A po tronditet krimi i organizuar partiak? / Jeta e tyre hedonike po venitet!

Aktuale

A po tronditet krimi i organizuar partiak? / Jeta e tyre hedonike po venitet!

Nga: Idriz Morina Më: 13 shtator 2022 Në ora: 17:36

A e dini se shumica e partive, udhëheqësve të tyre kryesor, jo të atyre që formalisht janë në krye të partive, janë të tronditura nga humbja e privilegjeve.

Jo se dikush është duke i zhvendosur ata në ndonjë drejtim të pasigurt, as nuk janë të përndjekur nga drejtësia, por thjesht duke qenë pak njerëz të tyre në vendet kyçe, u ka rënë reputacioni.

Nuk po mund t’i shpërblejnë servilët e vet, që deri në krime, ishin të gatshëm të shkonin për shefat e tyre.

Pasurimi çnjerëzor

Ata askush nuk po i ndjek. Përveç se autorët e krimeve ordinere të gjithë të tjerët janë në paqe. Gëzojnë milionat e tyre të krijuara, në mënyrën më çnjerëzore, ose me vjedhjet më të pamendueshme që mund t’i bëshë.

Por, e kanë një hall tjetër. Ata kanë vizion për jetën. Të shtyrë nga ato ‘ideale’, ata edhe vodhën, edhe vranë e dogjën, që iluzioni i së ardhmes së tyre, mos t’i tradhtonte.

Tashmë janë duke e parë se nëse fillon e zbatohet shteti ligjor, se po rriten brezat e rinj, që as nuk duan t’ia dinë, se nga erdhën, e lëre më nëse shqiptarët ishin dikur të pushtuar, se ato pushtime i kanë kushtuar shqiptarëve me mijëra e mijëra tragjedi, deri në disa gjenocide e etnocide... e ardhmja e tyre po venitet!

Pasuria e tyre do të tkurret dhe do të humbet, bashkë me uljen e fitimeve, ndërsa jeta hedonike që e kishin projektuar, po shkon drejt perëndimit më shumë se sa që mund ta marrin me mend të gjithë kundërshtarët e tyre.

Ata në vizionin e tyre janë duke e parë, se i pret mosrespekti, mungesa e vlerësimit, dhe mbi të gjitha do t’ju mungojë mbivlerësimi, i cili qe shndërruar, si në ‘markën’ më proftabile të tyre, që i siguronte pa dyshim, para, pushtet, dashuri, jo atë idealen, po më hedoniken.

Shkapërderdhja

Ky grupim nisi të shkapërderdhet me arrestimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve nga gjykata speciale në nëntorin e 2020-ës.

Ndërsa, krerë të tjerë të strukturave kriminale janë në ankth, dhe duket se një pjesë të kohës po e kalojnë, se si ta ndërtojnë strategjinë që fajin t’ua hedhin të tjerëve. Disa të tjerë, po mundohen ta spastrojnë ‘biografinë’ duke goditur mediat, veçanërisht pasi e kanë në zotërim ‘pushtetin’ e gjyqësorit!

Gjyqësor, të cilin e kanë katandisur si mos më keq, me gjysmanalfabet, njerëz të grupeve kriminale, dhe duke i shtypur e larguar më të mirët. Trishtuese dhe vajtuese njëkohësisht, ku vendimet arbitrare në dëm të viktimave janë të pashembullta!

Disa të tjerë po mundohen ta rishkruajnë biografinë duke i ndryshuar ‘qëndrimet e tyre’ në të kaluarën, pra duke thënë se ata deklaronin diçka tjetër, jepnin tjera mesazhe, që në këtë kuptim i bie se ne mediat nuk i kuptonim.

Ata që fitimet e veta i shtonin për çdo vit me paratë e buxhetit, dhe njëkohësisht fitimet e veta nuk i preknin, pasi shpenzimet i hiqnin po me paratë e vjedhura nga buxheti, kishin krijuar vërtetë një gjakderdhje të pandalshme buxhetore, aq sa e ‘asfiksuan’ Thesarin e shtetit.

Sot ne ende mbajmë shpresë, dhe të shohim tek e ardhmja, por pa besuar se këta që e kanë zhvatur kështu shtetin do të shihen prapa grilave së shpejti!

Vetëm pritjet se mund të miratohet së shpejti Buroja e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, aq shumë tronditi një pjesë të botës së krimit, që i dominion politikat e disa partive, sa që filloi një trysni apo një rrëke lajmesh, se priten braktisje të deputetëve nga koalicioni! Një braktisje ndodhi, por që ende nuk është shpjeguar dot deri në fund!

Por, është e qartë se marrja – konfiskimi i pasurisë së tyre, është njësoj si me ia marrë shpirtin!

Fillimi i vendosjes së shtetit ligjor, pas një dekade periudhe thuajse anarkike, është procesi më i pashmangshëm që do të ndodhë! Asnjë tërmet politik, nuk do të mund ta përmbysë, sepse përpjekjet e atilla do ta fundosnin vetë sistemin!

Edhe përpjekjet për një grevë, që rëndon situatën politike, janë një premisë tjetër, pas së cilës po e fshehin interesin e tyre grupet kriminale në politikë. Në fakt greva, veçmas në arsim po shihet si një mundësi, për ta revoltuar opinionin dhe për t’ia ulur përkrahjen dy partive në koalicion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat