Vedova: Italia e ka mbështetur dhe e mbështet fort, liberalizimin e vizave për Kosovën

Aktuale

Vedova: Italia e ka mbështetur dhe e mbështet fort, liberalizimin e vizave për Kosovën

Më: 29 qershor 2022 Në ora: 17:24
Foto nga takimi

Nënsekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, Benedetto Della Vedova, një një konferencë për medie, ka thënë se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në çështjen e liberalizimit të vizave.

Sipas tij, nuk ka kuptim që vetëm qytetarët e Kosovës nga Ballkani Perëndimor të mos mund të lëvizin lirshëm.

“Italia e ka mbështetur dhe e mbështet fort, liberalizimin e vizave për Kosovën. E ritheksojmë faktin që nuk ka më kuptim që vetëm qytetarët e Kosovës në Ballkanin Perëndimor të kenë nevojë për viza. Urojmë që edhe vendet që kanë dyshime për liberalizimin e vizave t’i tejkalojnë ato dhe të arrijmë deri te liberalizimi”, ka thënë Vedova.

Vedova tha se ajo që mund të bëjë Italia në këtë rrugë, është thjeshtësimi i mënyrës së aplikimit për viza dhe shkurtimi i kohës për marrjen e tyre.

“Ajo që ne mund të bëjmë ndryshe për një vendim që fatkeqësisht nuk varet prej nesh, ne na mbetet që të thjeshtësojmë sa më shumë dhe ta shkurtojmë kohën për ata që kërkojnë viza për të hyrë në Itali. E sidomos për ata që kërkojnë viza studimi e duan të studiojnë në Itali”, ka shtuar ai.

Ai foli edhe për takimet që i zhvilloi në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, ku tregoi që është takuar me kryeministrin Kurti, me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmetaj, me Saradna Bogujevcin, me kryetarët e grupeve parlamentare dhe takime me OJQ të ndryshme në Kosovë dhe që të gjitha këto takime i cilësoi si pozitive. Ai shtoi se aty pati mundësinë të theksonte mbështetjen e plotë të Italisë për popullin dhe institucionet kosovare.

“Italia ka investuar shumë këto vite në Kosovë, qoftë në bashkëpunimin shumëpalësh, qoftë në bashkëpunimin dypalësh, qoftë përmes KFOR-it, që ka investuar në siguri, qoftë përmes organizatave ndërkombëtare duke investuar edhe në konsolidimin  institucioneve të Kosovës. I qëndrojmë afër demokracisë në Prishtinë po ashtu i qëndrojmë afër edhe rrugëtimit të Kosovës drejt integrimeve evropiane”.

“Jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me qeverinë e Kosovës në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve në të mirë të qytetarëve të Kosovës, në të mirën e sipërmarrësve të Kosovës dhe në të mirë të vendit për integrimin e saj. Kjo ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe demokracisë dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë, sidomos sa i përket luftimin e korrupsionit që është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe tërheqjen e investimeve. Si dhe në të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile. Pikërisht për këtë kam pasur takime të shumta me OJQ e shoqërisë civile në Kosovë, i kam takuar këtu në ambasadë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat