Analistët: Takimi Osmani&Kurti-Blinken dëshmon interesin e SHBA për Kosovën

Aktuale

Analistët: Takimi Osmani&Kurti-Blinken dëshmon interesin e SHBA për Kosovën

Më: 26 korrik 2022 Në ora: 22:19
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti

Takimi i sotëm i krerëve të institucioneve, presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, me sekretarin amerikan Antony Blinken po shihet si lajm i mirë për Kosovën nga analistët. Drilon Gashi ka thënë se marrëdhëniet Kosovë - SHBA janë aq të forta e aq të veçanta sa që nuk ftohen e ngrohen lehtë.

„Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet punë në vazhdimësi për t'i mirëmbajtur dhe thelluar ato, por mund të them se duhet shumë mund që të ftohen marrëdhëniet. Ajo çfarë ka ndodhur është se për disa çështje, qoftë të bashkëpunimit rajonal e qoftë të ecurisë së dialogut mund të kishte pasur mospajtime, ky ishte perceptimi në Departamentin e Shtetit. Prandaj, them se ky takim është një simbolik pozitive që mbase nëse ka pasur mospajtime tanimë ato po përmirësohen“, ka theksuar Gashi në „RTK Prime“.

Ai ka thënë se shpreson që nga rezultatet e këtij takimi të dëgjojë që Kosova e ka gjetur një mekanizëm të thellimit të marrëdhënieve me SHBA-në.

Ky mekanizëm që është përdorur nga shumë vende në rajon është partneriteti strategjik i bashkëpunimit. Edhe Greqia edhe Maqedonia e Veriut e kanë bërë këtë marrëveshje me SHBA-në, e cila përfshin thellim të marrëdhënieve në intelegjencë, ekonomi, siguri kombëtare dhe në shkëmbimet politike, e cila në një farë forme çon më tej marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të me një lloj formalizimi shtesë„, ka shtuar Gashi.

Në anën tjetër, analisti Artan Muhaxhiri, ka thënë se deri më tani secili president e kryeministër e ka marrë si gjë normale vizitën në SHBA dhe takimet me presidentin amerikanë apo me sekretarin e shtetit.

„Është hera e parë që krijohet në farë drame për takimin sepse është e bazuar në realitet. Kjo është vizita më e komplikuar e ndonjë lidershipi kosovar dhe kushdo që tenton ta shpjegojë në mënyrë të thjeshtë ose është përkrahës i kryeministrit Kurti apo presidentes Osmani apo militantë, apo armik i tyre sepse e vërteta është diku në mes“, ka thënë Muhaxhiri.

Ai ka thënë se është shumë mirë që ky takim po ndodh, sepse po e ridëshmon interesin e SHBA-së për Kosovën, por njëkohësisht ka thënë është keq që ky takim është vonuar.

Kurti dhe Osmani e prëfaqësojnë një vullnet politik që është mbi 50 përqind dhe është hera e parë që në mënyrë kaq të qartë është dëshmuar një qëndrim i qytetarëve për një opsion politik. Por këta qytetarë janë nga vendi më proamerikanë në botë. Raporti jonë me SHBA-të do të duhej të ishte maksimalisht i fuqishëm, por kjo nuk ka ndodhur. Është hera e parë që një president apo kryeministër njofton brenda ditës që do të takohet me zyrtarë të lartë të SHBA-së. Dhe kjo e dëshmon se situata nuk është mirë„, ka nënvizuar Muhaxhiri.

Sipas tij gjithçka do të varet prej deklaratës së sekretarit Blinken. „Nëse në atë deklaratë do të potencohet edhe më shumë se Kosova duhet të jetë më konstruktive në dialog, atëherë të gjitha ato probleme që i ka Kurti apo Osmani, me disa elemente siç është çështja e Asociacionit, respektimi i vendimit të Kushtetutës për Manastirin e Deçanit, apo aspekti i rimendimit të Ballkanit të Hapur, të gjitha këto do të fuqizohen dhe do të shndërrohet në një presion për kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani“, është shprehur Muhaxhiri.

Lidhur me këtë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se nuk duhet të ketë dezinformim sepse takimi nuk është bërë brenda ditës, por ka qenë i konfirmuar shumë kohë më parë.

Ne si grup parlamentar e kemi ditur shumë herët se do të ndodhë ky takim. Të thuash se ky do të jetë një takim i presionit, ky prap është dezinformim. Gjithsesi, ky është një lajm i mirë edhe për shkak të shpifjeve që janë bërë kundër z. Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ku është thënë se Qeveria Kurti nuk mirëpritet në SHBA, e në fakt sot e kemi një takim me sekretarin e shtetit amerikan dhe ku do të jenë në fokus marrëdhëniet Kosovë-SHBA“, ka thënë Rexhaj.

Ai ka thënë se në këtë takim do të diskutohet për sfera të ndryshme, veçmas në atë energjetike dhe në veçanti do të flitet për raportin e Kosovës me rajonin, pas agresionit rus në Ukrainë. Rexhaj e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm nënshkrimin e marrëveshjes me MCC-në, pasi sipas tij kjo mundëson rritjen e kapaciteteve energjetike të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat