Trendafilova flet rreth deklaratës së Konjufcës për krijimin e një mekanizmi kontrolli

Aktuale

Trendafilova flet rreth deklaratës së Konjufcës për krijimin e një mekanizmi kontrolli

Më: 4 korrik 2022 Në ora: 13:22
Foto nga takimi

Në takimin e mbajtur përmes platformës “Zoom”, me shoqërinë civile, ku pjesëmarrës kishte edhe gazetarë, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Ekaterina Trendafilova, është deklaruar rreth deklaratës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, për krijimin e një mekanizmi kontrolli ndaj kësaj gjykate.

“Sa i përket, lexova dhe e kam përcjell gjithashtu deklaratën e zotit Konjufca, kryetarin e Parlamentit, më duhet të shpreh pikëpamjen time, ne jemi gjykatë, asnjë gjykatë nuk mund të jetë në mbikëqyrje që vjen nga legjislativ apo degë ekzekutive, kjo nuk është e mundur”, ka thënë Trëndafilova, kur është pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratën e Konjufcës.

Ajo po ashtu deklaroi se thekson edhe njëherë se vetëm individët mund të akuzohen për krimet që janë në juridiksion të DhSK e jo grupet etnike, organizatat apo ndonjë entitet tjetër.

“Vendimi se kush do të akuzohet për një krim i takon ekskluzivisht vetëm prokurorit të specializuar, Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe Dhomat e Specializuara janë institucione të ndara dhe pavarura plotësisht nga njëra tjetra”, ka thënë ajo.

Fillimisht, sa i përket këtij takimi me shoqërinë civile, që ishte planifikuar të mbahet në Gjilan, Trëndafilova tha se udhëtimi i saj për në Kosovë ka dy muaj që ishte planifikuar.

Një pjesë e rëndësishme e planifikimit tim ishte të jem në Gjilan për t’u takuar me të gjithë ju personalisht, megjithatë siç tha Angela, duke pas parasysh edhe kohën e verës, një numër i madh i pjesëmarrësve shprehën parapëlqimin t’i bashkohen takimit përmes “Zoom” dhe besojmë që do të jemi në gjendje të angazhohemi në një shkëmbim frytdhënës”, tha ajo.

Sipas saj, udhëtimi në Kosovë është shtyrë, por e njëjta do të jetë këtu pas periudhës së verës.

“Unë do të vij në Kosovë për t’u takuar personalisht me ju për punën e Dhomave të Specializuara”, ka thënë ajo.

Tutje, Trëndafilova filloi fjalën e saj, duke diskutuar për historikun e themelimit, mandatin dhe juridiksionin e DhSK.

Ajo ka thënë se DhSK financohet tërësisht nga Bashkimi Evropian dhe në një mënyrë tjetër nga pesë shtete kontribuuese. Ndërkaq, tha se mandati i DhSK-së do të vazhdojë derisa Bashkimi Evropian të njoftojë Kosovën se procedurat kanë përfunduar.

Sa i përket aktiviteteve gjyqësore, Trendafilova tha se Dhomat e Specializuara kanë katër raste kundër 8 të akuzuarve.

Sipas saj, DhSK kanë arritur një moment të madh historik me nxjerrjen e vendimit të parë gjyqësor më 18 maj 2022, në njërin nga këto raste.

Ajo ka thënë se gjatë vitit 2021 dhe 2022, gjykatësi i procedurës paraprake, dy trupat gjykuese, panelet e ndryshme të Apelit dhe ai i Kushtetueses, ajo si kryetare kanë lëshuar mbi 1 mijë e 200 vendime dhe urdhra, nga të cilat mbi 190 janë lëshuar gojarisht.

Trendafilova theksoi se vendimet e tyre janë të rrënjosura në një parim që ka të bëjë me efikasitetin dhe shpejtësinë.

“Këto shifra tregojnë sa të zënë janë gjykatësit dhe zyrtarët ligjor të përkushtuar dhe shpresoj se do të vazhdojmë të kryejmë detyrat në mënyrën siç i kemi kryer deri tani”, tha tutje ajo.

Lidhur me rastin e Gucatit dhe Haradinajt, ajo dha informata rreth akuzave si dhe përbërjes së trupit gjykues.

“Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për tri nga katër akuzat. Dytë u dënuan me nga katër vite e gjysmë burgim dhe natyrisht këtu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe janë gjobitur me nga 100 euro secili. Ata janë liruar nga akuza për hakmarrje. Kjo ishte pika e fundit që prokurori nuk e ka mbështetur me prova përtej dyshimit të bazuar. Procedurat në këtë rast u zhvilluan gjatë 32 ditëve, në këtë rast procedurat kanë zgjatur 32 ditë, ndërmjet 7 tetorit 2021 dhe 3 shkurtit 2022”, ka thënë ajo.

Këtu, ajo tha se duhet të përfshihen edhe pushimet dimërore, Kërshëndellat dhe të gjithë kanë dashur të kalojnë pak kohë me familjet e tyre për t’u relaksuar.

“Por, gjykatësit tanë kanë punuar për të shkruar vendimin që ka më tepër se 370 faqe, ata e kanë lëshuar vendimin jo brenda 3 muajve, por 2 muajve dhe kjo demonstron angazhimin e gjykatësve”, ka thënë ajo.

Tutje, deklaroi se gjatë kësaj kohe u thirrën 14 dëshmitarë dhe janë pranuar 18 deklarata me shkrim të dëshmitarëve dhe janë paraqitur 237 prova.

“Ky rast ishte i vështirë edhe nga ana procedurale edhe substanciale edhe pse nuk kishte të bënte me krime kundër njerëzimit apo luftës. Siç theksoi trupi gjykues ky rast kishte të bënte me administrimin e mirëfilltë të drejtësisë, integriteti dhe sigurinë e procedurave dhe sigurinë mirëqenien dhe lirinë nga frika të qindra personave që janë paraqitur për të përmbushur detyrën e tyre qytetare si dëshmitarë në DhSK”, ka thënë Trëndafilova.

Në vijim, tha se çështja më e rëndësishme që është shtylla e rasteve është të mbrohen dëshmitarët dhe viktimat, jeta, mirëqenia e tyre dhe se ky rast kishte të bënte pikërisht me këtë. Mbrojtja e dëshmitarëve ishte një nga arsyet kryesore për themelimin e DhSK dhe funksionimin e saj në një shtet të tretë dhe kjo tregon rëndësinë e këtij rasti. Është një aktgjykim, është apeluar në panelin e Gjykatës të Apelit dhe kam caktuar panelin e Apelit”, ka thënë ajo.

Për rastin e Salih Mustafës, ajo tha se trupi gjykues 1 e ka mbyllur fazën e provave dhe ka urdhëruar që dosjet gjyqësore përfundimtare të palëve të dorëzohen deri më 21 korrik.

Ndërsa, tha se trupi gjykues duhet të nxjerrë aktgjykimin e tij në këtë çështje brenda 3 muajve nga dhënia e deklaratave përmbyllëse, përveç nëse ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme dhe nëse ndodh kjo gjykatësit duhet të arsyetojnë se pse kalohet periudha 3 mujore.

Lidhur me rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, ajo tha se është një rast i madh, me katër akuza për krime lufte dhe gjashtë kundër njerëzimit. Për këtë rast, deklaroi se nuk mund të thotë se kur rasti do të fillojë, por se shpresojnë se rasti do të shkojë para trupit gjykues.

Ndërsa, për rastin kundër Pjetër Shalës, ajo potencoi se gjykatësi i procedurës paraprake, paraprakisht ka treguar se kjo çështje mund të jetë gati për t’i kaluar një trupi gjykues deri më 31 gusht të këtij viti.

Trëndafilova bëri të ditur se panelet e Gjykatës së Apelit kanë nxjerrë afër 65 vendime dhe urdhra, ndërkaq tha se 41 viktima janë pranuar për të marrë pjesë në 3 raste.

“Ka pasur mbi 2 mijë e 600 dosje që janë shpërndarë në rastet para DHSK dhe rreth 62 mijë faqe të nxjerrjes së materialeve janë menaxhuar ndërmjet palëve deri tani”, ka thënë ajo, derisa shtoi se kanë menaxhuar pesë vizita të mbikëqyrura në Kosovë për arsye humanitare.

Sipas saj, ekipi për komunikim dhe ndërgjegjësim kanë kryer 119 takime ndërgjegjësimi dhe janë takuar me 2 mijë e 600 persona drejtpërdrejt dhe faqja e tyre e internetit është vizituar pothuajse 3 milionë herë.

Tutje, deklaroi se ata janë një gjykatë dhe nuk mund të përfshihen në asnjë mënyrë në politikë.

Sipas saj, në dhjetor të vitit 2017, kur ka pasur disa iniciativa për të shfuqizuar ligjin, paraprakisht kishte pasur një intervistë të planifikuar.

Lidhur me këtë, tha se kishte thirrur njërin nga punonjësit e gjykatës dhe i kishte thënë se nuk do të japë asnjë intervistë.

“Ai tha se intervista është premtuar para shumë kohësh dhe nuk do të prek temat aktuale në Kosovë, unë i thash megjithatë jo sepse kjo mund të përceptohem thuajse jam duke u përfshirë në ndonjë iniciative qoftë kundër gjykatës, qoftë duke e mbështetur gjykatën dhe nuk e kam detyrë këtë dhe detyra ime është të kryej punën time administrative si kryetare dhe më duhet të kryej detyrën time si gjyqtare e gjykatës dhe prandaj e anuluam këtë intervistë”, ka thënë ajo.

Ajo u deklarua edhe lidhur me takimin e mbajtur në shtator të vitit 2020, në Prishtinë, ku kishin ndërprerë përkohësisht këtë konferencë.

“T’i referohem dy zotërinjve të ri, në shtator që erdhën ku pritej të fillojë takim me shoqërinë civile, erdhën me bilbila, dhe i ftova të vijnë, që të marrin pjesë në atë takim, në mënyrë t’i dëgjoja kërkesat e tyre dhe të përfshiheshim në diskutim, ata vendosën që të dalin, më vonë e mora vesh se ata kishin qenë anëtarë të një partie politike, më vonë e mora vesh këtë fakt dhe takimet me shoqërinë civile janë takimet më të rëndësishme për mua dhe nuk lejojnë hapësirë për çfarëdo hapësire politike”, ka thënë ajo.

Derisa shtoi se “Kushdo që dëshiron të vijë te ne, të diskutojmë për çfarëdo jashtë politikës, ata mund të vijnë”.

Më pas, duke u përgjigjur në pyetjet e pjesëmarrësve, ajo foli edhe për rrjedhjen e dokumenteve konfidenciale.

Dokumentet kanë rrjedhur nga ZPS dhe dua të sqaroj këtë se krahas me këtë pyetje njerëzit kanë pyetur edhe pse Gucati e Haradinaj janë akuzuar dhe dënuar dhe jo ata që kanë rrjedhur dokumentet. Këto janë dy krime të ndryshme, unë po i referohem vetëm asaj që prokurori ka dhënë si deklaratë pasi është dhënë gjykimi, pra në deklaratën publike dhe ka thënë që është duke hetuar rrjedhjen e informatës dhe nuk mund të them më shumë vetëm atë që e dini, atë që të gjithë e kemi reflektuar si informatë të marrë nga mediat”, ka thënë ajo.

Tutje, Trendafilova tha se ka pasur urdhër që të mos shpalosen informatat konfidenciale.

Atë që kanë bërë Gucati, Haradinaj ka qenë urdhëresë e ZPS për shkak se ka pasur emra të shumë dëshmitarëve dhe është dashur të ruajnë konfidencialitetin dhe ndalojnë nga çdo aktivitet që shpalos emrat e tyre dhe ka pasur urdhëresë nga gjyqtari, por Gucati dhe Haradinaj dhe këtu dua të jem e dobishme në këtë përgjigje, kam reflektuar lidhur me këto informata specifike që të ju informoj saktë. Ata kanë rishikuar informacionin konfidencial në 3 konferenca dhe 20 paraqitje mediale dhe postime të ndryshme duke përfshirë cekjen e emrave të qindra dëshmitarëve dhe potencial, i kanë quajtur tradhtarë, spiunë, kolaboracionistë dhe kanë cekur se njerëzit e dinë kush janë ata dhe në njëfarë mënyre ka qenë frikësim që i është drejtuar dëshmitarëve”, ka thënë ajo.

Tutje, tha se ka përcjellë videot dhe i kujtohet se gjatë njërës nga këto ngjarje, të dy ata i kanë nxjerrë këto dokumente në tavolinë dhe në mënyrë aktive ftonin gazetarë apo këdo të pranishëm të vinë dhe marrin ato dokumente dhe shpërndajnë ato.

Prandaj, kanë shkelur rregullin e fshehtësisë së procedurës dhe kanë frikësuar dëshmitarët. Janë krime të ndryshme dhe krimet brenda Kodit Penal të Kosovës, neni 15, paragrafi 2, dhe prokurori ka bërë akuza lidhur me këtë shkelje, mirëpo ajo se si ka ndodhur kjo, ne nuk e dimë saktësisht”, ka thënë Trendafilova.

Kurse, më pas u deklaruar edhe lidhur me deklaratën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili kishte pasur kritika ndaj Gjykatës Speciale dhe kishte thënë se Kosova duhet të krijojë një mekanizëm kontrolli.

Sa i përket lexova dhe e kam përcjell gjithashtu deklaratën e zotit Konjufca, kryetarin e Parlamentit, më duhet të shpreh pikëpamjen time, ne jemi gjykatë asnjë gjykatë nuk mund të jetë në mbikëqyrje që vjen nga legjislativ apo degë ekzekutive, kjo nuk është e mundur”, ka thënë ajo tutje.

Trëndafilova theksoi se brenda kornizës së tyre legjislative, bazuar në Kushtetutë, kanë mbikëqyrje nga paneli i lartë, i specializuar.

“Dhe kjo është në të vërtetë i vetmi rishikim i vendimeve që merren nga Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit”, tha tutje ajo.

Sipas saj, askush kurrë nuk ka lejuar që të përpiqen të kontrollojë në kuptimin, për të bërë pyetje, se pse është marrë një vendim.

Askush kurrë nuk ka lejuar që të përpiqet të kontrollojë në kuptimin për të bërë pyetje se pse ky vendim, pse trupi gjykues e ka liruar në krimin për hakmarrje dhe ka dënuar për krime tjera, këto pyetje nuk do të lejohen dhe këto pyetje e dini se mund të shtrohen vetëm në shkallën tjetër të kontrollit që mund të jetë në hierarki gjyqësore në gjykatë”, ka thënë Trendafilova.

Sipas saj, komuniteti ndërkombëtar dhe shtetet kontribuuese mund të bëjnë pyetje për buxhetin.

Një herë ose dy kam qenë e ftuar para shteteve të BE për të ofruar informata siç ju informoj juve për rastet. Askush asnjëherë nuk ka lejuar që të më qaset mua personalisht me asgjë tjetër përveç sa kohë nevojitet, sa vendime janë marrë dhe i kam ofruar këto informata. Asnjëherë dhe nuk kam informata që asnjë prej kolegëve të mi është qasur në mënyrë jo adekuate, nëse dikush vjen e shkon në zyrën e gjykatësve dhe bisedojnë çështjet që nuk përputhen me perceptimet e gjykatës, nuk ka ndodhur kurrë”, ka thënë ajo.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat