Qeveria e Kosovës dhe MCC-ja diskutojnë për grantin prej 237 milionë dollarë

Aktuale

Qeveria e Kosovës dhe MCC-ja diskutojnë për grantin prej 237 milionë dollarë

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 10:14
Pamje nga takimi

Delegacioni amerikan i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe atij të Republikës së Kosovës në lidhje me programin Kompakt të MCC-së, kanë mbajtur mbledhje, me ç’rast u fol për grantin e fundit prej 237 milionë dollarë.

Nga ky financim, 200 milionë dollarë do vijnë në formë të grantit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes MCC-së, rreth 35 milionë dollarë do të jetë kontribut nga Qeveria e Kosovës, kurse 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD-së).

Programi do të përfshijë tri projekte:

1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet  170 MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh),

2. Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe

3. Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim

Ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, tha se nga ky grant, një pjesë mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

“Ky program do të sjellë në Kosovë rezerva të energjisë. Sa i përket baterive do të jetë investimi i parë në rajon. Programi do të lehtësoj bashkëpunimin me sektorin privat për energji. Programin do të kursejë 15 milionë euro në vit. Në emër të qeverisë shpreh mirënjohje për ShBA për këtë përkrahje”, tha ajo.

Drejtoresh e MCC-së, Sarah Olmstead, tha se javën e kaluar kanë pasur një eveniment të rëndësishëm me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

“Jam e emocionuar që ky program po ndërtohet. Mendoj se nuk është surprizë që Kosova e ka shkallën më të ulët të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe mundësojmë që të përfitojmë nga rritja e sektorët të energjisë. Të gjithë akterët kanë qenë entuziastë për këtë program. Kosova nuk duhet të humb kohë që të marrë programin. Duhet të punojmë së bashku në sektorin e politikës”.

“Ne presim që ky program të nënshkruhet në korrik dhe të ratifikohet nga parlamenti juaj. Kam kënaqësinë të punojmë së bashku me qeverinë dhe të lansojmë këtë investim sa më shpejt që është e mundur”.

“MCC-ja është një agjencion qeveritar amerikan që punon për zhvillimin ekonomike dhe për rritjen e investimeve për vendet që janë në zhvillim e sipër në botë”, tha Olmstead.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat