Hykmete Bajrami dhe Visar Ymeri përplasen për pozicionin e LDK-së karshi grevës në arsim

Aktuale

Hykmete Bajrami dhe Visar Ymeri përplasen për pozicionin e LDK-së karshi grevës në arsim

Më: 22 shtator 2022 Në ora: 22:01
Hykmete Bajrami, Visar Ymeri

Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami dhe ish-deputeti Visar Ymeri kanë debatuar në lidhje me qëndrimin e LDK-së në raport me grevën e SBASHK-ut.

Në “Debat Plus” Bajrami ka thënë se LDK e përkrahë grevën e sindikalistëve.

Por ndaj këtyre deklarimeve ka reaguar Visar Ymeri i cili e ka konsideruar pozicionin e LDK-së jo të natyrshëm duke pasur parasysh orientimin e saj të djathtë.

“Një dukuri abnormale në Kosovë është orientimi politik i tyre. Një parti e djathtë si LDK nuk do të duhej ta përkrahte grevën e sindikatave në asnjë metodë dhe nuk do të duhej të kishte marrëdhënie të mira me sindikatat pasi do të duhej të ishte parti pro-biznes”, deklaroi Ymeri.

“Unë po mendoj se qasja e LDK, në krahasim me të kaluarën e bënë këtë qëndrim jo të sinqertë dhe kjo i bie se mbështetje ndaj grevës po bëhet për arsye politike”, shtoi ai.

Ymeri më tej thotë se LDK duhet të tregojë nëse është për investime kapitale apo për të shpërndarë mjetet që i janë grumbulluar qeverisë te sektori publik përmes plotësimit të kërkesës së grevistëve.

Në përgjigjen e saj deputetja e LDK-së, ka thënë se Qeveria deri më tani ka shpërndarë sasi të mëdha parash te populli pa kurrfarë kriteri.

“Kujtojmë këtu shpërndarjen e 100 milionë eurove, ku nga 100 euro u janë dhënë edhe atyre që nuk e kanë nevojën”.

“Rreth 300 milionë euro më shumë janë grumbulluar në bilancet bankare si pasojë e inflacionit, të cilat duke qëndruar dhe duke mos u shfrytëzuar ato para janë duke u zhvleftësuar”, shtoi Bajrami.

“A po thoni që këto para të shpërndahen në kategori të ndryshme sociale?”, i është përgjigjur Ymeri.

“Ne kemi parë ngecje në investime kapitale. Deri në fund të vitit këto para që kanë mbetur nuk kanë shanca për t’u shfrytëzuar. Këta është dashur të bëjnë rishikimin e buxhetit dhe të rialokojnë mjetet financiare”, ka thënë Bajrami.

Ymeri nga ana tjetër thotë se edhe ulja e taksave edhe rritja e pagave dhe shpenzimeve nuk mund të bëhen.

“Po të kishim dëgjuar propozimin e LDK-së, sot nuk do të kishim mundësi të grumbullonim këto mjete dhe as të plotësonim këto kërkesa të grevistëve”, tha Ymeri.

“Po të kishin dëgjuar propozimet tona, sot nuk do të kishte nivel të tillë inflacioni”, i është përgjigjur Bajrami, Ymerit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat