​Mehaj: Serbia përmes lajmeve të rreme po krijon pasiguri në veri

Aktuale

​Mehaj: Serbia përmes lajmeve të rreme po krijon pasiguri në veri

Më: 17 gusht 2022 Në ora: 18:26
Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka akuzuar Beogradin zyrtar se po vazhdon propagandën e tij, duke prodhuar lajme rreme me qëllim të krijimit të ndjenjës së pasigurisë dhe destabilitetit në veri të Kosovës, teksa u ka bërë thirrje serbëve të veriut që të mos bien pre e dezinformatave të Serbisë.

Në një postim në Facebook, Mehaj ka thënë se Beogradi po e dëshmon sërish atë që ka dëshmuar gjithmonë, se është prodhuesi më i madh i propagandës dhe lajmeve të rreme, për arritjen e qëllimeve të tyre që nuk përkojnë me demokracinë, paqen dhe stabilitetin, nuk kanë zgjedhur as forma as mjete.

“Ata janë në gjendje të shkojnë aq larg, sa të inskenojnë raste dhe situata deri në atë nivel sa të vrasin qytetarët e tyre, e t’ua lënë fajin shqiptarëve. Rastet e tilla janë ende të freskëta për ne, kujtojmë rastin “Panda” ku u vranë gjashtë të rinj serbë, nga vetë forcat serbe dhe për këtë u akuzuan shqiptarët, ky rast më së miri dëshmon që propaganda serbe vazhdon deri në pa kufi”, ka shkruar ai.

Për më tepër, ministri Mehaj thotë se fushata e nxitjes së urrejtjes dhe e krijimit të pasigurisë sidomos në veri nuk bëhet rastësisht dhe se kjo po ndodh në prag të takimit të kryeministrit Albin Kurti me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Në vazhdimësinë e lajmeve të rreme, mediat serbe kanë publikuar lajmin kinse në veri të vendit kanë qarkulluar dy automjete të ushtrisë së Kosovës, ky lajm është i pa vërtetë, është lajm i rremë”, ka shtuar ministri Mehaj.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve serbë në veri që të mos bien pre e mediave propaganduese të Serbisë.

“Për informim shërbehuni nga informacionet zyrtare të institucioneve përgjegjëse për sigurinë në vend, të cilat janë në shërbim të secilit qytetarë të Republikës, pa dallim”, ka thënë Mehaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat