Kryeministri Kurti takon komandantin e KFOR-it, bisedojnë për situatën në veri

Aktuale

Kryeministri Kurti takon komandantin e KFOR-it, bisedojnë për situatën në veri

Më: 8 gusht 2022 Në ora: 17:58
Foto ilustrim nga vendi i ngjarjes

Bashkëpunimi i afërt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), përbrenda mandateve që kanë, ishin në qendër të takimit ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe komandantit të Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Ferenc Kajári, thuhet në një njoftim të zyrës së qeverisë.

U ritheksua rëndësia e KFOR-it në sigurimin e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it.

Kryeministri Kurti theksoi domosdoshmërinë e përcjelljes së mesazheve të qarta për veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend.

Në takimin e përbashkët me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kryeministri shprehu gatishmërinë e Qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Komandanti i KFOR-it i falënderoi Kryeministrin Kurti dhe Ministrin Sveçla për bashkëpunimin e mirë mes Qeverisë, Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, ndërsa i përgëzoi policët për sjellën profesionale lidhur me ngjarjet në veri të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Kurti dhe Ministri Sveçla potencuan profesionalizmin dhe guximin e organeve tona të rendit dhe të sigurisë, përkatësisht Policinë e Kosovës, në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë sonë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat