​Marrëveshja me MCC, krerët e shtetit: Investimi më i madh energjetik

Aktuale

​Marrëveshja me MCC, krerët e shtetit: Investimi më i madh energjetik

Më: 28 korrik 2022 Në ora: 11:47
Pamje nga takimi

Në Kongresin Amerikan, në prezencë të Presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, si dhe Ministres së Ekonomisë Artane Rizvanolli është nënshkruar marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në vlerë prej 236.7 milionë dollarë.

Nënshkrimi i Marrëveshjes me MCC-në, vjen pas përmbylljes së suksesshme të negociatave në muajin maj të këtij viti dhe pas konfirmimit me votë unanime të Programit Kompakt nga Bordi i Drejtorëve të MCC-së.

Presidentja Osmani vlerësoi se marrëveshja prej 236.7 milionë dollarësh, është investimi më i madh energjetik.

Osmani tha po ashtu se sot, SHBA-të, përmes MCC-së, rikonfirmuan mbështetjen e palëkundur për Republikën e Kosovës dhe gatishmërinë për ta ndihmuar dhe avancuar më tej në aspektin e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm

Osmani: Marrëveshja prej 236.7 milionë dollarësh, që është investimi më i madh energjetik

“Marrëveshja prej 236.7 milionë dollarësh, që është investimi më i madh energjetik i bërë në vendin tonë prej dekadash tashmë, do të ndihmojë në krijimin e fleksibilitetit dhe stabilitetit në rrjetin elektrik, duke mundësuar integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme, si dhe zhvillimin e aftësive që do të kontribuojnë në rritjen e pjesëmarrjes dhe angazhimin e grave tona në sektorin e energjisë dhe në tregun e brendshëm”, theksoi Osmani.

Ndërkaq, shefja ekzekutive e MCC-së, Alice Albright, ka theksuar se ky nënshkrim përfaqëson vazhdimin e një partneriteti të thellë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, dhe përkushtimin tonë për të punuar së bashku për të ndërtuar zgjidhje moderne, të energjisë së pastër nga të cilat do të përfitojnë afro 2 milionë kosovarë.

Albright foli edhe për uljen e kostos milionësh të shpenzimit për vitin e parë.

Albright: Projekti i depozitimit të energjisë do të ulë koston për 19 milionë dollarë

“Duke rritur qëndrueshmërinë e energjisë elektrike, kur të hynë në funksion projketi i depozitimit të energjisë, do të ulë koston për 19 milionë dollarë, vetëm në vitin e parë. Po ashtu ky projekt do të ofroj edhe programe trajnimi për të ofruar shkathtësi që kërkohen nga punëdhënësit dhe për të ndërtuar një fuqi punëtore... Shtetet e Bashkuara janë shumë janë krenare që janë partnere me Kosovën për t’i mbështetur ata në këtë kohë kur kjo kërkesë është në presion”, tha ajo.

Ndërsa, kryeministri Kurti theksoi se ky do të jetë investimi më i madh dhe më inovativ i sektorit të energjisë në Kosovë deri më sot.

Sipas Kurtit Programi Kompakt do të jetë gurthemeli i tranzicionit të gjelbër dhe do t’i kontribuojë sigurisë energjetike, si dhe transformimit socio-ekonomik.

Kurti: Nënshkrimi kësaj marrëveshje vjen në momentin më të rëndësishëm për energjinë

“Nënshkrimi kësaj marrëveshje vjen në një moment shumë të rëndësishëm për sektorin e energjisë... Me programin kompakt dhe përpjekjet tona sistematike jemi duke punuar intenisvisht për të garantuar një furnizim energjie që është i përballueshëm për të gjithë, duke mbështetur edhe agjendën mjedisore, por edhe duke shtyrë transformimin tonë socio-ekonomik drejt një tranzicioni të mirë energjetik... Kam kënaqësinë që t’ju informojë që marrëveshja që po nënshkruajmë sot do t’i prezantohet parlamentit për ratifikim që nesër”, theksoi Kurti.

Programi Kompakt përfshinë tri projekte: Investime në infrastrukturën e ruajtjes së energjisë, Zhvillimin e fuqisë punëtore dhe përfshirjen e grave në sektor të energjisë, si dhe Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.

Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe shënojnë njërin nga bashkëpunimet më të rëndësishme në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat