Deputeti Burim Meta zgjidhet kryetar i degës së “Guxo” në Ferizaj

Aktuale

Deputeti Burim Meta zgjidhet kryetar i degës së “Guxo” në Ferizaj

Më: 30 qershor 2022 Në ora: 13:13
Burim Meta.

Lista Guxo tashmë ka mbajtur tre kuvende zgjedhore të suksesshme: në Mitrovicë, Prizren e Lipjan

Mbrëmë së fundmi, Lista Guxo mbylli kuvendin në komunën e Ferizaj.

Lidhur me këtë, ka njoftuar deputeti i kësaj partie, Burim Meta, i cili njëherësh u zgjodh kryetar i degës.

“Prandaj, skenës politike të Ferizajt i shtohet jo vetëm një subjekt më shumë, por një ofertë më shumë. Sot, Ferizajt i vihet në dispozicion një koncept politik, të cilin e kanë provuar deri tani nga anëtarët tanë në Kuvendin Komunal, por edhe në institucionet qendrore. Sot, Ferizajt i ofrojmë njerëz tanë ekspertë, të cilët dijen e tyre e ofrojnë në dispozicion të së mirës qytetare, njerëz të guximshëm dhe të cilët shërbimin ndaj bashkëqytetarëve e kanë jo vetëm nderë, por mbi të gjitha përgjegjësi”, shkroi Meta në Facebook, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Faleminderit Ferizaj.

Mbrëmë në Kuvendin GUXO!

Ndjehem krenar që sot jam para jush, para njerëzve që e bën dallimin dhe të cilët një vit më parë ndryshuan jo vetëm kursin personal, por edhe kursin e jetës politike në këtë qytet, sikurse edhe në përgjithësi në Kosovë.

Ky kurs konsiston në përqafimin e modelit politik, i cili e kombinon guximin me dijen. Është një front kundër politikës së ngathtë, kundër politikës letargjike.

Sot ju them faleminderit secilit prej jush, të cilët ndihmuat në formësimin e subjektit të ri politik që mbanë emrin Guxo.

Pra, guxuam bashkë, ju dhe ne. Prandaj jemi këtu sot. Jemi në Ferizajn, i cili gjithnjë ju priu ideve dhe ndryshimeve.

Njësoj ka qenë më 1968, 1981, 1989, 1999. Këtë primat nuk guxojmë t’a lejojmë t’a humbasë qyteti më i ri i Kosovës, i cili megjithatë ka një traditë në jetën politike.

Ne nuk mund t’a lëmë Ferizajn të udhëhiqet nga marioneta, prandaj sot jemi këtu, në këtë Kuvend që idesë sonë të një viti më parë t`i japim udhë.

Kjo udhë është e qartë, vizionare dhe e guximshme. Një Ferizaj me një ofertë politike të guximshme e përmbajtësore.

Prandaj, skenës politike të Ferizajt i shtohet jo vetëm një subjekt më shumë, por një ofertë më shumë. Sot, Ferizajt i vihet në dispozicion një koncept politik, të cilin e kanë provuar deri tani nga anëtarët tanë në Kuvendin Komunal, por edhe në institucionet qendrore. Sot, Ferizajt i ofrojmë njerëz tanë ekspertë, të cilët dijen e tyre e ofrojnë në dispozicion të së mirës qytetare, njerëz të guximshëm dhe të cilët shërbimin ndaj bashkëqytetarëve e kanë jo vetëm nderë, por mbi të gjitha përgjegjësi.

Dyert tona janë të hapura për të tillë. Për njerëz që mund të jenë pjesë e qeverisjes lokale e qendrore dhe të cilët punën e kryejnë me zell e përkushtim. Pra, ata janë modeli i njerëzve që mund të udhëheqin me pushtetin pa u përfshirë në veprime antiligjore. Kjo është e mundshme, këtë e bëjnë tashmë njerëzit e partisë Guxo.

Ferizaj nga qeverisjet e deritashme nuk e ka humbur vetëm shkëlqimin, por edhe primatin. Nuk guxojmë t’a lëmë Ferizajn nën mëshirën e trajtimit si qytet i rendit të dytë. Si taksapaguesi i dytë në vend, duhet t’a kthej kontributin në dobi të qytetarëve të tij. Ne kemi mundësi, njerëz dhe vizion.

Ju tashmë jeni dëshmitarë, shteti ynë drejtohet prej lideres sonë shpirtërore, Presidentes Vjosa Osmani, e cila po na e zbardhë fytyrën kudo në takimet politike të nivelit të lartë. Njësoj janë edhe ministrat tanë dhe deputetët, të cilët janë bërë referencë e qeverisjes me përgjegjësi, punës dhe përkushtimit për interesin qytetar.

E them me përgjegjësi të plotë se sot skenës politike të Ferizajt po i shtohet një konkurrencë politike e denjë.

Partia Guxo do të jetë e tillë çfarë e ka emrin. Guximshëm për t’a dhënë më të mirën për qytetin e Ferizajt. Simboli ynë është hekurudha, ndaj po hyjmë në konkurrencën politike që gjërat t`i fusim në binarë.

Në këtë përpjekje, ne duhet t`i japim përgjigje çështjeve që kanë mbetur peng prej vitesh, prandaj secili është i vlefshëm, sepse këtë vend duhet t’a bëjmë me këta njerëz dhe për këta njerëz.

Të nderuar pjesëmarrës.

Lista Guxo tashmë ka mbajtur tre kuvende zgjedhore të suksesshme: në Mitrovicë, Prizren e Lipjan, duke zgjedhur në krye punëtorë e punëtore të mëdhenjë.

Puna jonë vazhdon në Komunat e tjera. Sot, po e përmbyllim me Ferizajn.

Po e mbyllim Kuvendin, por po e lëmë derën hapur, sepse duam t’a rrisim numrin e guximtarëve. Kemi shumë rrugë përpara, por kemi edhe shumë vullnet për të bërë punë. Angazhimi në politikë duhet të shihet si mundësi me ide, vision e përkushtim kreativ, t`u lehtësohet sadopak jeta qytetarëve.

Ne na duhet një rimëkëmbje ekonomike, ndaj për këtë gjë na duhen njerëz.

E di që ka shumë, ndaj na takon secili që t`u bëjmë ofertë studentëve, vajzave e grave, punëtorëve dhe gjithësecilit, i cili beson dhe guxon. Oferta jonë është e sinqertë. Po ofrojmë mundësi për të ndihmuar secili me kapacitetin e vet për t’a bërë Ferizajn dhe Kosovën çfarë e duam.

Kjo nuk do të bëhet brenda nate e as brenda muajve. Na duhet kurajo dhe durim, sepse gjërat e mira marrin kohë. Ne nuk duam të improvizojmë, por synim i yni është që nëpërmjet konsistencës dhe politikës realiste të gjejmë zgjidhje për shumë çështje që godasin jetën e qytetarëve tanë.

Na duhet një Ferizaj i denjë, këtë synojmë t’a bëjmë, prandaj kemi ofertën tonë politike.

Ne duhet të udhëhiqemi nga qëndrime parimore, të pandikueshme dhe besnike në linjën e politikës djathtiste. Orientimi ynë strategjik është i qartë, një Kosovë e orientuar nga vlerat perëndimore, anëtare e BE-së, NATO-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

Nga ky prizëm, Guxo është këtu për t`i shërbyer qytetit e shtetit, qytetarëve pa dallim.

Duhet të guxojmë sot për të nesërmen. Duhet të guxojmë, sepse vetëm guximi shpaguhet. Prandaj, prej sot nisma jonë formësohet në subjekt dhe do ta bëj jetën e vet në një konkurrencë politike të ashpër. Por, ne jemi të përgatitur, këmbëngulës, me vizion të qartë dhe me guxim të bollshëm që gjërat t`i adresojmë siç duhet.

Prej Sot, Guxo është adresë!

Zoti i bekoftë guximtarët!

Zoti e bekoftë Kosovën!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat