Europa Nostra takohet me KFOR-in, kërkojnë mbrojtje të lartë për Manastirin e Deçanit

Aktuale

Europa Nostra takohet me KFOR-in, kërkojnë mbrojtje të lartë për Manastirin e Deçanit

Më: 6 korrik 2022 Në ora: 11:38
Pamje nga takimi

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Ferenc Kajari, ka pritur pardje në takim delegacionin e organizatës Europa Nostra të udhëhequr nga zëvendëspresidenti Guy Clausse. Delegacioni i organizatës ka theksuar nevojën që Manastiri i Deçanit të ketë mbrojtje të lartë nga KFOR-i pavarësisht se Misioni i KFOR-it në prillin e vitit të kaluar kanë konfirmuar se s’kanë regjistruar asnjë incident të konsiderueshëm në 10 vitet e fundit ndaj Manastirit të Deçanit.

Në një njoftim të KFOR, thuhet se në takim është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë në veçanti me pronat që kanë status të veçantë.

“Komandanti i misionit KFOR, Ferenc Kajári mirëpriti Zëvendës Presidentin Ekzekutiv të Europa Nostra,  Guy Clausse në Shtabin e KFOR-it në Prishtinë. Ata diskutuan situatën e sigurisë në Kosovë, në veçanti lidhur me pronat me status të veçantë”, thuhet në njoftim.

Kurse Europa Nostra në një njoftim për takimin me komandantin e KFOR-it thotë se në takim është biseduar për nevojën që të ruhet mbrojtje e lartë  për manastirin e Deçanit.

“Mirënjohës ndaj komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajari për mikëpritjen e delegacionit tonë për një shkëmbim të frytshëm të pikëpamjeve në nevojën që të ruhet mbrojtje e lartë për Manastirin e Deçanit, Monument i Trashëgimisë Botërore në Rrezim, i përfshirë gjithashtu në listën tonë të vitit 2021, të 7 monumenteve më të rrezikuara”, thuhet në njoftim.

Delegacioni i Europa Nostra kanë vizituar Manastirin e Deçanit, të cilin e kanë futur në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara në Evropë për vitin 2021.

Delegacioni i Europa Nostra është pritur dje nga Igumeni Sava Janjic, të cilëve u ka shtruar darkë në ambientet e objektit fetar.

Igumeni Janjic ka publikuar disa fotografi të vizitës së delegacionit të organizatës evropiane në manastir.

“I nderuar ta mirëpres delegacionin e Europa Nostra sot në Manastirin e Deçanit. Mbrojtja e trashëgimisë së përbashkët në Evropë është thelbësore për të ardhmen e kontinentit tonë. Duke vizituar vende të traditave të ndryshme Europa Nostra do të theksojë nevojën e mbrojtjes së trashëgimisë në Kosovë. Delegacioni i Europa Nostra që po kalon këto ditë në një vizitë studimore në Kosovë përbëhet nga ekspertë të shquar të cilët janë tejet të angazhuar për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në evropë dhe të punojnë në shumë projekte në këtë fushë. I nderuar që i mirëprita”, thuhet në ‘cicërimën’ e Janjic në Twitter.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat