njëjta gjë. Po ashtu, veçoi rëndësinë e rritjes së përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

Kryeministri Kurti theksoi se për Qeverinë e Republikës se Kosovës, Procesi i Berlinit nuk ka alternativë, siç nuk ka alternativë anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Në këtë takim mori pjesë edhe deputetja Jeta Statovci, drejtuese e Grupit parlamentar të miqësisë Kosovë-Zvicër.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat