Paralajmërimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për riformatim të Qeverisë, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri e sheh si të vonuar.
Haziri pohoi se riformatimi është vonuar, por më mirë është vonë se kurrë.
“Riformatim i vonuar edhe ashtu. Në mes të një krize të paralajmëruar dhe ne pa aftësi të Ministrave tashmë pasojat janë evidente. Më mirë vonë se kurrë”, tha ai.
Ndërkaq, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, partisë më të madhe opozitare në vend, Vlora Çitaku në një përgjigje për Insajderin tha se problemi nuk është vetëm tek ministrat, por qëndron tek mendësia qeverisëse.
“Dorën në zemër, problem nuk është vetëm inkompetenca e Ministrave, por mendësia qeverisëse”, tha ish-ambasadorja.
Kryeministri Albin Kurti, foli me tone të ashpra në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, në drejtim të ministrave të tij e kabineteve të tyre.
“Nuk kemi dashur të merremi me ndryshime ministrash e stafi politik gjatë kësaj kohe sepse kemi pasur probleme të tjera, por ne e dimë që askush, asnjëri nuk është e nuk ndihet i paprekshëm”, tha ndër tjera Kurti në “paralajmërimin” e tij për deputetët.