Eskalon debati në Kuvend, përplasje PDK-VV për veteranët - opozita lëshon sallën

Aktuale

Eskalon debati në Kuvend, përplasje PDK-VV për veteranët - opozita lëshon sallën

Më: 30 qershor 2022 Në ora: 07:38 Përditësuar në ora: 12:16 më 30.06.2022
Kuvendi i Kosovës

​Peci: Arrestimet për mashtrim me subvencione janë të shpeshta, nuk e di a mundemi çdoherë të reagojmë

Për mosreagim ndaj arrestimit të asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë për mashtrim me subvencione, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci tha se arrestimet e këtyre zyrtarëve janë bërë aq të shpeshta sa nuk e dinë nëse mund të reagojnë çdoherë.

Por theksoi se si Qeveri kanë demonstruar vullnet politik për eliminimin e keqpërdorimit që kanë ndodhur në këtë institucion.

Peci: Arrestimet e këtyre zyrtarëve janë bërë të shpeshta, nuk e di a mundemi çdoherë të reagojmë

“Sa i përket çështjes së arrestimeve, unë besoj që ne si Qeveri kemi demonstruar vullnet politik që e kemi edhe detyrim ligjor, dhe koordinimeve me të gjitha institucionet dhe akterët e rëndësishëm të rendit dhe drejtësisë në funksion të dukurive devijante edhe në eliminimin e keqpërdorimeve që kanë ndodhur në këtë institucion dhe rrjedhimisht parimin dhe e drejta nuk ka karakter selektiv, por megjithatë, arrestimet e këtyre zyrtarëve janë bërë aq të shpeshta sa që nuk e di se a mundemi çdoherë me pas reagime karshi arrestimeve të zyrtarëve të cilët kryesisht arrestohen për periudhën kohore kur ne nuk kemi qenë në qeverisje”, u shpreh Peci.

Këto komente ministri Peci, i bëri pas kritikës së deputetit të LDK-së, Armend Zemaj se nuk pati reagim nga institucionet për arrestimin e djeshëm të asambilisti të Lëvizjes Vetëvendosje në dyshim për keqpërdorim për subvencione./

Ankohet Abelard Tahiri: Qytetarët e Ferizajt, Kaçanikut e Hanit të Elezit blejnë naftë në Maqedoni

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri e ka akuzuar Qeverinë për politika të gabuara fiskale ndaj produkteve esenciale.

Në debatin parlamentar për ngritjen e çmimeve, Tahiri kërkoi lirim nga akciza të derivateve të naftës.

Për këtë ai tha se po e jep një shembull konkret.

“Kjo nuk ka ndodh më parë. Është e tmerrshme. Qytetarët e Kaçanikut, Hanit të Elezit e Ferizajt shkojnë për t’u furnizuar me naftë në Maqedoni, për shkak se e kanë ulë akcizën atje”, tha Tahiri.

Rritja e çmimeve, Kusari – Lila: Pasojë e luftës në Ukrainë

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari – Lila, në debatin në Kuvendin e Kosovës ka thënë se çmimet janë rritur si pasojë e luftës në Ukrainë.

Kusari – Lila tha se me këtë rast opozita po bën politikë të padrejtë.

Ajo e ka përmendur edhe hapat që i ka ndërmarrë qeveria për t’i dalur në ndihmë qytetarëve, duke i përmendur edhe ndarjen e 100 eurove për të punësuarit dhe studentët.

E para e deputetëve të Vetëvendosjes shtoi se gjatë dy vjetëve janë rritur të hyrat nga Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës.

 

​Hoxhaj: Qeveria mos të prodhoj lajme por politika

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se samiti i fundit i BE-së ishte dështim për Kosovën dhe Ballkanin. Ai ka kërkuar nga kryeministri që të mos merret me prodhimin e lajmeve, por siç tha ai, me politika të duhura për përmbylljen e çështjeve të mëdha të Kosovës.

Në organin më të lartë legjislativ, deputeti i PDK-së kërkoi nga kryeministri Albin Kurti që të t’iu dërgohet me shkrim zyrtarisht institucioneve të BE-së se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave.

Hoxhaj: Samiti i fundit ishte një samit i dështimit për Kosovën dhe për Ballkanin

“Samiti i fundit i BE-së ishte një samit i dështimit edhe për Kosovën edhe për Ballkanin. Unë po kërkoj prej kryeministrit që ai edhe qeveria e tij të mos prodhojnë lajme, por të prodhojnë politika. Se ka dallim të madh a prodhon dikush lajm apo politik. Dhe kërkoj prej kryeministrit dhe qeverisë që gjitha institucionet e BE-së dhe gjitha shteteve anëtare t’iu dërgohet me shkrim zyrtarisht se Kosova i ka plotësuar nga viti 2018 disa herë kriteret për liberalizim të vizave. Meqë lajmet që i prodhojmë në Prishtinë nuk janë lajme të cilat i lexojmë në Bruksel dhe diku tjetër”, ka deklaruar Hoxhaj.

Mes tjerash, Hoxhaj ka folur edhe për samitin e NATO-s, ku theksoi se Kosova nuk ka qenë e ftuar as teknikisht.

Hoxhaj: Kjo tregoi që kjo qeveri ka nevojë të lëviz prej lajmeve në prodhim të politikave

“Fakti që në samitin e fundit të NATO-s, as nuk u ftuam të jemi teknikisht aty, e lërë më të ftohemi që të marrim partneritetin për paqe, tregoj që kjo qeveri ka nevojë të lëviz prej lajmeve në prodhim të politikave”, ka shtuar ai.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj shtoi se qeveria dhe kryeministri mos të merren më me çështje teknike e dialog teknik, por çështje të cilat e përmbyllin shtet ndërtimin e Kosovës

Hoxhaj: Kosova duhet të luftoj për anëtarësim në OKB
 

“Tabela kryesore për të cilën duhet të lufton Republika e Kosovës është anëtarësimi në OKB. Atje duhet ta ngrisim ne tabelën e shtetit të Kosovës dhe atje varet se si sillemi reciprokisht në raport me Serbinë. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm kur hjek dorë kryeministri prej prodhimit të lajmeve dhe angazhohet në prodhimin e politikave dhe dialogu është natyrisht një politikë e gjitha subjekteve politike në Kosovë... Po kërkoj që qeveria dhe kryeministri mos të merren më me çështje teknike, mos të merremi me një dialog teknik, me çështje të cilat prodhojnë lajme, por çështje të cilat e përmbyllin shtet ndërtimin e Kosovës dhe unë mendoj që kjo do të duhej të ishte tema kryesore që duhet të merret edhe ky kuvend dhe qeveria që ka marrë mandatin e qytetarëve të Kosovës që të mbyll temat e mëdha”, ka deklaruar ai.

Hydajet Hyseni me një fjalim të gjatë në Kuvend, Glauk Konjufca ia ndalon fjalën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hydajet Hyseni planifikoi një fjalim të gjatë për 2 Korrikun 1990, kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

Me shumë letra në dorë, fjalimi i Hysenit nuk zgjati aq sa pritej, pasi kryeparlamentari Glauk Konjufca nuk vendosi t’ia vazhdonte fjalën dy herë.

Hyseni e tejkaloi kohën e ndarë për fjalën e tij, ndërsa për herë të parë Konjufca urdhëroi t’i vazhdohet fjala atij.

“Strategët e politikës shoviniste dhe anti-shqiptare kishin llogaritur kot se pas masave represive dhe restriktive me dhunë, burgosje masovike e terror gjenocidial, me ndarje, përçarje e hasmëri të gjithanshme do të mund ta nënshtronin elitën përfaqësuesve dhe popullatën sipas logjikës: Nëse të ankohet fëmija jetim dhe të kërkon djathë, ka ilaç. Merrja bukën dhe fëmija jetim harron bukën”, po thoshte Hyseni ndër tjerash.

Deputetja e AAK kërkon më shumë lobim te shtetet skeptike për vizat

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka kërkuar më shumë lobim dhe avokim nga institucionet e Kosovës për liberalizim të vizave te shtetet skeptike.

Kadrijaj: Duhet më shumë lobim për liberalizim të vizave

“U mbajt Samiti i BE-së dhe ne fatkeqësisht u refuzuam për liberalizim të vizave, mirë që edhe kjo qeveri e pranon tash sepse derisa ishte në qeveri nuk e ka pranuar që Kosova ka përmbush kushtet dhe kriteret për liberalizim të vizave, por dua të them se cili ka qenë angazhimi konkret i qeverisë, presidencës, Kuvendit, i komisioneve parlamentare në mënyrë që t‘i vizitoj vendet skeptike për liberalizimin e vizave në mënyrë që të lobojmë. Të vetmin aktivitet e kemi pasur Shqipërinë dhe po kërkojmë prej Shqipërisë aktivitet dhe ne si komisione dhe si institucione nuk kemi qenë në nivel të detyrës sa i përket lobimit dhe avookimit për liberalizim të vizave por edhe lobimit dhe avookimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Andaj, nuk duhet kryetari i Kuvendit duhet të aktivizoheni duhet të Komisioni për Punë të Jashtme, duhet të aktivizohet komisioni për Integrime Evropian”, u shpreh ajo.

Ajo u shpreh se Qeveria e Kosovës nuk po arrin ta sjell në Kuvend për shqyrtim ligjin për diasporën, i cili mundëson trajtim të dinjitetshëm të mërgatës.

Kadrijaj: Qeveria nuk po arrin me sjell ligjin për diasporën

“Ne e kemi pas një ligj që është për diasporën e kemi pas në agjendë legjislaturën e kaluar nuk ka ardhur e kemi në agjendë legjislative nuk ka ardhur, çka mund të bëjmë ne tjetër kur nuk jemi në gjendje dhe nuk është qeveria në gjendje ta sjell një ligj të diasporës n]ë mënyrë që edhe diasporën tonë ta trajtojmë në mënyrë të dinjitietshme e jo ta shohim vetëm si votë dhe me i shfrytëzua sa herë që kemi nevojë

Kurti: Unë asnjëherë s’kam dhënë premtime për heqjen e vizave

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se ai asnjëherë nuk ka dhënë premtim për heqjen e vizave.

Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se heqja e vizave për Kosovën nuk po ndodh për shkak se disa vende nga Bashkimi Evropian po hezitojnë.

“Unë jam kryeministër i cili nuk kam bërë asnjëherë premtim për heqjen e vizave. Kemi pasur raste kur në të kaluarën kanë thenë se do të ndodh për 12 muaj, 15 muaj. Mua asnjëherë nuk më keni dëgjuar ashtu”- tha Kurti.

“Muajin e ardhshëm bëhen katër vjet kur Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e vizave.

Por, ka vende që ende hezitojnë dhe rezistojnë. Ka edhe deklarata që nuk janë në linjë as me vet Brukselin, por më shumë s’kemi çka të bëjmë”.

Këto deklarata kryeministri i bëri si kundërpërgjigjje ndaj akuzave të deputetëve të PDK-së se LVV për vite me radhë ka krijuar narracion për dëmtimin e imazhit të vendit. 

​Hoxha: Lëvizja Vetëvendosje po ia ndal frymën Universitetit të Prishtinës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha ka akuzuar partinë në pushtet për ndikim në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së. Ajo ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po tenton të ndal frymën e universitetit. Mes tjerash, ka kujtuar edhe parullat e dikurshme të LVV-së, të cilat siç tha ajo, janë shkelur prej ardhjes në pushtet.

Në seancë plenare, deputetja Eliza Hoxha tha se këshilli drejtues i Universitetit të Prishtinës përbëhet nga anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, për çka nuk ka mbetur shpresë se do të ketë vendimmarrje autonome.

Hoxha: Kjo përplaset me etikën akademike dhe integritetin e shumë kandidatëve
 

“Kjo çfarë ka ndodhur me këtë proces, në mënyrë kaq brutale përplaset edhe me etikën akademike dhe integritetin e shumë kandidateve dhe kandidatëve që do të duhej të ishin në krye të UP-së. Duke i zëvendësuar ata me militantë partiak të LVV-së, ideja është që të rris ndikimin përkohësisht, por universitetit t’ia ndalë frymën edhe më shumë dhe më gjatë”, ka theksuar ajo.

Në seancën plenare, Hoxha shtoi se partia në pushtet ka premtuar ndaljen e degradimit.

Hoxha: Këta kanë shkelur parullën e famshme ‘jo pushtet-universitet’
 

“Ndërhyrjet e Vetëvendosjes në autonominë dhe rrjedhën normale të Universitetit të Prishtinës, për vite me radhë kanë qenë sistematike. E kujtojmë të gjithë protestën e vitit 2014 kundër rektoratit dhe stafit drejtues të UP-së. Sërish kanë vazhduar në vitin 2017 kundër tjerave strukturave drejtuese të UP-së. Pikërisht këta janë ata që e kanë shpikur parullën e famshme “jo pushtet-universitet”. Sot, kemi ardhur në situatën që Vetëvendosje të mos protestojë më për zhvillimet që ndodhin brenda Universitetit të Prishtinës, siç ishte rasti me zgjedhjen e pesë anëtarëve të këshillit drejtues të UP-së”, ka shtuar ajo.

Kritika ka pasur edhe për mos përzgjedhjen e asnjë gruaje në Këshillin Drejtues të universitetit. Hoxha ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka shkelur mbi parullat dhe kanë shkundur edhe kuadrot.

Hoxha: Protagonistët e asaj përzgjedhje janë militantë të Lëvizjes Vetëvendosje

“Protagonistët e asaj përzgjedhje nga senati ku bëjnë pjesë edhe studentët dhe militantët e Lëvizjes Vetëvendosje, është e një niveli për të mos thënë skandaloz, së paku spekulativ në kuptimin gjithëpërfshirës, në kuptimin etik, integritetit dhe në kuptimin e cilësisë. Fakti që këta nuk protestojnë e nuk e thanë asnjë fjalë të vetme qëndron një klauzolë të thjeshtë “krejt dhe drejt”. Në mënyrë që pushteti dhe universiteti të mos jenë më kategori të ndara, por të unisuara nën petkun e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka përfunduar deputetja e PDK-së.

Më tej, ajo ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje ka fyer rëndë të gjithë profesorët që kanë pasur besim në të ardhmen e Universitetit. 

​Rrustemi: Pozitë dhe opozitë të japim kontribut maksimal për përmirësim të sistemit të drejtësisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka kërkuar nga të gjithë deputetët e pozitës dhe opozitës që të kontribuojnë dhe të jenë të bashkuar në procesin e vettingut.

Gjatës seancës së sotme plenare, Rrustemi i cili është edhe kryetar i Komisionit për Legjislacion, u shpreh se vettingu ka vetëm një synim që të kemi një sistem të drejtësisë që të përmbush mandatin që ka.

Rrustemi: Pozitë dhe opozitë të japim kontribut maksimal për përmirësim të sistemit të drejtësisë

“Është thelbësore që çështjet jetike në vendin tonë siç është edhe drejtësia duhet të jemi të gjithë së bashku për të arritur përmirësim të qëndrueshëm të sistemit të drejtësisë dhe me eliminimin e problemeve ekzistuese të theksuara nga raporte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare dhe së fundmi edhe nga Komisioni i Venecias, në çështje të tilla është e rëndësishme që secili prej nesh pozitë dhe opozitë të japim kontributin maksimal për të siguruar një proces efikas dhe efektiv. Kthimi i besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë e garantimi i një sistemi të paanshëm dhe të pavarur është obligim për secilin prej nesh...vettingu ka vetëm një synim që të kemi një sistem të drejtësisë që të përmbush mandatin që ka me profesionalizëm, pavarësi ,efikasitet në të gjitha nivelet e të gjitha rastet pa dallim”, theksoi ai.

Gjatë ditës së djeshme kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kanë takuar liderin e PDK-së, Memli Krasniqi ku temë diskutimi ka qenë procesi i vettingut. Për këtë proces tashmë janë publike edhe opinionet e Komisionit të Venecias.

Fillon seanca

Ka filluar seanca parlametare e Kuvendit të Kosovës.

Gjatë kësaj seance pritet të diskutohet për ngritjen e çmimeve, debat të cilin e ka kërkuar Lidhja Demokratike e Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat